Kryeminsitri Edi Rama ishte sot në një vizitë në Laboratin e Mediave Digjitale në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Kryeministri u pyet në lidhje me stilin e veshjes dhe ka treguar një moment kur vite më parë kur ishte kryetar i Partisë Socialiste i ka shkuar në zyrë Pandeli Majkos.
Rama ka zbuluar se Majko i ka vendosur ultimatum për të hequr çorapet e kuqe, por edhe për tu martuar.
“Kravata është ishulli i fundit i lirisë që më ka mbetur. Mua më kujtohet kur unë u bëra kryetar i Partisë Socialiste dhe të nesërmen shkova në zyrë. Pandeli Majko ishte bërë sekretar i Përgjithshëm dhe ne ishim kundërshtarë sepse ai u vendos kandidat nga grupi që mbështeste në atë kohë Rexhep Mejdanin që ishte në atë kohë kandidati rival i imi.
Unë shkova tek zyra e Pandit dhe i thashë “ti ishe kundër meje, por tani ne duhet të punojmë bashkë”. Më tha “para se ta hapim këtë bisedë, shko hiq çorapet e kuqe dhe martohu”. Besoj që aty ka filluar ndryshimi. I kam, por i vesh rrallë”, ka thënë Rama.