Një aksident tragjik ka ndodhur në Kilin jugor, ku një varkë turistike është përmbysur në lumin Rahue pranë qytetit Osorno. Si pasojë kanë humbur jetën gjashtë persona. Ngjarja ka ndodhur të dielën, rreth 5 kilometra para mbërritjes në destinacionin final, portin e Bahia Mansa.
Sipas autoriteteve, në varkë ndodheshin 34 persona, ndonëse kapaciteti i saj ishte për 21. Një zëdhënës i marinës kiliane ka konfirmuar se gjashtë trupa janë gjetur deri tani, ndërsa një person tjetër rezulton i zhdukur.
Prokurorja Maria Angelica de Miguel ka deklaruar se shumë prej pasagjerëve nuk kishin veshur jelekë shpëtimi, duke ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë. Ndërsa është arrestuar kapiteni i varkës dhe po merret në pyetje nga autoritetet, si dhe po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e kësaj tragjedie.