Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako deklaron se janë 476 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e pak ditëve më parë. Ajo thekson se pronarët do të dëmshpërblehen, pasi të bëhet edhe procesi i vlerësimit të dëmtimeve.
“Ka përfunduar brenda një kohe shumë të shkurtër procesi i evidentimit të dëmeve në 476 banesa gjithsej. Pasi të kryhet edhe procesi i vlerësimit, të gjitha familjet e dëmtuara do të marrin dëmshpërblimet përkatëse. Jemi në çdo moment në shërbim të qytetarëve të Durrësit”, bën me dije Emiriana Sako.
Objektet e prekura janë kryesisht në zonën e ish Kënetës, Plazhit, Shkozetit, Sukthit dhe Katundit të ri, si zonat më të goditura nga reshjet e fund janarit të këtij viti.