-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Do zëvendësojë Miroslav Lajçak në dialogun Kosovë-Serbi, ja kush është Peter Sorensen

Kryesoret

Peter Sorensen zëvëndëson ndërmjetësuesin, Miroslav Lajçakun dhe e nis mandatin më 1 shkurt. Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në BE.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e konfirmuan emrin e politikanit danez, Peter Sorensen, si përfaqësues special i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sorensen i cili fillon detyrën me 1 shkurt zëvendëson politikanin sllovak, Miroslav Lajçak, i cili shërbeu në këtë post për pesë vjet me radhë. Politikani nga Danimarka, Peter Sorensen, u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.

Përqendrim tek dialogu

Në deklaratën e Këshillit të BE-së, ku bëhet i ditur emërimi i diplomatit Sorensen në këtë pozitë, thuhet se ai do të jetë Përfaqësues i posaçëm i BE-së vetëm për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në dallim nga paraardhësi i tij Lajçak, që ishte i angazhuar edhe për çështje tjera në rajonin e Ballkanit. “Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë që ta lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, dhe aneksin e zbatimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh”, thuhet në këtë deklaratën e BE-së.

Peter Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së dhe gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, ai ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë dhe po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup. Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 dhe ende vazhdon, me synimin për të jetësuar një sërë marrëveshjesh të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit