-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Niazi Jaho: Rasti “Xhaçka” dhe ngërçi i Gjykatës Kushtetuese

Kryesoret

Pasi u njoha me vendimet e Gjykatës Kushtetuese (Nr. 2, datë 23.01.2023, dhe Nr. 55, datë 10.07.2024), ku bëhet fjalë për çështjen e deputetes Olta Xhaçka, mendova të prononcohem nëpërmjet këtij shkrimi në DITA. Meqë gjykata, në mbështetje të vendimeve të mësipërme, i është referuar sidomos vendimit të saj Nr. 7, datë 24.02.2016, m’u desh të njihesha edhe me këtë vendim.

Ndjej detyrimin ndaj lexuesit të thjeshtë që, qysh në fillim të informohet përse bëhet fjalë. Sipas Kushtetutës, deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri prej tyre. Nëse ka të dhëna, dokumente, fakte apo prova se ky apo ai deputet i mazhorancës apo i opozitës ka kryer një veprimtari të tillë, me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të një të dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese e cila konstaton papajtueshmërinë.

Në vitet 2022, 2023 dhe 2024, megjithëse grupi përkatës i deputetëve ka paraqitur në Kuvend mocionin se deputetja Olta Xhaçka ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën (është pretenduar se ajo ka përfituar pasuri shtetërore ose të pushtetit vendor, gjë që bie ndesh me ushtrimin e funksionit të saj si deputete), Kuvendi ka vendosur mosdërgimin e këtyre mocioneve në Gjykatën Kushtetuese e cila ka kompetencë të konstatojë papajtueshmërinë.

Gjykata, këtë qëndrim të Kuvendit, në vendimet e saj e ka vlerësuar si jo në pajtim me Kushtetutën dhe ka detyruar Kuvendin të shfuqizojë këto vendime dhe t’i dërgojë asaj mocionin e deputetëve. Këto vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Kuvendi dhe si pasojë çështja lidhur me deputeten Olta Xhaçka ka ngelur pa zgjidhje.

Qëndrimi i Gjykatës: Pikënisja (referimi) në Vendimin e saj nr. 7,  datë 24.02.2016

Përse bëhet fjalë në këtë vendim? Një grup deputetësh, në shkurt të vitit 2015, kishin depozituar në Kuvend kërkesën për ndjekjen e procedurave parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe ndërprerjen e mandatit të deputetit K.K., me pretendimin se ky deputet, në kundërshtim me nenin 70, pika 3 të Kushtetutës kishte kryer veprimtari fitimprurëse.

Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes dhe interpretimit të nenit 70, pika 4, të Kushtetutës vendosi që:

  1. Kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të nenit 70, pika 3, të Kushtetutës, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, dhe;
  2. Konstaton si të papajtueshëm me Kushtetutën të Vendimit të Kuvendit “Për mosdërgimin në Gjykatën Kushtetues të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën të deputetit K.K.”

Paraqitja e mësipërme mendoj se e ndihmon lexuesin për të kuptuar se çështja e deputetit K.K., është e ngjashme me atë të deputetes Olta Xhaçka. Por, vetëm kjo nuk mjafton. Kjo është arsyeja që lexuesi duhet të informohet për arsyet përse gjykata, në Vendimin e vitit 2016, ka arritur në përfundimet e mësipërme.

Prandaj, e shikoj të nevojshme të përmend disa nga çështjet që mendoj se janë më kryesore. Nëse nuk do ta bëja këtë, njohuritë se si është proceduar për çështjen “Xhaçka” do të ishin relativisht të kufizuara dhe, ndoshta, pjesërisht edhe të paqarta. Cilat janë arsyet që, lidhur me çështjen K.K., gjykata ka arritur në konkluzionet e përmendura më lart?

  1. Gjykata i është referuar pikës 3, të nenit 70, të Kushtetutës ku thuhet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor…”
  2. Gjykata ka vlerësuar se, në të tilla raste, Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ia nënshtrojë atë debatit parlamentar për vendimmarrjen e tij.
  3. Kuvendi nuk mund t’i hyjë themelit të çështjes, d.m.th., vlerësimit nëse veprimet e deputetit janë ose jo në pajtim me mandatin e tij sepse kjo do të ishte ndërhyrje në kompetencat e gjykatës.
  4. Gjykata ka arritur në përfundimin se, për çdo shkelje të pikës 3, të nenit 70, të Kushtetutës, Kuvendi ka të drejtë të verifikojë vetëm kriteret juridiko-formale siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur. Kuvendi verifikon nëse mocioni plotëson kushtet e parashikuara në pikën 3, të nenit 70, të Kushtetutës për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare.

Thelbin e arsyetimeve të mësipërme e gjejmë edhe në vendimet e gjykatës të viteve 2023 dhe 2024. Kur njihesh me vendimin e gjykatës të vitit 2016 tërheq vëmendjen mendimi i pakicës (ish-anëtarit të Gjykatës, z. Sokol Berberi) që, në 12 faqe, shpreh mendimet e tij dhe argumenton përse nuk pajtohet me qëndrimin e shumicës.

Z. Berberi, në mënyrë të qartë, ka zbërthyer termat e përdorura nga kushtetutëbërësi siç janë “vendos”“mocion”“konstaton”. Midis të tjerave ai shprehet: “Nëse nuk ka çështje të shtruara për votim është absurde të mendosh se duhet të ketë vendim”, dhe më poshtë: Kushtetutëbërësi duke parashikuar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të Kuvendit që ka verifikuar shkeljen e pikës 3, të nenit 70, të Kushtetutës, ka përjashtuar rastin, sipas të cilit Kuvendi do të ishte i detyruar që t’ia dërgonte çështjen gjykatës edhe kur ai vendos mos-vërtetimin e shkeljes.

Edhe pse kanë kaluar 8 vjet, njohja me mendimin e pakicës që përmenda më sipër ndihmon për të kuptuar më mirë qëndrimin e gabuar të Gjykatës Kushtetuese në vendimet e saj të vitit 2023 dhe, sidomos, të vitit 2024.

Vlerësim kritik për qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese

  1. Siç dihet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim (Neni 132, i Kushtetutës). Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës (neni 124, i Kushtetutës). Meqë Kuvendi nuk i ka dërguar Gjykatës mocionin për të cilin folëm më lart dhe nuk ka shfuqizuar vendimet e marra lidhur me çështjen “Xhaçka”, sipas Gjykatës, ai ka vepruar në kundërshtim me nenet 132 dhe 124, të Kushtetutës.

Është e vërtetë se interpretimin përfundimtar të Kushtetutës e bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Por, kjo nuk do të thotë se, Kuvendi nuk ka të drejtë të bëjë interpretime pa cënuar thelbin e dispozitës Kushtetuese ose interpretimin përfundimtar që bën gjykata dhe që kanë forcën e ligjit.

Por, mendoj se Kuvendi, në rastin e çështjes “Xhaçka”, nuk ka shkelur as nenin 124 dhe as nenin 132 të Kushtetutës. Ai ka zbatuar drejt nenin 70, pikat 3 dhe 4, të Kushtetutës: ka verifikuar faktet dhe të dhënat e paraqitura në mocion; ka thirrur mbledhjen plenare të Kuvendit dhe, në përfundim, është votuar. Shumica nuk ishte e bindur me përmbajtjen e mocionit, ka votuar kundër tij dhe, pikërisht për këtë, Kuvendi ka vendosur të mos ia dërgojë mocionin Gjykatës Kushtetuese.

  1. Interpretimi i Gjykatës se verifikimi i të dhënave apo fakteve që përmban mocioni është një procedurë formale dhe Kuvendi, në çdo rast duhet të vendosë dërgimin e mocionit Gjykatës është i gabuar. Ky interpretim është as më shumë dhe as më pak, krijimi i një norme të re që është atribut ekskluziv i legjislativit. Mund të thuhet se Gjykata Kushtetuese në interpretimet e saj, edhe pse nuk mbështetet në ndonjë dispozitë të sanksionuar në Kushtetutë, të vetmin “argument” për të ngarkuar me përgjegjësi Kuvendin në vendimet e saj i referohet në mënyrë të përsëritur neneve 124 dhe 132 të Kushtetutës. Në fakt, Kuvendi do të shkelte Kushtetutën nëse do të shfuqizonte vendimet e tij lidhur me këtë çështje dhe do i dërgonte mocionin gjykatës, sepse kështu do të miratonte (pa u miratuar nga vetë legjislativi) një dispozitë të re.

Për analogji, mendoj se na kujtohet rasti që Kuvendi, me votat e jo më pak se dy të tretat e anëtarëve të tij, i dërgoi Gjykatës Kushtetuese vendimin për shkarkimin e ish-Presidentit Meta. Ç’kuptim do të kishte që t’i dërgohej Gjykatës edhe vendimi që nuk ishte miratuar nga dy të tretat e anëtarëve? Nëse kjo do të ndodhte, a mundet që Gjykata të vendoste mbi fajësinë ose jo të ish-Presidentit?!

Të “vendosësh” do të thotë të zbatosh një procedurë të caktuar parlamentare. Nuk mund të vendosësh pa shqyrtuar çështjen, pa proces votimi ku deputetët janë të lirë të shprehin vullnetin e tyre. Çfarë vendimi mund të merrej nëse shumica voton kundër mocionit? Edhe në këtë rast, mocioni duhet t’i dërgohej Gjykatës? Në rast se kushtetutëbërësi do ta konsideronte (ose do të kishte qëllim) që rolin e Kuvendit ta quante formal nuk do të kishte kuptim të përdorte termin “vendos” ose siç është shprehur ish-anëtari Sokol Berberi në mendimin e pakicës (në vitin 2016): “Nëse nuk ka çështje të shtruar për votim është absurde të mendosh se duhet të ketë vendim”.

  1. Siç dihet, Kuvendi është i detyruar që, në shqyrtimin e çështjes për papajtueshmërinë (pikat 3 dhe 4, të nenit 70, të Kushtetutës), të zbatojë parimin kushtetues të procesit të rregullt ligjor. Në dy vendimet e sipërpërmendura të Gjykatës për zbatimin e këtij parimi nuk thuhet gjë. Është e drejtë e deputetit ndaj të cilit është paraqitur mocioni të mbrohet të paraqesë fakte dhe prova në favorin e tij për të kundërshtuar të dhënat e paraqitura në mocion. Kuvendi është i detyruar që të verifikojë çështjen (papajtueshmërinë) në kompleksitetin e saj dhe me objektivitet si në rastin e deputetit të opozitës edhe në rastin kur ai është i mazhorancës.

Zbatimi i procesit të rregullt nuk është formalitet. Qoftë edhe vetëm cenimi apo mos vlerësimi i këtij parimi përbën shkak për prishjen e vendimit të Kuvendit edhe në rastet kur rezulton e provuar papajtueshmëria në kuptim të pikave 3 dhe 4, të nenit 70, të Kushtetutës.

  1. Në vendimin e saj të vitit 2024, gjykata ka bërë edhe interpretimin e pikës 1, të nenit 70, të Kushtetutës, ku thuhet se deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. Ky parim, siç thuhet në vendimin e mësipërm, nënkupton se deputetit nuk i revokohet mandati nga zgjedhësit apo partia politike dhe për këtë, gjykata i referohet Opinionit të Komisionit të Venecias Nr. 845/2016 CDL-AD (2019) 015, datë 24.06.2019, par. 51. Mirëpo, ky referim përmban edhe frazën se: “Mandati i lirë nënkupton gjithashtu se deputeti ka hapësirë për të votuar kundër edhe pa kaluar në mënyrë përfundimtare në një forcë tjetër politike”. Ndërsa, gjykata në paragrafin 58 të vendimit vlerëson se: “Parimi kushtetues i mandatit të lirë të një deputeti nuk mund të kuptohet si liri absolute e tij që nuk kufizohet nga Kushtetuta dhe ligjet për të vepruar në mënyrë të atillë që Kuvendi të mos jetë në gjendje të zbatojë kërkesat që burojnë nga Kushtetuta dhe të miratojë vendime të papajtueshme me të” dhe më poshtë: “Gjykata çmon se parimi i mandatit të lirë (jo detyrues) edhe pse është i zbatueshëm në procedurat parlamentare kur deputetët thirren për votim, nuk nënkupton se liria në votim është absolute. Përkundrazi, kjo liri i nënshtrohet kufizimeve që rrjedhin nga parimet e supremacisë së Kushtetutës, të shtetit të së drejtës dhe të kushtetueshmërisë, element i së cilës është detyrueshmëria e zbatimit të vendimeve të Gjykatës”. Sipas gjykatës: “Në këtë kuptim, parimi i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të shtrihet në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të saj në rastet kur ajo ka përcaktuar për Kuvendin detyrime konkrete që nuk lënë hapësirë vlerësimi për mënyrën e zbatimit nga ana e tij”.

Kjo frazë e gjatë, sa e përgjithshme aq edhe e paqartë, evazive dhe kontradiktore mendoj se shpreh pozicionin konceptual të Gjykatës Kushtetuese që kapërcen kufijtë e shqyrtimit të një çështjeje të veçantë, siç është ajo e deputetes Olta Xhaçka.

Do të mundohemi që, frazën e mësipërme ta zbërthejmë me qëllim që, deri në një farë mase të jetë e kuptueshme edhe për lexuesin e thjeshtë:

  1. Gjykata shprehet se mandati i lirë nuk mund të kuptohet si liri absolute. E rëndësishme është se gjykata pranon se element i rëndësishëm i pikës 1, të nenit 70, të Kushtetutës është e drejta e lirisë së votës. Është rasti t’i referohemi këtu nenit 38, të Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë ku thuhet se: “Deputetët e Bundestagut Gjerman janë përfaqësues të të gjithë popullit dhe nuk lidhen me mandate apo udhëzime detyruese dhe i nënshtrohen vetëm ndërgjegjes së tyre”.
  2. A mund të kufizohet liria e votimit kur Kushtetuta dhe ligjet e sanksionojnë këtë? Mendoj se jo. A është e lejueshme që deputetit t’i diktohet liria e votës? Mendoj se jo. A ka ndonjë nen të Kushtetutës që t’i diktojë deputetit mënyrën e votimit? Nuk ka. Cili nen i Kushtetutës detyron Kuvendin që edhe në rastet e votimit kundër mocionit t’ia dërgojë atë Gjykatës Kushtetuese? Nuk ka një nen të tillë. Nëse nuk ka një nen të tillë, ku bazohet interpretimi i gjykatës që shprehet se, Kuvendi në çdo rast, pavarësisht nga mënyra (rezultati) i votimit, duhet që mocionin t’ia dërgojë gjykatës?
  3. Gjykata është shprehur se mandati i lirë i nënshtrohet kufizimeve që rrjedhin nga parimi i supremacisë së Kushtetutës. Shprehja e mësipërme është sa e paqartë aq edhe kontradiktore. I papranueshëm është gjithashtu edhe vlerësimi tjetër se, liria e votës i “nënshtrohet kufizimeve që kushtëzohen nga zbatimi i detyrueshëm i vendimeve të gjykatës!”.

Rasti i çështjes “Xhaçka” ka krijuar një ngërç që mund të reflektohet si pengesë edhe në të ardhmen. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të pajtohej për të ndryshuar praktikën (precedentin e saj), megjithëse zgjidhja u takon kryesisht institucioneve përkatëse (Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese), mendoj se një variant i pranueshëm mund të ishte amendimi i pikës 4, të nenit 70, të Kushtetutës, në formulimin e mëposhtëm: “Për çdo shkelje të paragrafit 3, të nenit 70, të Kushtetutës, kur mocioni i Kryetarit të Kuvendit ose të një të dhjetës së anëtarëve të tij vlerësohet i bazuar, Kuvendi vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese e cila konstaton papajtueshmërinë”.

Do të sugjeroja, gjithashtu, që për këtë mund të ndihmonte edhe organizimi i ndonjë debati të mirëfilltë juridiko-kushtetues, konstruktiv dhe i paanshëm që do të respektonte mendimin ndryshe. Objekt i rëndësishëm i këtij debati, sigurisht, që do të duhej të ishte opinioni i Komisionit të Venecias lidhur me këtë çështje. Deklaratat kush “fitoi” dhe kush “humbi” nuk i shërbejnë askujt. Publikut jo dhe jo./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit