Ekipet e posaçme nxorën nga lumi Potomak të hënën një pjesë të madhe të avionit të pasagjerëve, pesë ditë pas përplasjes në ajër me një helikopter ushtarak pranë aeroportit “Ronald Reagan” ku humbën jetën 67 njerëz.
Autoritetet kanë thënë se operacioni për nxjerrjen e pjesëve të avionit do të zgjasë disa ditë dhe më pas do të punohet për nxjerrjen e pjesëve të helikopterit të përfshirë në aksident.
Përplasja mes avionit të kompanisë “American Airlines” dhe një helikopteri ushtarak pranë kryeqytetit amerikan të mërkurën e kaluar ishte katastrofa ajrore më vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2001.
Deri tani janë gjetur dhe identifikuar trupat e 55 individëve. Shefi i Departamentit të Zjarrfikëses, John Donelly tha se ka besim se të gjithë trupat do të gjenden, ndërsa ekipet e posaçme vazhdojnë kërkimet në lumin që ndan kryeqytetin amerikan me shtetin e Virxhinias.
Në operacione po marrin pjesë më shumë se 300 pjesëtarë të grupeve speciale, thanë zyrtarët. Dy anije ushtarake po përdoren për të ngritur pjesët e mëdha të avionit. Palombarët dhe ekipet speciale po u përmbahen protokolleve të rrepta për t’u dhënë përparësi gjetjes së trupave, tha të dielën koloneli Francis B. Pera me Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë. Gjetja me dinjitet e trupave ka përparësi mbi gjithçka tjetër, tha ai.