Sekretari i shtetit amerikan do të ketë sfidën e dyfishtë të shpjegimit e avancimit të interesave amerikane në politikën e jashtme dhe të të kuptuarit se çfarë është ajo politikë e jashtme në sytë e presidentit. Kjo i ndodh çdo sekretari të shtetit, por këtij i ka rënë hise kjo pjesë e ndërlikuar e historisë dhe një president jokovencional në krye të vendit
1.
Konfirmimi i Marco Rubios si sekretar shteti në presidencën Trump 2.0 kishte një ndjenjë lehtësimi për skenën politike amerikane. Ishin 99 senatorë që ia dhanë votën, pa asnjë votë kundër dhe nëse një gjë e tillë nuk përsëritet për kandidatët e tjerë të propozuar për administratën e re amerikane është sepse Rubio është në një pozitë unikale që mund të jetë historike. Ai është pjesë e Partisë Republikane tradicionale , i emëruar nga një president krejtësisht jotradicional, në fund të një rendi botëror e pa filluar rendi i ri. Dhe, siç dëshmoi në seancën dëgjimore pesëorëshe të Komisionit të jashtëm të Senatit me një elokuencë dhe njohuri të detajuar për të gjitha çështjet që iu shtruan, është gjithsesi personi i kualifikuar për të udhëhequr diplomacinë amerikane në periudhën më të ndërlikuar të historisë botërore prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Në analizën e Rubios – dhe po e jap në formë të thjeshtësuar e të reduktuar – bota pas Luftës së Dytë Botërore ka jetuar në një rend botëror të ndërtuar e të garantuar nga SHBA-ja e që ka synuar zgjerimin e hapësirës së lirisë e të tregjeve të hapura. Ky rend botëror ka lejuar hyrjen e Kinës në të , “duke i shfrytëzuar benefitet por duke mos i marrë përgjegjësitë”. Ky rend botëror liberal me idenë e “fundit të historisë” (me idenë e Fukuyamës se të gjitha kombet do ta synojnë demokracinë) ishte një iluzion të cilit i erdhi fundi, thotë Rubio, dhe tashmë kemi hyrë në periudhën e rendit të ri.
Kështu i bie që Marco Rubio, në të kërkuar konfirmimin e Senatit, kërkonte pozitën e sekretarit të parë të shtetit që do të ndihmojë formësimin e rendit të ri botëror.
2.
Nga paraqitja e tij ekstensive po i marr vetëm tri parametra se si do të duhet të duken fillet e rendit të ri botëror. Parametri i parë është interesi i SHBA-së. Siç tha Rubio, politikë e jashtme amerikane do të jetë çdo gjë që i jep Amerikës më shumë siguri, fuqi dhe prosperitet. Ky parametër mund të arrihet me aleanca (ithtar i të cilave, posaçërisht NATO-s, është vetë Rubio) , gjegjësisht me ridefinimin e aleancave apo zgjerimin e tyre (për shembull, në Amerikë Latine apo në Azinë Juglindore e atë Lindore). Por, mund të interpretohet edhe si një kërcënim izolacionist: Amerika më nuk është përgjegjëse për rendin liberal botëror të tregjeve të hapura dhe ka në duar instrumente me të cilat mund të mbrojë interesat e veta strategjike ekonomike (tregun, prodhimin, çmimin e energjisë në botë, dominimin teknologjik etj.).
Parametri i parë është i lidhur ngushtë me parametrin e dytë: Kina. Gjatë seancës së tij të konfirmimit Rubio e përshkroi Kinën si “kundërshtarin më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm që ky komb ka përballuar ndonjëherë.” Ai theksoi se Partia Komuniste Kineze “ka gënjyer, mashtruar, hakuar dhe vjedhur për të arritur statusin e superfuqisë globale, në kurriz të Shteteve të Bashkuara.” Dhe, në fund shtoi se nëse gjërat shkojnë si deri më tash SHBA-ja do të varet nga Kina. Rrjedhimisht, pak a shumë si në periudhën e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik , definimi i politikës së jashtme amerikane që duhet të krijojë më shumë siguri, pasuri dhe prosperitet për Amerikën është në fakt definimi i rrugës se të ndërpritet kalkulimi i tanishëm kinez me të cilin Amerika është në një rënie të pandalshme dhe Kina është në një rritje të pandalshme.
Dhe, këto dy parametra do të testohen tek i treti, ndërprerja e luftës në Ukrainë, qoftë me një armëpushim të gjatë apo (me më pak gjasa) një marrëveshje ndërprerjesh luftimi dhe procesi politik të gjetjes së zgjidhjes. Ky do të jetë testi i parë në marrëdhëniet SHBA-Evropë, duke pasur parasysh edhe kontekstin më të gjerë, atë të konfrontimit mes SHBA-së dhe Kinës. Rubio në seancën e tij të konfirmimit shprehu pozicionin amerikan me të cilin Ukraina duhet të pranojë se nuk do të rifitojë me luftë territoret e pushtuara nga Rusia e Rusia nuk mund ta detyrojë me luftë pjesën e mbetur të Ukrainës së pavarur që t’i nënshtrohet vullnetit të saj. Testi do të jetë se sa arrijnë SHBA-ja dhe Evropa të përbashkojnë pozicionet dhe sa arrijnë të përbashkuara të negociojnë me Rusinë. Për Putinin dhe për një pjesë të madhe të botës, ky do të jetë fillimi i rendit të ri botëror; një rend botëror ku nuk ekziston më fuqia udhëheqëse e vetme amerikane, por paradoksalisht duhet të konfirmohet me forcën prijëse amerikane në koalicionin euroatlantik.
3.
Ka edhe më shumë në elaborimin e Rubios – nuk ka pikë të nxehtë politike a pikë të largët në glob për të cilën Rubio nuk ka një mendim të elaboruar si pjesë të politikës së jashtme (tradicionale dhe në masë të madhe bipartizane apo edhe vetëm republikane). Por, Rubio qe i vetëdijshëm që është shef i diplomacisë drejtimin e së cilës e jep presidenti i vendit , Donald Trump.
Dhe një gjë e tillë paraqet sfidë për sekretarin e parë të rendit të ri botëror ngase ai duhet njëkohësisht të formulojë dy diplomaci. Njëra është e jashtme – mënyra se si Amerika definon interesin e vet në rrethana të reja e të ndërlikuara gjeopolitike. Tjetra është ajo e brendshme – mënyra se si sekretari i Shtetit, në krye të një aparati të madh diplomatik në botë, kupton dhe transmeton atë që presidenti i vendit e definon si interes të Shteteve të Bashkuara në botë.
Sfida e dytë është e vështirë në cilindo rast, por në këtë rastin e presidentit Trump është shumëfish më e vështirë për shkak të stilit jokonvencional të tij. Kur presidenti Trump thotë se SHBA-ja do t’i ketë Grenlandën apo Kanalin e Panamasë, kjo nuk është gjë shumë e lehtë për t’u promovuar nga ambasadori amerikan në Danimarkë apo ai në Panama, apo në takimet e sekretarit të shtetit në OKB. Por, prapa këtyre deklarimeve bombastike fshihen arsye të thella gjeopolitike të cilat duhet të shpjegohen e arsyetohen nga State Departmenti dhe shefi i saj. Në rastin e Grenlandës është gara për Arktikun jo vetëm për shkak të pasurive nëntokësore, por edhe për faktin se me ngrohjen globale ajo pjesë e rruzullit së shpejti mund të krijojë vija lundruese për tregti botërore. Në rastin e Kanalit të Panamasë është frika se investimet kineze aty (dhe në pjesë të tjera të Amerikës Latine, përfshirë portet e Paqësorit) përbëjnë rrezik për SHBA-në, një lloj si dikur revolucionet e financuara sovjetike, nga Kuba në Bolivi.
4.
Përderisa i shkruaj këta rreshta, Marco Rubio tashmë ka filluar zyrtarisht ditën e parë të detyrës. Do të përballet me njërën prej detyrave më të vështira në kohët më të ndërlikuara. Në mesin e të gjitha sfidave, ndër më kryesoret është që fjalët e tij të jenë pjesë e një tradite atlanticiste, ruajtëse dhe ndërtuese të aleancave të civilizimit perëndimor. Në një situatë që në kushte të tjera do të dukej paradoksale, sfida e Marco Rubios do të jetë të dëshmojë politikën e jashtme të një republikani tradicional amerikan, të atyre që prej Eisenhowerit e deri te Reagani dhe George Bushi, fituan Luftën e Ftohtë; ta bëjë këtë në fillim të luftës së re të ftohtë.. KOHA