Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj ka dalë kundër urdhrit të Sali Berishës, që kryetarët e degëve duhet të hapin dorëheqjen nëse duan të garojnë për “Primaret” në garën për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 Majit. Leskaj rendit arsyet në një postim në Facebook se përse është kundër këtij vendimi.
“Roli i institucionit të Kryetarëve të Degëve, ka qenë jetik në të gjitha zhvillimet që ka pasur Partia Demokratike këto vite, veçanërisht në vitet e Rithemelimit, për mbajtjen konstante të frymës së saj në bazë, duke mbajtur lidhjet jo vetëm me anëtarësine e bazën e Partisë Demokratike, por mbarëvajtur të gjitha format e organizimit të aktivitetit politik të saj.
Kryesia e Partisë Demokratike nuk duhet të harrojë se Kryetarët e Degëve ishin nga të parët që u afruan në procesin e rithemelimit dhe qëndruan konseguent gjatë këtyre viteve.
Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, sëbashku me Kryetarin e PDSh-së Prof.Dr.Sali Berisha, janë institucionet e vetme brenda Partisë Demokratike të dalë nga vota e demokratëve me parimin “një anëtar, një votë”, sikurse dhe Sekretari i Përgjithshëm z.Flamur Noka, i votuar (me votim të fshehtë e garë)nga Këshilli Kombëtar.
Kujtoj, se në Qarkun e Vlorës, kemi dhe Kryetar Degësh të votëbesuar dy herë, në harkun kohor të tre viteve,në Degën e PD Selenicë dhe Sarandë.
Në këndvështrim tim Kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike nuk kanë pse të dorëhiqen nga pozicioni, të cilën e kanë fituar e mbajtur me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, si votëbesim e proces i mirëfilltë primaresh.
Çdo ndryshim i këtij parimi do të përbënte një shkelje të frymës demokratike që Partia Demokratike përfaqëson.
Kryetarët dhe sekretarët e degëve, janë individë, të cilët kanë mbartur aktivitetet partiake në degët e qyteteve të tyre, duke qenë valenca politike më e lartë e frymës së Partisë Demokratike në qytetet përkatëse.
Primaret, sëpari duhet të fillojnë nga votëbesimi ndaj Drejtuesve Politikë në Qarqe ose në të kundërt çdo Drejtues Politik,po nuk ju nënshtruan Primareve, të vendosen në listën e hapur.
Në gjykimin tim, Kryetarët e Sekretarët e Degëve, qofshin aspirantë apo jo për deputetë të ardhshëm duhet të kualifikohen të votëbesuar, për t’u nominuar në përzgjedhjen e kandidatëve, në ndërtimin e listës përfundimtare.
Lista përfundimtare natyrisht duhet/do të vendoset nga Kryetari i Partisë Demokratike dhe çdo kandidat duhet të pranojë paraprakisht një kod etiko-politik në respektimin pa kushte shtesë të çdo pozicioni të dalë nga ky vendim.
Sot për Partinë Demokratike është i nevojshëm sinergjizimi i strukturave, duke nisur nga Kryetari Prof.dr.Sali Berisha,Kryesia e partisë,drejtuesit politikë të qarqeve,kryetarët e degëve,kryesitë e tyre, çdo kryetar e sekretar grupseksioni e seksioni, anëtarët e demokratët e pandarë, si strategji e fitores, e cila funksionon në harmoni.
Nëse njëra nga këto hallka shkëputet, shkakton konfuzion, dobësi, destabilizim dhe çdo shpërqendrim nga këto prioritete e çdo gabim në primare do të ishte shumë e dëshiruar nga/për kundërshtarët tanë politikë, të cilët do të përfitonin të thellonin diversionin e tyre ndaj Partisë Demokratike.
Sot nuk na falet asnjë gabim” shkruan Leskaj.