Me debat por pa zgjidhje tjetër, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë sot vendosi të kalojë në seancë plenare vendimin për mandatin e deputetit socialist, Vullnet Sinaj. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi që jo vetëm të dërgohet në Kuvend për votim por të miratohet dhe të çohet në Kushtetuese. Sipas Bardhit, konkluzionet e të dyja raporteve në Këshill për herë të parë janë të njëjta.
“Për të gjitha sa më lart kërkojmë që mocioni të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare sa më të parë dhe dërgimin menjëherë të çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj. Unë po flas për raportin e Këshillit që ndodh për herë të parë që ne biem në një mendje, edhe mazhoranca edhe opozita, që mocioni është kushtetues dhe përmbush të gjitha kriteret”, tha Gazment Bardhi.
“Në këto kushte shumica në këtë këshill rekomandon që t’i kalojë në seancë plenare për votim projektvendimi për dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë të mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, u shpreh Klotilda Bushka. PD e akuzon Sinajn se ka përfituar nëpërmjet nëntë kompanive të tij të ardhura nga buxheti i shtetit.