-sidi education-spot_img
2.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

David Phillips: Kushtet për dialogun Kosovë-Serbi

Kryesoret

Me kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, negociatat midis Kosovës dhe Serbisë do të rinovohen. Trumpi do t’i rikthehet idesë kontroverse të shkëmbimeve territoriale. Kjo është ide e keqe që më herët ishte refuzuar nga shoqëria kosovare. Shkëmbimi i territorit do të nxiste konflikt në rajon. Kjo do ta largonte vëmendjen nga njohja e Kosovës prej Serbisë, njohjes euroatlantike për të dyja shtetet dhe normalizimit të marrëdhënieve të tyre bilaterale.

Administrata Biden neglizhoi raportet SHBA-Kosovë, duke përkeqësuar ngërçin aktual. Përpjekjet e saj me gjysmë zemre dështuan t’i çojnë përpara negociatat. Beogradi ka pritur që Trumpi të rimarrë pushtetin, ashtu që të rinovohet propozimi për shkëmbim territoresh.

Administrata e Trumpit nuk është një vëzhgues i paanshëm. Në maj, “Affinity Partners”, kompani investimi e udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, u zotua për investimin në vlerë 500 milionë euro për banesa luksoze në Beograd. “Affinity” mori pronën me qira preferenciale 99-vjeçare si këmbim. Kushneri ofroi ndërtimin e një memoriali për viktimat e fushatës së bombardimeve të NATO-s në vendin e qendrës së inteligjencës ushtarake në Beograd. 22 për qind e fitimeve të “Affinityt” do të shkojnë në Serbi.

Rick Grenell, ish-përfaqësues i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, i është bashkuar Administratës Trump si emisar për Misione të Posaçme. Ai është shumë proserb dhe partner në projekt. Gjatë fushatës presidenciale amerikane, ai vizitoi komunitetin serbo-amerikan në Wisconsin dhe mblodhi fonde për Trumpin. Aleksandar Vuçiqi e dekoroi Grenellin duke i dhënë Urdhrin e Flamurit Serb. Grenelli propozoi anulimin e Gjykatës së Krimeve të Luftës në Hagë, ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po mbahet nën dyshimin për krime të kryera gjatë luftës.

Trumpi dihet se është shumë transaksional. Qasja e tij shpjegohet në autobiografinë e tij “The Art of the Deal”. Trumpi beson në “Fitimin e shumës zero”, teori ekonomike me dy subjekte konkurruese, ku rezultati është avantazh për njërën palë dhe humbje ekuivalente për tjetrën.

Nëse aplikohet në dialogun Kosovë-Serbi, Serbia do të fitonte territoret në veri të lumit Ibër dhe kontroll komercial të minierave të Trepçës. Kosova do të ishte shtet i cunguar me njohje ndërkombëtare, por i kufizuar si shtet funksional.

Ne fuqishëm kundërshtojmë konceptin e koncesioneve territoriale. Fatkeqësisht, transaksioni ishte negociuar nga Thaçi kur ai ishte president dhe ishte autorizuar nga Parlamenti i Kosovës. Është një zotim në të cilin administrata e Trumpit do të insistojë.

Pika tjetër penguese është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. ekzistojnë shtatë komuna të përziera etnikisht në Kosovë, me popullsi shumicë serbe. Albin Kurti e refuzon si një hap drejt ndarjes. Ai e krahason me Republikën Sërpska, që ndau funksionalisht Bosnjën.

Nëse Kosova e pranon Asociacionin, duhet të ketë kushte. Përkatësisht, nuk ka kompetenca ekzekutive për komunat e Asociacionit dhe aranzhime paralele për komunat me shumicë shqiptare në Serbi.

Sipas censusit të 2022-s në Serbi, janë 61, 687 shqiptarë në Serbi. Shumica dërrmuese jetojnë në pjesën jugore të shtetit, në Luginën e Preshevës. Çfarëdo aranzhimi për vetëqeverisje që jepet për serbët në Kosovë, duhet të jetë në përputhje me kërkesat kushtetuese të Kosovës për qeverisje lokale. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për komunat në Serbi.

Reciprociteti do të përmirësonte të drejtat e njeriut pa i rivizatuar kufijtë. Do të kërkonte lëshime nga të dyja shtetet. OSBE-ja mund të vendosë monitorues për të siguruar që respektohen të drejtat e pakicave.

SHBA-ja duhet të ketë pozicion të barabartë. Washingtoni duhet të caktojë një të dërguar të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, në të njëjtin nivel me ndërmjetësuesin e BE-së. Kurti nuk është pritur mirë në vizitën e tij të fundit në SHBA. Nëse ai negocion marrëveshje që i plotëson kërkesat e Kosovës, Kurti duhet të vlerësohet për arritjen e tij diplomatike.

Kosova është në pozicion të fortë për t’i vazhduar negociatat. Që nga pavarësia e Kosovës më 2008, 22 prej 27 shtete anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Pos kësaj, 104 nga 193 shtetet anëtare të OBK-së e kanë njohur Kosovën.

BE-ja duhet të përsërisë zotimin ndaj Kapitullit 35, që kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme.

Kosova do të ketë nevojë për garanci nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së, se mund t’i bashkohet organizmit botëror. Rusia dhe Kina duhet të zotohen për mbështetje, jo vetëm Serbia. Kosova gjithashtu do të bëhej anëtare e NATO-s duke konsoliduar kështu integrimin e saj në institucionet euroatlantike.

Pos kësaj, Interpoli duhet të angazhohet në hetimin e sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Banjskë. Serbisë duhet t’i kërkohet t’i dorëzojë personat përgjegjës.

Trumpi ka mundësi për të afirmuar udhëheqjen e SHBA-së në Ballkan, duke hedhur poshtë gabimet e të kaluarës dhe duke mbrojtur zgjidhjet e rrënjosura në integritetin kushtetues. Trumpi duhet të këshillohet mirë që të avokojë për një strategji të re afatgjate që kërkon njohjen e Serbisë për pavarësinë e Kosovës, që nxit bashkëjetesën e cila siguron drejtësi, respekt të ndërsjellë dhe paqe të qëndrueshme.

Sigurisht, Kosova nuk është e detyruar të bëjë marrëveshje. Negociatat duhet të fillojnë me të kuptuarit se ndryshimi i kufijve është jashtë tryezës. Nëse Trumpi e shtyn Kosovën të lëshojë territore, kjo do të kishte pasoja të mëdha që do të ndikonin në stabilitetin e Bosnjës, Maqedonisë dhe Greqisë.

Kosova mund t’i arrijë qëllimet e veta pa hequr dorë nga territori, duke lejuar decentralizimin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Diplomacia ka të bëjë me një zgjidhje “win-win” që avancon interesat e përbashkëta, përfshirë interesat e SHBA-së dhe të BE-së.

David L. Phillips është profesor i asociuar në Programin e Studimeve të Sigurisë të Universitetit Georgetown

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit