Edi Rama dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis zhvilluan një takim kokë më kokë pas ceremonisë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Media greke EPT, shkruan se në përfundim të takimit Rama i dha lamtumirën kryeminsitrit grek Mitsotakis me një përqafim.
Ende nuk dihet detajet mbi temën e diskutimit, sinjalet e dhëna sugjerojnë se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten në një nivel pozitiv. Takimi përforcoi vizionin e Kryepeshkopit Anastas për unitetin mes besimeve, edhe në një rajon si Ballkani, ku feja ka qenë historikisht një faktor përçarës.
Mitsotakis theksoi rëndësinë e ruajtjes së një dialogu të hapur mes dy vendeve.
“Sigurisht që kemi marrëdhënie të mira dhe duhet të kemi marrëdhënie të mira. Jemi vende fqinje dhe çdo çështje duhet ta zgjidhim me dialog.”, tha Mitsotakis.
Ndërsa Rama e përshkroi takimin me një ton miqësor: “Ne jemi miq. Ai erdhi këtu dhe unë kisha nderin ta mikprisja. Pimë një kafe, folëm për gjëra të ndryshme dhe nuk kam çfarë të ndaj me ju. Nuk ka asnjë problem, gjithçka është në rregull.”