Gazetarja ukrainase Olga Priadko ka ndërruar jetë në Prishtinë, ku ishte zhvendosur bashkë me djalin e saj, Yaroslavin, për shkak të luftës në Ukrainë.
Priadko, 51 vjeç, ishte pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosova” dhe kishte jetuar në Prishtinë që nga viti 2023.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit shprehën ngushëllimet e tyre për humbjen e gazetares, ndërsa Kryeministri Albin Kurti e përkujtoi atë si një gazetare dhe nënë të përkushtuar.
“Na pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Priadko. Olha dhe i biri i saj, Yaroslav, gjetën strehim në Kosovë nga viti 2023, për t’i shpëtuar tragjedisë së luftës në Ukrainë. Ajo ishte gazetare profesioniste dhe nënë e përkushtuar, që mbarte me vete forcën dhe kurajën që vetëm ata që kalojnë vuajtje të tilla mund ta kuptojnë. Si pjesë e gazetarëve ukrainas të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kosovë përmes programit “Gazetarët në Rezidencë” (JiR), të mbështetur nga Qeveria, ajo ndërtoi një jetë të re këtu mes nesh. Në këtë ditë plot dhimbje, me mendje dhe zemër jemi pranë Yaroslavit të vogël, familjarëve e miqve të Olhës”, ka shkruar Kurti në Facebook.