John Bolton, ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Donald Trump, ka sugjeruar se rikthimi i Trump në Presidencë mund të hapë mundësinë për një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Bolton e sheh këtë si një mundësi për Trump të marrë merita duke adresuar mosmarrëveshjet mes dy vendeve, veçanërisht për shkak të situatës gjeopolitike në Evropën Lindore dhe ndikimeve nga lufta në Ukrainë.
“Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë. Ky është një problem shumë kompleks, dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi për shkak të luftës në Ukrainë. Duke marrë parasysh një sërë faktorësh destabiliteti, përfshirë Moldavinë me Transnistrian, mosmarrëveshjet për tubacionet që vijnë nga Rusia dhe gazin natyror drejt disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, mendoj se do të ketë përqendrim në rajonin si tërësi. Kjo më sugjeron se ky është një moment i mirë për të zgjidhur sa më shumë mosmarrëveshje të vjetra. Prandaj, një interes nga ana e Trump nuk është i pamundur, ndoshta që në fillim të administratës së tij”, u shpreh Bolton.
Në lidhje me mundësinë e një ripërfshirjeje të Richard Grenell në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Bolton theksoi pasigurinë rreth rolit të tij në administratën e re të Trump.
“Këto janë pyetje shumë të rëndësishme, dhe thjesht nuk e dimë ende. Pozicioni i Grenell nuk ka ekzistuar më parë. Ai dëshironte të bëhej sekretar i shtetit gjatë administratës së dytë të Trump. Natyrisht, kjo nuk ndodhi. Marrëdhënia e Grenell me Marco Rubio, i cili do të jetë sekretar i shtetit, është shumë e paqartë. Në fakt, ka shumë pasiguri për rolet dhe përgjegjësitë në Departamentin e Shtetit në këtë moment. Marco Rubio u konfirmua nga Senati dhe u betua si sekretar i shtetit.
Mund të kemi disa qartësi së shpejti. Nëse mosmarrëveshja Kosovë-Serbi do të jetë një nga prioritetet e Grenell, është e vështirë të thuhet. Por, siç përmendët, ai kishte përgjegjësi në fund të mandatit të parë të Trump. Unë do të thosha se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë ose kudo tjetër, nëse palët e përfshira nuk bien seriozisht dakord. Edhe nëse Grenell do te jete përgjegjës për këtë çështje dhe favorizon Serbinë, është e rëndësishme të kuptohet se përpjekja për të imponuar një zgjidhje mbi Kosovën ose e kundërta, thjesht nuk do të funksionojë”, nënvizoi Bolton.