Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga dy vite burg dy të pandehurit Kristi Zyka dhe Florian Disha, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Të dy ata akuzoheshin për korrupsion në bashkëpunim, dhe pas gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre u ul me një të tretën e sanksionit të parashikuar.
Për Kristi Zykën dhe Florian Dishën, dënimi përfundimtar është dy vite burg dhe ata do të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Po ashtu, të dyve u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej pesë vitesh.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që shpenzimet procedurale të mbulohen nga të pandehurit. Ky vendim mund të apelohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.