Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, njoftoi se më 1 shkurt do të mblidhet Konventa e Tiranës, ndërsa më 11 maj do të kërkohet një votë masive për Ilir Metën.
Ai theksoi sfidën e madhe përballë një regjimi të korruptuar dhe narko-autoritar, duke theksuar programin e Partisë së Lirisë për zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët shqiptarë.
FJALA E BLUSHIT:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju drejtues të shtabit organizativ të Tiranës, për të gjitha strukturat, votuesit dhe simpatizantët tanë në Kryeqytet dhe në të gjithë Shqipërinë dhe më lejoni t’ju uroj nga zemra një vit plot të mira, shëndet dhe me fitore në 11 Majin historik që vjen.
Përballë kemi një sfidë tepër të rëndësishme politike dhe elektorale. Është një malore e vështirë, por jo e pamundur për t’u kapërcyer dhe për t’u fituar.
Partia e Lirisë dhe Opozita e Bashkuar e di se ka përballë një Narkoregjim totalitar dhe korruptiv, që ka uzurpuar të gjitha pushtetet përfshi dhe “Drejtësinë e Re”, përveç njërit – “pushtetin e lirisë”.
Sot më shumë se kurrë Tirana dhe Shqipëria ka nevojë për fitoren tonë dhe të programit të shkëlqyer të Partisë së Lirisë, për 5 Prioritetet tona madhore për 4 milion shqiptarë plus, që garantojnë ndalimin e shpopullimit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe ristrukturimin e ekonomisë së vendit, rritjen e pagave dhe të pensioneve, rimëkëmbjen dhe modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e arsimit, shndërrimit të Shqipërisë në një fuqi eksportuese, rikthimit të plotë të pluralizmit dhe rivendosjes së një llogaridhënie rigoroze që sot nuk ekziston, si dhe për zbardhjen e të gjitha aferave shumë të rënda korruptive që janë bërë në kurriz të qytetarëve, nëpërmjet dhënies fund të pandëshkueshmërisë dhe garantimit të barazisë para ligjit për çdo qytetar.
Në këtë përballje me Narkoregjimin e vetëm që ka njohur Europa, ne nuk jemi të vetëm, por kemi dhe do të kemi me vete edhe të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë që shohin sot Edi Ramën, Erion Veliajn, Belinda Ballukun, ministra, kryetarë bashkie dhe drejtorë të pangopur të “Rilindjes”, që mbushin xhepat e tyre dhe i kanë harruar qytetarët dhe pensionistët që mezi kalojnë muajin me rrogat dhe pensionet e tyre mizerabël.
Ka ardhur koha që politika të ketë të parët qytetarët dhe jo narkopushtetarët, që në kurriz të tyre bëjnë sot pazare me pasuritë kombëtare, por edhe me integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, që edhe këto i kanë nxjerrë dhe vazhdojnë t’i nxjerrin në ankande privat me qëllim mbajtjen e pushtetit.
Qytetarët janë shumë të vëmendshëm dhe e kuptojnë se vota e tyre nuk mund të shkojë më për një Narkoqeveri që e ka marrë të tatëpjetën me kohë dhe tani kërkon të marrë të gjithë Shqipërinë me vete.
Të gjithë e kanë të qartë se forca jonë politike ka objektivat më të qarta sepse prioriteti ynë kryesor është zhvillimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm i ekonomisë në mënyrë që të evitojmë rënien dhe katastrofën ekonomiko-financiare të narko-ekonomisë, të ekonomisë së kullave dhe të ekonomisë së parave të pista që ka ndërtuar Edi Rama.
Prandaj, me votën tonë do të hedhim themele të sigurta të një Shqipërie, e cila do të ketë një ekonomi të qëndrueshme, përmes reformave strukturore, të taksave të ulta, të nxitjes dhe rritjes së prodhimit në vend, të rritjes së eksporteve dhe përmirësimit të të gjithë treguesve ekonomikë për të krijuar një ekonomi të shëndetshme, konkurruese, që garanton vende pune të reja, afatgjata dhe të sigurta për qytetarët tanë, e në radhë të parë për të rinjtë dhe të rejat.
Në 12 vite në pushtet, Edi Rama ka ndërtuar një model narkoqeverisës korruptiv, arrogant, grabitqar dhe shtypës, që i është garantuar imunitet politik falë strukturës kriminale SPAK, që me rrëmbimin banditesk dhe izolimin ekstrem të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me ndalimin e liderit historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe të drejtuesve të tjerë të opozitës, po bën çdo përpjekje për t’i garantuar kësaj bande që sot drejton Shqipërinë edhe një mandat tjetër 4-vjeçar në kurriz të shqiptarëve, në këmbim të një mandati të përjetshëm për Altin Dumanin dhe mercenarët e “Rilindjes” në krye të SPAK dhe drejtësisë së re.
Denoncimet e Ilir Metës, nga megaafera e inceneratorëve, e aferave të tjera korruptive, e krimeve elektorale dhe krimeve të tjera të “Rilindjes”, e kapjes për fyti të drejtësisë dhe të gjitha institucioneve të tjera e tronditën nga themelet Narkoshtetin.
Fakti që armiqtë e lirisë të të gjithë shqipëtarëve e jo vetëm të Ilir Metës u detyruan të inskenojnë një rrëmbim mafioz tregon dobësinë dhe dekompozimin e tyre total politik e moral dhe tmerrin që kanë nga prania aktive e Ilir Metës në jetën publike dhe ballafaqimet mediatike, si edhe shpresën e tyre të mjerë për të rrëmbyer Partinë e Lirisë dhe shndërruar atë në një fake- opozitë si shume 0.99 të reja që kanë shpikur këto kohë.
Partia e Lirisë është forca e parë që e çimentoi si prioritet madhor dyfishimin e pensioneve, pasi nëpërkëmbja e qëllimshme e pensionistëve nga “Rilindja” për 12 vjet, ka sjellë pasoja të tmerrshme sociale e sidomos shëndetësore për ta.
Programi ynë, tërësisht i financueshëm dhe i certifikuar, nis me ndalimin e shpopullimit si Prioritet i Parë dhe kulmon me shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese në Rajonin tonë.
Ndaj vota për Partinë e Lirisë dhe Ilir Metën do të jetë masive, spektakolare dhe e paparë ndonjëherë sepse shqiptarët do të votojnë më 11 Maj për lirinë e tyre në radhë të parë.
Modeli ynë ekonomik mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, si e vetmja mënyrë për thithjen e investimeve te huaja, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë, tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë, tek zgjerimi dhe konsolidimi I shtresës së mesme të shoqërisë, si garante e një zhvillimi të qëndrueshëm, por edhe vetë mbrojtjes së demokracisë.
Ne do të miratojmë ligjin për indeksimin e pagave në raport me inflacionin dhe rritjen ekonomike, rritje e pagave që do të realizohet çdo vit.
Në kushtet e krizës ekonomike aktuale ne propozojmë të ulim barrën fiskale për individët dhe bizneset, për të formalizuar ekonominë, për të ulur çmimet, për të stimuluar konsumin dhe prodhimin vendas.
Për Partinë e Lirisë, një prioritet imediat është krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në Shqipëri. Ne propozojmë një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, me potencialin për të thithur investitorë të huaj serioz dhe të fuqishëm. Familjeve të reja do t’i sigurojmë strehim me kredi të buta, ndërkohë ne propozojmë rritje progresive të bonuseve për fëmijën e parë, fëmijën e dytë dhe të tretë, si një politike për të nxitur lindshmërinë.
Partia e Lirisë ka qenë forca e parë politike që ka mbështetur fuqishëm garantimin e votës për Diasporës.
Partia e Lirisë është e angazhuar që në qeverisjen e saj të ketë një ministri për diasporën, jo për të krijuar evente, por për të nxitur politika, ura komunikimi mes diasporës dhe shtetit shqiptar me qëllim që ata të rikthehen dhe të investojnë në Shqipëri.
Po ashtu do të krijohet zyra për diasporën në çdo ambasadë për krijimin e evenimenteve kulturore, për të ofruar mbrojtje ligjore, trajnime për riintegrimn e diasporës në vendin tonë përmes lehtësirave që do krijojmë me politikat që do të ndërrmerren, por edhe do të hapim dyert për profesionistët e diasporës shqiptare kudo ku ndodhen, që të vijnë të investojnë në Shqipëri.
Ndaj është detyra jonë, me angazhimin e secilit prej jush, ta shndërrojmë votën e diasporës, të detyruar nga Edi Rama të braktisë dhunshëm Shqipërinë, në çelësin e fitores së opozitës.
Në emër të Partisë së Lirisë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve në diasporë të marrin pjesë masivisht në këto votime, për të ndëshkuar armiku e lirive dhe dëbuesin e tyre Edi Rama, për t’i thënë ndal korrupsionit dhe vazhdimit të politikës së keqqeverisjes, dhe për të rikthyer shpresën për të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe Ju që jetoni e punoni jashtë vendit.
Është koha që zëri i diasporës të dëgjohet më fort se kurrë më parë.
Në aspektin organizativ, ne kemi përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet të Partisë së Lirisë në të gjithë vendin, kemi ngritur Komisionin e Organizimit të Qarkut të Tiranës dhe sot do të diskutojmë për thirrjen sa më shpejt të Konventës Drejtuese të Tiranës, me qëllim përcaktimin e detajeve të tjera të fitores tonë të padiskutuar në kryeqytet dhe marrjen e vendimeve shumë të rëndësishme në funksion të përgatitjeve elektorale të Partisë së Lirisë për zgjedhjet e 11 Majit, që janë vendimtare për të ndaluar shpërbërjen dhe shpopullimin e Shqipërisë.
Megjithatë është e rëndësishme që tani natën ta kthejmë ditë dhe të nxitojmë në çdo strukturë partie, për çdo qendër votimi, me analizë konkrete për të ndezur flakë motorët e fitores së padiskutuar dhe për të prezantuar derë më derë programin tonë të shkëlqyer, 5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus.