Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një takim me deleguarit në Tiranë, e vlerësoi rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si një mrekulli për të gjithë botën, duke theksuar se në dy ditët e para të mandatit të tij, presidenti amerikan ka realizuar ndryshime të mëdha.
Berisha shtoi se Shqipëria është një nga vendet që përfiton më shumë nga dekrete të Trump, sidomos ato që ndalojnë përhapjen e agjendave të përçudnuara që ai e ka kundërshtuar, përfshirë ato të frymëzuara nga George Soros.
“Ndryshime të mëdha, të jashtëzakonshme kanë ndodhur këto ditë në timonin e Shtëpisë së Bardhë me inaugurimin e presidentit Donald Trump, në rikthimin më të fuqishëm dhe më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit me votën e lirë.
E kam theksuar dhe e theksoj se nuk ishte një mrekulli vetëm për kombin amerikan, por kjo ishte një mrekulli për të gjitha kombet dhe njerëzit e lirë në mbarë botën.
Në dy ditë veprimtarie intensive në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump, siç do shprehej një kundërshtar i tij, ka bërë sa në një mandat.
Ai premtoi në mënyrë të përsëritur kombit amerikan një transformim të SHBA, çka nënkupton dhe një transformim të të gjithë asaj që fuqia amerikane projekton në mbarë botën.
Ky transformim në dy ditë çmontoi në mënyrë themelore të gjithë doktrinën, praktikën e agresionit të frymëzuar nga ekstremi i majtë marksist-leninist dhe post-marksist sorosian ndaj familjes.
Presidenti Donald Trump bëri të qartë se cila është familja për SHBA, ajo që ka qenë nga Adami dhe Eva dhe gjer para këtij agresioni që u ndërmor vitet e fundit ndaj familjes me numerotimin e prindërve me numër 1 dhe 2 dhe me idenë e krijimit të fermave të femrat për qëllimet më të mbrapshta njerëore.
Në këto dekrete të një rëndësie historike merr fund agresioni post-marksist ndaj gjinisë.
Karl Marksi kishte parashikuar Njeriun e Ri, njeriun me tru të shpëlarë nga ideologjia marksiste, por nuk kishte parashikuar ndryshimin e gjinisë.
Presidenti dekretoi se sot e tutje në SHBA, gjinitë do jenë vetëm ato që ka falur Zoti. Burrë dhe grua apo mashkull dhe femër.
Këto qëndrime janë të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për SHBA. Por u garantoj se pas SHBA, kopshti eksperimental i doktrinës kriminale të Xhorxh Sorosit më shumë se çdo vend tjetër ishte Shqipëria.
Pra, për ne këto dekrete marrin një rëndësi shumë të madhe sepse nuk do mund të përdoren më kurrë as fuqia dhe as paratë e taksapaguesve amerikanë për të promovuar agjenda të përçudnuara si këto që ai i ndaloi në SHBA.
Pra, në rast se ne kemi parasysh se u bëmë kopshti eksperimental i sorosizmit, nuk ka një vend të dytë që përfiton më shumë nga këto dekrete se sa Shqipëria”, tha Berisha.