Drejtuesi i departamentit të drejtësisë në PD, Franci Nuri ka akuzuar Presidentin Bajram Begaj se me lëvizjen pak ditë më parë duke i dërguar letër Gjykatës Kushtetuese për mandatin e anëtares Sonila Bejtja është rreshtuar me Partinë Socialiste për të kapur këtë institucion.
Presidenti kërkon shpalljen e vakancës për mandatin e Sonila Bejtjes
“Duke kërkuar interpretim për kohëzgjatjen e mandatit të Sonila Bejtjes, një nga gjyqtaret e pakta që ka patur kurajon t’i kundërvihet vendimeve apo ligjeve të padrejta të kësaj Qeverie, ndërkohë që Bajram Begaj nuk e kishte aspak të nevojshme ta hidhte këtë hap pikërisht në këtë moment, Presidenti i Republikës është rreshtuar de facto me Mazhorancën dhe ata që duan t’a kenë 100% nën kontroll Gjykatën Kushtetuese” thotë PD.
DEKLARATA E DREJTUESIT TE DEPARTAMENTIT TË DREJTESISË NË PD, FRANCI NURI
Partia Demokratike dënon tentativën e kapjes së Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca me ndihmën e Presidentit Bajram Begaj!
Përpara pak ditësh u bë publik lajmi se Presidenti i Republikës Bajram Begaj, kishte bërë kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese me objekt “Deklarimi i mbarimit të mandatit të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, por pa specifikuar emrin e Gjyqtarit në fjalë, ndonëse të gjithë e kuptojnë se bëhet fjalë për gjyqtaren Sonila Bejtja, e emëruar më herët nga institucioni i Presidentit të Republikës.
Ajo që vihet re është se në kërkesën e tij, ndonëse tenton të fshihet pas parimeve të luajalitetit kushtetues, Begaj nuk arrin dot të fshehë qëllimin e vërtetë të shkresës që mban firmën e tij, e cila, qartazi kërkon të riaktivizojë tentativat e mazhorancës për kapjen totale të Gjykatës Kushtetuese.
Duke kërkuar interpretim për kohëzgjatjen e mandatit të Sonila Bejtjes, një nga gjyqtaret e pakta që ka patur kurajon t’i kundërvihet vendimeve apo ligjeve të padrejta të kësaj Qeverie, ndërkohë që Bajram Begaj nuk e kishte aspak të nevojshme ta hidhte këtë hap pikërisht në këtë moment, Presidenti i Republikës është rreshtuar de facto me Mazhorancën dhe ata që duan t’a kenë 100% nën kontroll Gjykatën Kushtetuese!
Po përse zgjohet sot Presidenti Begaj nga gjumi letargjik dhe kujtohet për Gjykatën Kushtetuese?
Bajram Begaj është një President partiak i emëruar me vullnet të Ramës, pa asnjë konsultim dhe konsensus nga opozita. Sot, pasi ka kaluar gjysmën e mandatit të tij 5-vjeçar si President i Republikës, Bajram Begaj do të mbahet mend nga Historia se ka kthyer ne Kuvend vetëm 1 Ligj: Ligjin e Medaljeve dhe Dekoratave, sepse edhe ato kompetenca ja hoqi Rama në Kuvend!
A u kujtua Begaj për Ligjin e Tatimit të Profesioneve të Lira?
Ligj i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese! Absolutisht që jo!
A u kujtua Begaj për Ligjet e kontratave famëkeqe me porosi, si ato të Koncesionit të Portit të Durrësit, të Koncesionit të Butrintit?
A u kujtua Begaj për Marrëveshjen Rama-Meloni, ku nëpërkëmbej sovraniteti i vendit dhe kompentencat e vetë Presidentit?
A u kujtua Begaj per Ligjin me porosi të Akademisë së Shkencave?
A u kujtua Begaj për Ligjin e Zonave të Mbrojtura?
Absolutisht që jo!
Presidenti i cili lypte zyra të reja një Presidenti të huaj, Erdoganit-gjatë një vizitë zyrtare-çfarë ndodhi u zgjua papritur dhe përfshihet në lojën e kapjes së Gjykatës Kushtetuese në këtë moment?
Është e qartë se Mazhoranca tenton të shtrijë kontrollin total mbi Gjykatën Kushtetuese 3-muaj para Zgjedhjeve të Përgjithshme, nga frika e humbjes së Zgjedhjeve të 11 Majit!
Në mbyllje, dua t’i bëj thirrje çdo qytetari Shqiptar që beson te liria dhe ndarja e pushteteve, që beson se shteti dhe pushteti janë të ndarë, t’i bashkohet protestës Kombëtare të 8 Shkurtit!