Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se do t’i nisë menjëherë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një qeveri e re brenda 30 ditësh – siç e parasheh ligji – apo do të shpallen zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviçit nga pozita e kryeministrit të vendit.
“Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi zgjedhje pas 75 ditësh, muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë qeveri të përkohshme”, ka thënë ai, duke shtuar se detyra kryesore e autoriteteve tani është ruajtja e stabilitetit.
“Si president i shtetit, unë duhet të propozoj mandatarin për të cilin bindem se ka shumicën në Kuvend. Do t’i filloj konsultimet. Në mendje kam pasur tre ose katër emra, por nuk jam i sigurt që nuk do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm pas 10 ditësh, kur t’ju them nëse do të shkojmë në zgjedhje, apo do të zgjedhim Qeverinë e re, do të mund të flas për mandatarin për kryeministër.”
Presidenti serb ka thënë se ka e pasur shumë të vështirë që të pranojë dorëheqjen e Vuçeviçit.
Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqje më herët gjatë ditës së martë, në valë e sipër të protestave për incidentin në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një pllake të madhe betoni janë vrarë 15 persona.
Dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriç.
Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë e ndodhur në qytetin serb.