ALTAX – Qendra Ekonomike dhe Fiskale Shqiptare, e ideuar dhe krijuar nga eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, e cila vepron si një qendër kërkimore dhe zhvilluese ka bërë një studim për shpenzimet familjare dhe të ardhurat që duhen për një familje normale. Pritshmëritë nuk janë aspak të mira për vitin që ka nisur.
“Në vitin 2025, familjet në Shqipëri, veçanërisht pensionistët dhe shtresat në nevojë, do të vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha për shkak të rritjes së vazhdueshme të kostove të jetesës. Shpenzimet fikse, si ato për ushqimin, energjinë, shërbimet shëndetësore dhe transportin, janë duke u rritur dhe e bëjnë më të vështirë mbulimin e nevojave të përditshme, sidomos për ata me të ardhura të ulëta” thotë studimi.
ALTAX vëren se ka sinjale për rritje të kostove dhe ndikim në shpenzimet e familjeve. “Nga sinjalet e tregut të fundvitit 2024 dhe fillimvitit 2025 është risku i rikthimit të inflacionit. Çmimet e ushqimeve, karburantit dhe produkteve të tjera nga importi mund të rriten, duke e bërë jetesën më të shtrenjtë për qytetarët shqiptarë. Shpenzimet për nevojat themelore, si ushqimi, ngrohja, dhe transporti, do të absorbojnë një pjesë të madhe të buxhetit të familjeve. Kjo do të kërkojë prioritizimin e shpenzimeve dhe mund të çojë në uljen e shpenzimeve për aktivitete jo thelbësore”.
Qeveria vendosi uljen e çmimit të energjisë me 1 Lek nga 1 Shkurti për familjet që konsumojnë deri në 700 kilovat, por ekspertiza konstaton se “rritja e çmimit të energjisë elektrike, gazit, dhe karburantit për bizneset do të krijojë një barrë të madhe të transmetuar te çmimet për familjet, veçanërisht ato me të ardhura më të ulëta. Pensionistët, në veçanti do të përballen me një ngarkesë shtesë të shpenzimeve fikse, përfshirë kostot e shërbimeve shëndetësore dhe energjisë”.
Nga analiza e shifrave dhe pritshmëritë kërkohet “rritja e pagave dhe pensioneve edhe më tej duke mbajtur një nivel të ardhurash familjare të vlefshëm për mbajtjen e balancës”.
Kliko KETU për të lexuar raportin e plotë- Shpenzimet familjare dhe të ardhurat që DUHEN, 2025