-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Një djalë i ri nga Lushnja u bë kurbani i politikës

Kryesoret

Thuajse në të njëjtën kohë u njoha me pjesë të fjalës të një të riu nga Lushnja në Konventën e së majtës, e po ashtu, me një intervistë të ish nënkryetarit të Partisë Demokratike, deputetit të sotëm, Edmond Spaho. Sado që duken dy ekstreme që veç largohen nga njëri tjetri, në fakt, ata janë krejt të njëjtë.

I riu nga Lushnja, të cilit i janë vërsulur , deri në dërmim, media të ndryshme, sidomos të opozitës, që kalojnë në përgjithësime të përçudnuara, ka bërë gabimin e madh që , me naivitet dhe ndoshta me ndjenjën se po bën gjënë e duhur, ka thurur një himn për forcën politike, ku mendon se do të jetë pjesë.

E kanë mbytur të shkretin, pa i thënë askush mend, me përjashtim të Lutfi Dervishit, që, i njohur për sarkazmën e tij, ka edhe pak dhimbje. Të tjerë, mes tyre edhe një gazetare prej viteve, që as më pak e as më shumë, ndonëse më të rafinuar, bën në shtatë ditët e javës çka ka bërë i riu nga Lushnja në një çast të jetës së tij.

Mjafton ngazëllimi i saj kur intervistonte zonjën Kryemadhi në vilën e familjes Meta, pamja e përhumbur në luksin që shfaqej, mos guximi pr të bërë të vetmen pyetje të duhur , “ si e bëtë këtë pasuri”, për t’u dukur lushnjari i gjorë një hiç o gjë në turravrapin e tij.

I riu nga Lushnja nuk është problemi në vetvete, fenomeni që sjell është problemi i vërtetë i shoqërisë shqiptare, sidomos i politikës së saj.

Si shkrova, rastësisht lexova një pjesë të intervistës së zotit Spaho, deputet në shumë vite, herë pas here figurë e ngritur në shkallët e larta të partisë së tij, më shumë sherrtar , se sa i mënçur, që, pa asnjë droje , gjithë fajin për djegien e mandateve dhe për të mos hyrë në zgjedhje, i bën përgjegjësi vetëm të Lulzim Bashës.

Lulzim Basha nuk është as djalli dhe as shenjti i opozitës. Njëri nga të shumtët, që i ra një kohë për të qeverisur, kur ende nuk e dinte fare mirë se çfarë është ky vend, dhe, më pas, një kohë kur për të drejtuar opozitën, kur gjërat i kishin rrëshqitur nga duart.

Djegia e mandateve ka qenë njëri ndër fajet e mëdha të politikës së tij. Vetëm i tij? Po të tjerët, ku ishin?

I riu nga Lushnja ka në duar vetëm fjalën e tij. E thotë, a nuk thotë, kjo nuk është aq e rëndësishme tani. Po këto, të tjerët, që kanë në duar shumë më tepër se kaq?

Mos u çudsni – ajo që shfaqin të rinjtë sot pranë politikës është shembulltyre e asaj që i është servirur me vite.

Si mund të jenë të dinjitetshëm ata deputetë që ngrenë dorën kur u thotë shefi i tyre, e ulin kur e ul ai, mërziten si shefi, vajtojnë si ai, thonë të njëjtat fjalë, marrin të njëjtat qëndrime të fytyrës, të trupit, lëvizin njëjtë duart?

Edhe në natën kur Lulzim Basha po merrte vendimin e jetës së tij politike, përmes llogarive të pa sakta, përjashtimin e Berishës nga Grupi i tij parlamentar, në çastin kur ai tha vendimin e tij, të gjithë heshtën, ishin të gatshëm të ngrinin duart e të hidhnin në bjerrinat e politikës njeriun që i ishin falur , e më pas do i faleshin përsëri. E morën si urdhër të sjellë nga Rruga e Elbasanit.

E bëri këtë, pasi mendonte sinqerisht se të gjithë në atë sallë do të heshtnin, ashtu si kishin heshtur kur mori vendimin për të ngritur çadrën në mesin e Bulevardit, pastaj për të hequr çadrat, më pas për të bërë qeveri të përbashkët, të përkohshme, më pas për të hartuar listat e deputetëve si donte vetë ai dhe njerëz rreth tij.

Duke i njohur nga afër , ishte i bindur se shumë prej tyre do të ishin pranë tij. Nëse nuk do kundërshtonte këtë vendim deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, atëherë do të kishte mbetur në historinë e opozitës si rasti kur të gjithë ngrenë dorën për të vrarë atin dhe për të ngritur birin e tij të politikës.

Në fund të fundit, vetë Sali Berisha, pak para se të ndodhte përleshja mes tyre, do të siguronte opozitën  se, “ Shqipëria nuk ka pasur kurrë ndonjë politikan kaq të mirë sa Lulzim Basha”.

Si të mos flasë një i ri, ndoshta naiv në shfaqjen e tij, kur e sheh se përmes mburrjes mund të jesh diku në politikë, kur sheh në Kuvend më shumë shpirtra të vdekur, se sa mendje të hapura?

Kur e di se tani , në radhët e opozitës, vende nga më të rëndësishmet kanë zënë pikërisht ata që e veshën selinë e tyre me dyer dhe dritare të blinduara, u përleshën me hunj dhe tymuese me ata që sulmonin nga jashtë çfarë kishte brenda?

Si mos të flasë një djalë që mendoi se mund të jetë nesër një nga servilët e kryeministrit, kur sheh se askush në forcën politike që drejton ai në qeverisje, prej 12 viteve, e ndoshta edhe disa të tjerë, dhe askush nuk guxon të ketë një mendim ndryshe, dhe vetëm kur bien nga kali, si përherë është një kal korrupsioni, bëhen trima,të guximshëm, sikur të kishin qenë disidentët brenda forcës së tyre politike, kur ishin thjeshtë puthadorë të paturp?

Parlamenti i Shqipërisë, ku mungojnë mendjet dhe janë vënë hujtarët, nuk është as sot e kësaj dite i reformuar, por i deformuar. Pa mendim, pa ndjenjë, pa vizion, e , mbi të gjitha, në shumë pre tyre, pa dinjitet.

Edhe në mesnatë t’ua dërgojë ligjet për miratim shefi i qeverisë, edhe pa i lexuar fare, shumica është e gatshme të bëjë miratimin e tyre. Opozita kundërshtimin.

Si të mos mendojë një i ri nga Lushnja , apo nga kudo qoftë, që nesër mund të jetë në politikë përmes zvarritjes, kur sheh se sa shumë deputetë zvarriten pas shefit të tyre? Kur e di se fqinji i tij, deri para pak kohe i zakonshëm, sapo bëhet pjesë e qeverisjes, kudo që të jetë, pasurohet, mburret, bën sikur zemërohet, rreh gjoksin, dhe është gati të djegë xhaketën e shtrenjtë si shenjë besnikërie?

Kur vetë shefat e politikës, më shumë e kanë mendjen nga ardhja apo largimi i një presidenti të ri në SHBA, se sa nga njerëzit që do i votojnë? Përgjërimi i politikës sonë ndaj figurave drejtuese të shteteve të mëdha, është nganjëherë më i neveritshëm , se sa përgjërimi i një lushnjari ndaj forcës politike ku ëndërron të jetë.

Të ndahesh nga Edi Rama do të thotë të ndahesh nga pasuria, nga pushteti. Të ndahesh nga Berisha do të thotë të biesh në gojën e ujkut të vetë opozitës, që, për pak çaste, të shkrin si qiriri.

Nëse do të kishte ndershmëri , të paktën politike, ata që u rrahën me njëri tjetrin, çka nuk kishte ndodhur kurrë, e nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë përsëri, tani të jenë drejtues të forcës me të cilën u përleshën, bëjnë të fortin, dalin në radhën e parë të vetmohimit dhe të besnikërisë, ndonëse dihet se në mbrëmje përgatitin “ thikat” për të vrarë mbretin, që, përkohësisht, e kanë ngritur vetë.

Berisha ia ka zili Ramës autokracinë e tij politike në partii dhe absolutizmin në qeverisje. Rama mund ta ketë zili atë në mënyrën se si u ringrit përsëri, deri sa e detyroi t’ia kthejë vulën, dhe stemën e partisë, e bashkë me to edhe benifitet që vijnë prej tyre.

Berisha, atë që nuk e harron, nuk e fal kurrë dhe ka një kujtesë të mrekullueshme. Kaq e madhe është mëria e tij ndaj Edi Ramës, sa që do të kishte pranuar çdo disfatë të jashtme, për të pasur një fitore të brendshme.

Do të ishte ide fantastike të mendosh se koha e tanishme drejtohet nga një logjikë koherente, që sundon zemrat, vizionet dhe imagjinatat. Mjerisht, në këtë kohë, në politikën shqiptare, janë të huaja nocione të tilla , si ëndrrat, pasionet, vizioni dhe koherenca.

Nëse dikush, në parlamentin shqiptar, dikush do të fliste me seriozitet për nocione të tilla, dhe unë e di se mes tyre ka mjaft të tillë, shumë nga ata që janë në atë sallë do ia plasin në qeshurit.Ne kemi një parlament cinik, që i ka frikë njerëzit e kulturuar dhe përqesh kundërshtarët kur ata flasin për patriotizëm.

Mjerisht, si dje, në qeverisjen e opozitës, edhe sot, në këtë shumicë politike, qeveriset përmes korrupsionit, sepse është bërë e pamundur të qeveriset ndryshe.

Këtë aksiomë , duket e ka mësuar nga “baballarët” e politikës, edhe një djalë i ri nga Lushnja, që, për pak ditë, u bë kurbani i politikës.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit