-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Marco Rubio konfirmon vlerën e aleancës së NATO-s

Kryesoret

Senatori i Floridës, Marco Rubio përcolli një vizion të errët të pasojave nga “marrëdhënia e pabalancuar” e Shteteve të Bashkuara me Kinën.

Ai përsëriti të mërkurën retorikën anti-globaliste të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, teksa përpiqet të marrë konfirmimin si Sekretar Shteti. Ai e përqëndroi pjesën më të madhe të komenteve në tre orët e seancës dëgjimore në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë tek paralajmërimi se pa një ndryshim të shpejtë dhe thelbësor politikash, Kina do të mbetet “kërcënimi më i madh” i mirëqenies amerikane në shekullin 21.

“Nëse nuk e ndryshojmë kursin, do të jetojmë në një botë ku shumica e asaj që ka rëndësi për ne në përditshmëri, që nga siguria deri te shëndeti ynë, do të varet nga fakti nëse kinezët na lejojnë ta kemi apo jo”, tha zoti Rubio.

I pyetur për NATO-n, organizatën 75-vjeçare të sigurisë që zoti Trump e ka kritikuar vazhdimisht, zoti Rubio pohoi vlerën e saj, duke e quajtur atë një “aleancë shumë të rëndësishme”. Por zoti Rubio mbështeti pikëpamjen e Presidentit të zgjedhur Trump se disa aleatë evropianë duhet të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e tyre kolektive, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin nëse duan “një rol parësor në mbrojtje” apo të “kenë rol mbështetës” kundër agresionit.

Ai tha se “vendosja e interesave kryesore kombëtare mbi gjithçka tjetër nuk është izolim politik. Një politikë e jashtme e përqendruar në interesat tona kombëtare nuk është një relikë e vjetëruar.”

“Rendi global i pasluftës nuk është thjesht i vjetëruar; tani është bërë një armë që përdoret kundër nesh”, thotë zoti Rubio.

Marco Rubio, i cili ka lindur në Majami dhe është djali i dy emigrantëve kubanë, nëse konfirmohet, do të bëhej Sekretari i parë i Shtetit me prejardhje nga Amerika Latine.

Seanca e konfirmimit hap një kapitull të ri në karrierën politike të 53-vjeçarit republikan nga Florida, i cili ka qenë rival i zotit Trump në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2016. Gjatë fushatës së atij viti pati një shkëmbim fyerjesh mes tij dhe zotit Trump, por marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan pas zgjedhjeve të vitit 2016. Ata u bënë aleatë të ngushtë gjatë fushatës së vitit të kaluar të zotit Trump për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Marco Rubio erdhi për herë të parë në Uashington si pjesë e lëvizjes “Tea Party” në vitin 2010 dhe në të kaluarën ka mbështetur rrugën drejt shtetësisë për emigrantët pa dokumente në vend. Por pikëpamjet e zotit Rubio për imigracionin janë zhvendosur më afër qëndrimit të vijës së ashpër, që ndiqet nga zoti Trump, i cili është zotuar se do të fillojë në mënyrë agresive dëbimet e emigrantëve pa dokumente sapo të marrë detyrën të hënën.

Ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë për anëtarë të kabinetit të Presidentit të zgjedhur Trump, zoti Rubio pritet të marrë lehtësisht konfirmimin nga Senati, duke marrë mbështetjen jo vetëm nga republikanët, por edhe nga demokratët, të cilët e konsiderojnë atë si një zgjedhje “të përgjegjshme” për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara jashtë vendit. Ai pritet të jetë ndër të parët, që do të marrë miratimin për të shërbyer në kabinetin e zotit Trump.

Senatori demokrat Brian Schatz, i cili ka shërbyer së bashku me zotin Rubio në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se ka shpresa të mëdha që republikani nga Florida do të refuzojë qasjen izolacioniste të aleatëve të tjerë të zotit Trump.

“Unë mendoj se Marco është i vijës së ashpër, por ai është gjithashtu ndërkombëtar, dhe unë mendoj se sfida për të do të jetë ruajtja e traditës së gjatë dypartiake të Amerikës që është e domosdoshme në çështjet botërore”, tha ligjvënësi nga Havai. “Ka njerëz të zotit Trump që duan që ne të heqim dorë nga roli udhëheqës i botës së lirë. Dhe unë shpresoj që instinktet e Marcos ndaj forcës amerikane do të mbizotërojnë.”

Qasja e zotit Rubio ndaj politikës së jashtme bazohet në vitet e shërbimit të tij në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe atë të Zbulimit. Në fjalimet dhe shkrimet e tij, ai ka bërë paralajmërime gjithnjë e më të ashpra për kërcënimet ushtarake dhe ekonomike në rritje ndaj Shteteve të Bashkuara, veçanërisht nga Kina, e cila thotë se ka përfituar nga një “rend botëror global” që ai e konsideron të vjetëruar.

Nëse konfirmohet, zoti Rubio do të drejtojë politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, ndonëse roli i tij me siguri do të mbetet dytësor kundrejt zotit Trump, i cili e pëlqen skenën globale dhe shpesh përdor platformën e tij kundër aleatëve të Amerikës.

Para marrjes së detyrës, zoti Trump shkaktoi ankth në kryeqytetet e huaja duke kërcënuar se do të pushtojë Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën dhe duke sugjeruar se do të bëjë presion ndaj Kanadasë që të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vendimi i administratës së Presidentit Biden për të hequr Kubën nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin disa ditë para përfundimit të mandadit të tij, ka të ngjarë të zemërojë zotin Rubio, i cili për një kohë të gjatë ka mbështetur sanksionet e ashpra ndaj vendit komunist.

Zyra e zotit Rubio nuk iu përgjigj kërkesave të shumta të martën për komente mbi vendimin e Presidentit Biden për Kubën, që shumë analistë thonë se ka të ngjarë të anulohet nga administrata e zotit Trump.

Sekretarët e shtetit kanë luajtur një rol kyç në formulimin e politikës së jashtme të vendit që nga themelimi i tij, duke filluar nga Thomas Jeffersoni, i cili shërbeu në postin e lartë të kabinetit gjatë mandatit të Presidentit George Washington.

Jefferson-i, si dhe pasardhësit e tij të shekullit të 19-të, James Madison, James Monroe, John Quincy Adams, Martin Van Buren dhe James Buchanan, janë zgjedhur të gjithë më pas në postin e presidentit të vendit.

Sekretarët më të fundit të Shtetit kanë qenë më pak të suksesshëm në ambiciet e tyre politike, duke përfshirë ish senatorin John Kerry, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 kundër Presidentit George W. Bush përpara se të bëhej Sekretar Shteti, dhe ish senatores Hillary Clinton, e cila humbi zgjedhjet e vitit 2016 ndaj zotit Trump.

Sekretarët më të suksesshëm të shtetit janë njohur për afërsinë e tyre me presidentët të cilëve u kanë shërbyer, veçanërisht James Baker gjatë mandatit të Presidentit George H.W. Bush, Condoleezza Rice gjatë mandatit të Presidentit George W. Bush dhe, deri diku, Hillari Clinton gjatë mandatit të Presidentit Barack Obama.

Ashtu si zonja Clinton, Marko Rubio dikur ishte një rival politik i Presidentit të zgjedhur që e emëroi në këtë post. Megjithatë, marrëdhënia Clinton – Obama gjatë zgjedhjeve paraprake të Partisë Demokrate në vitin 2008 nuk ishte aq armiqësore sa ajo midis zotit Trump dhe zotit Rubio në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2016, që u shoqërua me sharje dhe ofendime personale.

Zoti Trump kishte një marrëdhënie të tensionuar me Sekretarin e tij të parë të Shtetit, Rex Tillerson. Zoti Trump e shkarkoi atë nga posti përmes një postimi në rrjetet sociale më pak se dy vjet pas fillimit të mandatit të tij./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit