Të nderuar miq, më lejoni në fillimisht që t’i bashkohem dhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe u përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë.
Fort i nderuar, kryegjyshi botëror i bektashinjve, të nderuar klerikë të pranishëm, për mua është një privilegj që të marr fjalën në këtë përvjetor jubilar të krijimit të qendrës botërore të bektashinjve në Shqipëri dhe të përcjell qoftë shprehjen e admirimit për rolin e bektashinjve shqiptarë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përpjekjen shqiptare për pavarësi, qoftë edhe shprehjen e solidaritetit për vështirësitë gjithnjë e më të mëdha unikale në llojin e tyre, me të cilat përballen në ditët tona ata që sot e gjithë ditën mbajnë ndezur flakën e këtij besimi.
E mora këtu me vete sot këtë libër posaçërisht voluminoz të një studiuesi të mirënjohur, i huaj por i dashuruar me Shqipërinë dhe me shqiptarët, Robert Elsie i cili edhe varrin kërkoi ta kishte në Shqipëri dhe u sugjeroj t’i hedhin një sy të gjithë ata që do të duan të shprehen për idenë e dhënies së një statusi sovraniteti selisë së Kryegjyshatës botërore të bektashinjve, sepse këtu në këtë përmbledhje shumë të detajuar të kësaj historie shqiptare, do të gjejnë të gjitha arsyet e shëndetshme për pse-në e kësaj ideje dhe çdo shqiptar, pavarësisht në beson në Zot apo nuk beson në Zot, pavarësisht nëse është mysliman, i krishterë apo bektashi po e po. Nëse është sadopak patriot, do ta ketë të pamundur të mos mallëngjehet nga historia e jashtëzakonshme e përpjekjeve, dhembjeve, sakrificave për mëmëdheun që e bëjnë bektashizmin një pasuri të paçmueshme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore.
Bektashizmi është një monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet medoemos nga shteti dhe nga populli shqiptar dhe këto mund t’i them pa gajlen më të vogël sepse në këtë rast shyqyr Zotit nuk jam bektashi dhe nuk mund të më akuzojë njeri që po bëj diçka në favor të një pale. Bektashinjtë nuk janë palë. Rruga e mundimshme e bektashinjve shqiptarë është një rrugë unikale, mistike, tolerance dhe uniteti e cila mishërohet në fjalët e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri. “Nuk vetëm në mes tyre po edhe me gjithë njerëzinë, bektashinjtë janë vëllezër në shpirt, duan si shpirtin e tyre dhe të tjerët myslimanë e të krishterë dhe shkojnë mirë e bukur me të gjithë njerëzinë, po më shumë duan mëmëdhenë dhe mëmëdhetarët që kjo është më e mira nga të gjitha të mirat’’.
Dhe për Naimin bektashizmi është një vlerë e posaçme kombëtare se nuk sheh dallim midis myslimanit dhe të krishterit, sepse të gjithë janë një në sytë e Zotit. Bektashizmi është një traditë shpirtërore që e ka ndikuar thellë pëlhurën kulturore, fetare dhe shoqërore të Ballkanit, të Anadollit po e po, por edhe më gjerë, por mbi të gjitha ai ka ndikuar pa zëvendësueshmërisht në mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, në mësimin e gjuhës shqipe dhe në themelet e rezistencës për pavarësi kombëtare të shqiptarëve, natyrisht jo në mënyrë ekskluzive por krah për krah me komunitetin mysliman dhe krah për krah edhe me përfaqësues legjendarë të komunitetit ortodoks apo të atij katolik.
Me rrënjët në tokën shumë pjellore të misticizmit islam bektashizmi nuk është thjeshtë një komunitet, një sekt fetar por është një dritë udhëzuese që shkon përtej kufijve të besimit duke ofruar një mesazh të pa epur dashurie, dhembshurie dhe largpamësie dhe çka e bën unikal në llojin e vet është se brenda këtij mesazhi në mënyrë të pa ekuivok tek largpamësia bektashizmi ka dhe atdhedashurinë.
Frymën e parë bektashianët e morën në shekullin e XIII, shumë larg Shqipërisë përmes themeluesit të tyre Haxhi Bektash Veliut, një mistik dhe një filozof mësimet e së cilit nënvizonin përmasat e brendshme të besimit. Por ama sot e gjithë ditën qasja e bektashizmit ndaj hyjnores dhe humanes mbetet një çelës i sigurt komunikimi me krijuesin dhe me veten, përmes një porte që është e gjerë dhe siç ishin teqetë qysh në krye të herës, është e hapur për të gjithë, bektashinj ose jo. Besimtar, ose jo. Ku zemra vlen mbi dogmën, shpirti vlen mbi ritualet dhe uniteti vlen mbi ndarjen.
Bektashizmi nuk erdhi në Shqipëri me ushtarë. Nuk erdhi të futet mes shqiptarëve me forcën e shpatës. Bektashizmi erdhi me zemër, me dashuri, me një mesazh që është rrëqethës për nga thjeshtësia e vet. Zoti nuk është në xhami, Zoti nuk është në kishë, Zoti nuk është në teqe, Zoti është në zemër. Kështu në shekullin XV e XVI bektashinjtë u vendosën dhe në trojet tona duke na sjellë jo vetëm një besim të ri në këto anë, por një mënyre të re jetese dhe në këtë libër është e jashtëzakonshme të shohësh sesi teqet ishin si shtëpi të hapura për të gjithë, ku mysliman, krishterë, apo ata që nuk besonin në asgjë takoheshin dhe ishin të gjithë barabartësisht të mirëpritur dhe ku për vet bektashinjtë nuk kishte asnjë trajtim të veçantë, ndryshe nga të tjerët.
Dhe pastaj kur nisi të agojë drita e rilindjes sonë kombëtare teqetë u bënë shkollat shqipe. Nëse sot ne flasim shqip dhe nëse sot alfabeti ynë është latin, nuk është grek, nuk është skllav, por është latin, kjo i detyrohet ndër të tjera dhe të tjerëve në mënyrë shumë të posaçme teqeve ku baballarët krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së alfabetit dhe të mësimit të shkrimit dhe të këndimit në gjuhën shqipe dhe ku u farkëtua një pjesë e mirë e shpirtit tonë kombëtar i cili u bë pastaj bartësi i idesë dhe i forcës për shpalljen e pavarësisë.
Dhe mos e harrojmë dhe të mos e harrojë askush kur flasin pa ditur se çfarë flasin që Shqipëria është jo vetëm i vetmi vend në botë ku bektashinjtë njihen zyrtarisht falë përpjekjeve të kohëve të fundit të Baba Mondit, ka njohje në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ndër shqiptarët, por Shqipëria është vendi i përcaktuar prej tyre dhe e përsëris kush flet duhet t’i marrë disa informacione nga historia. Ka një arsye në histori pse ata erdhën këtu dhe ka një arsye në histori pse këtu u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe do ishte zhdukur dhe ky nuk është thjeshtë një fakt historik, ky mund të jetë një fakt historik për autorin e librit. Ky mund të jetë një fakt historik për gjithë ata që merren me fetë dhe fenë në gjithë botën. Për shqiptarët ky është një testament kombëtar. Është testamenti i një fuqie që nuk vjen nga ndarjet për shkak se ne jemi të ndryshëm, por vjen nga uniteti i të ndryshmëve për shkak se ne jemi njëlloj, shqiptarë.
Roberti Elsie në këtë libër të jashtëzakonshëm e përshkruan bektashizmin si thesar shpirtëror të shqiptarëve dhe ashtu është. Është një thesar shpirtëror jo vetëm për bektashinjtë, është një thesar shpirtëror edhe për myslimanët, edhe për katolikët, edhe për ortodoksët, edhe për protestantët, edhe për çdokënd tjetër pavarësisht se s’beson fare në Zot por që i thotë vetes shqiptar.
Të gjithë të tjerët janë me shumë vëllezër dhe me shumë motra nga një cep i globit në një cep tjetër. Bektashinjtë janë vetëm dhe nëse erdhën këtu 95 vjet më parë si jetimë të një perandorie që iu tregoi derë, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët t’i tregojnë rrugën sepse do të ishte vrasja me duart tona, të të gjithëve ne të një vlere shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet t’i përcillet brezave jo vetëm në emër të një komuniteti fetar e përsëris, por ne emër të një historie shqiptare dhe Robert Elsie thotë: bektashizmi është një fenomen unik që i kanë ndihmuar shqiptarët të ruajnë identitetin e tyre në një botë të ndarë dhe kjo është mëse e vërtetë. Dhe të shumtë janë studiuesit dhe në mënyrë të përmbledhur mendimet e tyre janë këtu, që theksojnë që roli i bektashizmit është roli i gardianit të kulturës dhe gjuhës sonë në histori.
Ndërsa Ismail Kadare e ka qarë. Ismail Kadare nuk ishte një besimtar bektashi. Bektashizmi, shkruan ai, ka qenë ura mes tokës dhe qiellit për shqiptarët. Ai ka qenë vendi ku identiteti ynë kombëtar ka mbijetuar përmes filozofisë së dashurisë dhe të bashkimit. Këto dhe miliona fjalë të tjera të mbledhura me respekt dhe dashuri të madhe për bektashinjtë shqiptar nga Robert Elsie nuk janë poezi, nuk janë letërsi, nuk janë as thjeshtë histori, janë thirrje. Janë thirrje për ta shpëtuar këtë thesar të gjallë që kërcënohet nga zhdukja.
Ne sot jemi këtu në 95- vjetorin e Kryegjyshatës Botërore. Numërojini baballarët e teqeve sesa janë. Pse janë kaq pak? Dhe pyetja nuk është pse janë kaq pak sot, pyetja është me çfarë verbërie, me çfarë pashpirtësie ne do të qëndrojmë duarkryq dëshmitarë këtu në 10 vjetorin të jenë më pak, në 105 vjetorin të kenë mbetur fare pak dhe në 110 vjetorin të jenë histori e së shkuarës dhe ai Odeoni atje të kthehet në një muze të një komuniteti që “Na ishte seç na ishte, kur ishte por nuk është më”. Mund t’ia lejojmë ne vetes këtë?
Prandaj kjo është thirrje, gjithë kjo histori flas jo fjala ime, thirrje për të mos ta lënë bektashizmin të shkrihet dhe të shuhet sepse e përsëris, nuk shkrihet dhe nuk shuhet kurrë komuniteti musliman; është shumë i fortë, është shumë i madh dhe është pjesë e një bashkësie 1,5miliardë në mos gabohem. Pra, mjafton të shohësh kush dhe si i ndërton xhamitë, mjafton të shohësh këtë.
Komunitete të tjera bujare nga gjithë kjo botë muslimane, donatorë zemërgjerë etj. Nuk ka nevojë komuniteti musliman të mendojë se nesër mund të jetë inekzistent. Natyrisht ka plot sfida. Nuk shuhet kurrë komuniteti katolik, as ai ortodoks ndërkohë që ky komunitet është në rrugën e shuarjes miqtë e mi, nuk është parashikim, kjo është diçka që po ndodh para syve tanë.
Prandaj, historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, se çfarë nuk dëgjon njeriu nga shqipet dhe shqipot kur i shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të bëjnë ndonjë punë që të tjerët nuk e kanë bërë. Jo.
Shqipëria është shtet unitar, do të thotë nuk është shtet federal. Edhe Italia është shtet unitar, nuk është shtet federal por i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla. Ashtu sikundër, komunitetet e tjera fetare jo vetëm nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë sepse ky nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti fetar në vetvete. Ky është trajtimi i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe po të mos ta kishin, ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë. Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë, dritë të vëmendjes dhe të respektit si shembull i asaj harmonie aq shumë të bekuar dhe aq shumë të kërkuar sot në mbarë botën të cilën Papa Francesku, kur erdhi këtu dhe e pa me sytë e tij, e pagëzoi si shembullin e një vëllazërie fetare për mbarë botën.
E pra, nëse ne jemi një shembull i një vëllazërie fetare për mbarë botën, a ka gjë më të mirëseardhur për të gjitha komunitetet fetare sesa bektashinjtë të kenë këtë emblemë që do të thithë këtu shumë më tepër njerëz nga mbarë bota dhe kur të vijnë do shohin sesi jetojnë së bashku në harmoni kishat dhe xhamitë.
“Mos shiko fenë e tjetrit, shiko zemrën e tij” na këshillon profeti Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të dhe në këto fjalë të një thjeshtësie madhështore qëndron thelbi, është thelbi i kësaj dite këtu, është thelbi i gjithë atyre që dolën këtu dhe folën që i shtyu këtu të flasin dhe pavarësisht se të gjitha këto fjalë që ne flasim këtu si të ftuar janë fjalë protokollare sipas pozicioneve nuk është aspak e vështirë që të ndjesh në tonin e të gjithë klerikëve të tjerë një respekt të veçantë. Pse?
Nuk është respekti i klerikut ndaj klerikut por është respekti i shqiptarëve ndaj shqiptarëve, për shqiptarët. Nuk kemi çfarë të diskutojmë fare sepse të gjithë klerikët e tjerë, e thashë, përfaqësues legjendarë të komuniteteve të tjera në të gjitha përpjekjet për gjuhën shqipe, për pavarësinë e Shqipërisë e me radhë ishin atje si shqiptarë ndërsa bektashinjtë edhe si bektashinj.
Duke sjellë fjalët e profetit, paqja e Zotit qoftë mbi të unë besoj se pikërisht “Mos shiko fenë e tjetrit, shiko zemrën e tij” është dhe deviza me të cilën Shqiptaria dhe Shqipëria duhet ta mbrojnë dhe ta forcojnë vetveten në kushtet e një bote ku dalja mendsh po bëhet sëmundje kronike në grup e këtij shekulli.
Luajnë mendsh grupe, luajnë mend tufa njerëzish, luajnë mendsh shtete por ne nuk kemi luksin të luajmë mendsh se jemi dhe shumë pak dhe ashtu si dikur, në agimin e rilindjes kombëtare, teqetë nuk ishin, e thashë, entitete ekskluzive të një komuniteti fetar por ishin qendërza lokale të dialogut, të harmonisë, të vëllazërisë mes atyre shqiptarëve që gjendeshin rreth e rrotull atje pavarësisht besimeve, ashtu Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mund të transformohet në një realitet shqiptar ndërkombëtarisht tërheqës ku njerëzit e çdo feje dhe kombësie, ndër plot nga ata që vijnë dhe do vijnë gjithmonë e më shumë në Shqipëri të mund të hyjnë në portën e hapur të një shteti simbolik, pa mure, pa polici, pa ushtri, pa taksa apo atribute të tjera por një seli, një shtet shpirtëror që e pret çdo vizitor me devizën “Ne nuk jemi këtu për të ndarë, ne jemi këtu për të bashkuar” dhe natyrisht, kjo patjetër që do t’i japë edhe këtij komuniteti mundësinë të mbijetojë sepse patjetër që do t’i shtohen ndjekësit, patjetër që do t’i shtohen simpatizantët, patjetër do të gjendjen njerëzit, grupet, entet që nuk do t’i lënë pa pasardhës këta baballarë këtu, nuk do t’i lënë pa frymë bektashizmi teqetë, nuk do t’i lënë zona të tëra të Shqipërisë të shikoni hartën këtu sesi kanë qenë të shpërndara dhe sesi janë sakatuar nga lloj lloj duarsh dhe jo vetëm nga komunistët që të jemi të qartë dhe jo vetëm nga brenda por dhe nga jashtë. Është një borxh që ne mund ta njohim dhe duhet ta njohim them unë si shqiptar ose mund ta injorojmë dhe po si shqipo t’i bëjmë vetes dhe një të keqe tjetër dhe të regjistrohemi në listën e shqipove që i kanë bërë shumë të këqija këtij vendi. Unë për veten mund të mos jem i zoti të bëj të gjithë ato të mira që duan shqiptarët por emrin tim në listën e atyre që i kanë bërë keq këtij vendi, nuk e fus.
Zoti nuk të pyet çfarë je, Zoti të pyet kush je. Dhe këto janë fjalët e kryegjyshit të admirueshëm Baba Reshatit, i ndrittë shpirti aty ku është.
Unë kam pasur privilegjin ta njoh personalisht. Një njeri i madh sa thjeshtësia e tij. Dhe mund ta them këtu sot se nuk më ka rënë ndonjëherë rasti të shprehem për të, Baba Reshati nuk ishte thjeshtë një udhëheqës fetar. Unë kam pasur biseda me të. I mbaj mend si sot. Ai ishte mëshirim i humanizmit të bektashizmit, një kryegjysh që jo vetëm fliste për dogmën e bektashizmit me bektashinj jo me mua, apo për fatet e Shqipërisë me të tjerë si puna ime por ato që fliste ai i jetonte dhe ai e jetoi bektashizmin bashke me fatet e Atdheut si të ishin shpirti dhe trupi u tij.
Prandaj të dashur miq do të ishte komplet e pakuptimtë këtu sot që të mos i premtonim njeri tjetrin shpëtimin, mbrojtjen dhe promovimin të gjithë bashkë të kësaj trashëgimie të vyer kulturore kombëtare.
Askush që flet shqip dhe që është shqiptar prej vërteti se ka dhe ca që flasin shqip dhe janë shqiptarë që Allahu na ruajttë ne prej tyre dhe Allahu i bëftë derman mendjes së tyre, po shyqyr lavdi Allahut dhe Zotit janë pak shumë. Askush s’ka pse i trembet idesë e kësaj embleme, të këtij statusi të posaçëm të selisë të kryegjyshatës botërore, përkundrazi gjithkush duhet ta shohë si detyrim, si detyrim për të mos e lënë të vdesë por për t’ia garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e bektashinjve të shkruar nga Naim Frashëri dora vet. Të shkruar si një amanet për çdo patriot shqiptar dhe si një udhërrëfyes kuptimplotë për këdo që do të kuptojë pa u munduar fare dhe në këtë rast këtë ua sugjeroj analistëve që përgjithësisht nuk duan të mundohen për të kuptuar dhe ngaqë nuk kuptojnë pa u munduar, flasin pastaj shumëçka që është për t’iu ridrejtuar Allahut me lutjen që të bëjë derman edhe për mendjen e tyre.
Fletoren e bektashinjve, lexohet shpejtë dhe ti thotë të gjitha ato që ke nevojë për të mos u ngatërruar dhe për të mos i vënë shkopinj në rrota një karvani të cilit i ka ardhur koha të ndalet dhe të hapë këtë portë të shpëtimit dhe të prosperitetit krahë për krahë me komunitetet e tjera për komunitetin bektashinj.
Siç thoshte Hashi Bektash Veliu: Rruga jonë është rruga e dashurisë. Në këtë rrugë nuk ka ndarje sepse Zoti është një dhe zemrat tona janë tempulli i tij.
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën jubilare të 95 vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.