-sidi education-spot_img
-0.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Leonard Demi: “DeepSeek”

Kryesoret

Domosdoshmëria është nëna e shpikjes”

SINDROMI I KINËS

Të nesërmen e ceremonisë të betimit, kur Presidenti amerikan zbuloi planin Stargate prej 500 miliardë dollarësh për të dominuar zhvillimet botërore të Inteligjencës Artificiale (IA), humori i miqve e tij të rinj: Sam Altman, OpenAI; Larry Ellison, Oracle dhe Masayoshi Son, Softbank, që i lumturoheshin shkëlqimit presidencial, u përkeqësua. Shpërtheu një start-up kinez, DeepSeek, i cili i dha një goditje të fortë perspektivës të së ardhmes të tyre, pasi hodhi falas në internet një model të IA me burim të hapur për të rivalizuar ChatGPT të OpenAI. “DeepSeek është një nga zbulimet më mahnitës dhe më mbresëlënës që kam parë ndonjëherë dhe burimi i hapur është një dhuratë dashamirëse për botën”, – shkruan Marc Andreessen, një sipërmarrës teknologjik nga më të njohurit në Silicon Valley. Publikimi i tij do të nxitë inovacionin dhe mjaft kompani amerikane do të shtrëngohen të mënjanojnë modelet e tyre të shtrenjta. Ai do të rigjallërojë, gjithashtu, debatin nëse lëshimi pa kufizime i modeleve të fuqishëm të IA është i përgjegjshëm dhe i sigurt dhe, meqenëse elementët e këtij sistemi mund të përdoren nga kushdo, nuk do të shfrytëzohen nga aktorë të rrezikshëm.

ÇFARË ËSHTË DEEPSEEK?

DeepSeek është një start-up kinez i inteligjencës artificiale i themeluar nga Liang Wenfeng në vitin 2023, kurse DeepSeek-R1 është një model i madh gjuhësor, është një softuer i IA i ngjashëm me teknologjinë që mbështet ChatGPT dhe modele të tjera të AI, si: Gemini i Google, Llama i Metës dhe Claude i Anthropic. Kësisoj, DeepSeek mund të përpunojë dhe të analizojë sasi të mëdha të dhënash për të identifikuar modelet, për të bërë parashikime dhe për të zgjidhur probleme. Ekspertët e DeepSeek thonë se ata kanë zhvilluar teknika për ta bërë trajnimin dhe zhvillimin origjinal të modelit të tyre shumë efikas. Ai është trajnuar për të dhëna deri në muajin korrik 2024, por një opsion kërkimi mund të skanojë informacione dhe tituj më të përditësuar. Aktualisht, aplikacioni përdoret nga pajisjet iOS dhe Android pa pagesë (OpenAI kërkon 20 dollarë në muaj për modelin e vet o1) dhe mund ta testojë kushdo që dëshiron.

DeepSeek zë vendin e parë për klikime jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në vende të tjera të botës (megjithëse, tani ka filluar të kufizojë regjistrimet e reja). A është teknologjia e DeepSeek po aq e mirë sa ajo e sistemeve të OpenAI dhe Google? Sipas testeve standarde, varianti DeepSeek-V3 mund t’u përgjigjet pyetjeve, të zgjidhë probleme logjike dhe të shkruajë programet e veta kompjuterike me po aq efektivitet sa çdo model tjetër në treg. Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Altman, e quajti modelin R1 “mbresëlënës, veçanërisht rreth asaj që ofron me atë çmim”.

Ai tha, gjithashtu, se ishte nxitëse të kishte një konkurrent të ri dhe se kompania e tij do të përmirësojë disa nga produktet e veta. Disa ekspertë mendojnë se R1 funksionon si modeli më i mirë i “arsyetimit”, që nuk ka të bëjë me OpenAI dhe që i tejkalon aftësitë e OpenAI, megjithëse ende nuk gjeneron imazhe. Në Davos, shefi ekzekutiv i Microsoft, Nadella, pranoi se DeepSeek ishte “super mbresëlënës” dhe “super efikas në llogaritje”. “Ne duhet t’i marrim shumë, shumë seriozisht zhvillimet e Kinës”, – vëren ai. Pak para se DeepSeek të lëshonte teknologjinë e vet, OpenAI kishte zbuluar një sistem të ri, të quajtur OpenAI o3, që duket të jetë më i fuqishëm se DeepSeek-V3, por kompania ende nuk e ka lëshuar për publikun e gjerë. OpenAI o3 “arsyeton” përmes problemeve që përfshijnë matematikën, shkencën dhe programimin kompjuterik. Shumë ekspertë theksojnë se DeepSeek nuk e ka ndërtuar modelin e vet të arsyetimit sipas këtyre elementëve, që shihen si e ardhmja e IA.

NJË BUXHET PËR TË QESHUR

Kompania kineze, e cila ka vetëm 139 studiues, pretendon se softueri i saj i IA është konkurrues me atë të gjigantëve të teknologjisë amerikane si OpenAI dhe Google për një sërë detyrash, por kostoja e tij është shumë më e vogël, pothuajse, qesharake. Kështu, për të rivalizuar ChatGPT të OpenAI, DeepSeek ndërtoi modelin e madh gjuhësor R1, me shumë më pak çipa, shumë më të thjeshtë dhe me shpenzime minimale: vetëm 5.6 milionë dollarë, kundrejt shpenzimeve marramendëse prej 100 milionë deri në 1 miliard dollarë që harxhojnë kompanitë gjegjëse amerikane, rivalë të DeepSeek. Ndërsa, kostoja e trajnimit të modelit V3 nuk i kalon 5.5 milionë dollarë (DeepSeek R1 dhe DeepSeek V3 janë dy modele të përshtatshëm për detyra të ndryshme. R1 i kushton klientit njëzet e shtatë herë më pak për kërkesë sesa o1 e OpenAI).

Kompanitë e mëdha teknologjike, zakonisht i trajnojnë chatbot-et e tyre me superkompjuterë, që përdorin deri në 16,000 çipa ose më shumë. Inxhinierët e DeepSeek thanë se atyre iu deshën vetëm 2048 çipa Nvidia H800, versioni më pak i fuqishme se Nvidia GPU H100 (tani, të dy këto versione janë vendosur në listën e kufizimeve të eksportit të SHBA-ve). Kompanitë amerikane të IA, për programet e tyre të IA, kanë shpenzuar miliarda dollarë për të blerë çipat më të fundit Nvidia, kurse DeepSeek dëshmoi se di të përfitojë nga zbulimet më të fundit për t’i optimizuar ato dhe për t’i bërë të arritshëm nga sa më shumë njerëz.

KUNDËRTHËNIE

Analistja e Bernstein Research, Stacy Rasgon, vëren se disa vlerësime spekulojnë kur thonë se DeepSeek kishte nevojë vetëm për rreth 5 milionë dollarë çipa për të trajnuar një nga modelet e tij. Kjo injoron koston e kërkimit dhe eksperimentimit për zhvillimin e tij. Nuk është ende e qartë se sa fuqi procesuese përdori DeepSeek për modelin R1. Pavarësisht zhurmës, disa punonjës të industrisë së çipave nuk besojnë se DeepSeek do të zëvendësojë operatorët ekzistues të IA, apo se pretendimet e tij për fuqi të vogël kompjuterike për të krijuar modele të fuqishme të IA do të thotë se biznesi i Nvidia është i dënuar të jetë i pashpresë. Modeli i DeepSeek nuk është një revolucion. “Ka një sërë përmirësimesh të vogla”, – tha Zhenwen Dai, dikur menaxher i lartë i kërkimit në Spotify. Kompania duket se e ka rishqyrtuar procesin dhe në çdo fazë e ka përmirësuar atë, gjeti një mënyrë për ta bërë trajnimin e modelit më efikas, për të përdorur më pak memorie dhe për të ndarë llogaritjet e tij, ku marrin pjesë vetëm njësitë përkatëse.

DEEPSEEK TRONDIT TREGJET

Besimi i tregjeve tek epoka e re e IA rriti fitimet e aksioneve të kompanive gjigante të IA në triliona dollarë, por DeepSeek tundi dy shtyllat e kapitalizmit amerikan: Wall Streetin dhe Silicon Valley-in. Në Wall Street, çmimet e aksioneve të prodhuesve të gjysmëpërçuesve, gjigantëve dixhitalë dhe kompanive energjetike të së ardhmes ranë ndjeshëm. E përditshmja “Wall Street Journal” e përcaktoi situatën një “banjo gjaku”. Indeksi Nasdaq ra me 3.07%. Të plagosurit e mëdhenj qenë të ashtuquajturit ‘Shtatë Madhështorët’: Alphabet, Amazon, Apple, Meta Platforms, Microsoft, Nvidia dhe Tesla, të cilët kanë varur shpresat e lulëzimit të tyre te revolucioni i AI. Nvidia udhëheq këtë ‘gjakderdhje’ historike. Ajo humbi 590 miliardë dollarë (16.86%) dhe kurorën e saj si kompania publike me vlerën më të madhe në treg. Aksionet e çipave Broadcom dhe Micron Technology ranë më shumë se 10%. Sektori i teknologjisë së S&P 500 humbi 5.6%, rënia e tij më e keqe njëditore në më shumë se katër vjet. Prodhuesi i çipave Taiwan Semiconductor Manufacturing Co., ose TSMC, ra 13%.

Investitori japonez SoftBank, i cili kishte vallëzuar gjatë deklarimit të Stargate-it, gjithashtu humbi 6%. Kompanitë e tjera amerikane të çipave, përfshirë ARM dhe Intel, gjithashtu humbën. Sipas Dow Jones Market Data, ‘gjakderdhja’ e së hënës, më 21 janar, u fshiu rreth 1 trilion dollarë nga vlera e tregut të aksioneve. Kësisoj, duket sikur aplikacioni kinez me një kosto të deklaruar prej 5.6 milionë dollarë, e vjetroi Stargate-in 500 miliardë dollarësh. Drejtuesit e teknologjisë u përpoqën të shfaqnin një fytyrë të guximshme përballë këtij demonstrimi poshtërues nga një aftësi teknologjike e arritur, pothuajse, me lëndë të dorës së dytë. Kurse, Presidenti qe mjaft i drejtpërdrejt: ja një paralajmërim i cili do të jetë pozitiv, për sa kohë që prodhuesit do të mësojnë se mund të arrijnë të njëjtin rezultat pa “shpenzuar miliarda dhe miliarda dollarë”.

DYSHIME

Këto zhvillime vënë në pikëpyetje pretendimet për fonde të gjigantëve amerikanë të teknologjisë, të cilët janë zotuar të shpenzojnë qindra miliarda dollarë për ndërtimin e qendrave të të dhënave për të trajnuar modele të mëdha gjuhësore. Ato hedhin dyshime për supremacinë teknologjike dhe dominimin e kompanive amerikane të teknologjisë me kapital të madh të përfshira në ekosistemin e AI, vërejnë William Beavington, Jefferies International Ltd; Elyas Galou, strateg kapitali në Bank of America; Christopher Dembik, analist në Pictet Asset Ma; apo Jun Rong Yeap nga IG Asia. DeepSeek demonstroi se, pavarësisht kufizimeve të SHBA-ve për të eksportuar çipa në Kinë dhe kërcënimeve tarifore, Amerika nuk e ka bërë krejtësisht të vetin zhvillimin dhe përparimin e IA, siç besonte.

Nga ana tjetër, funksionimi mbresëlënëse i modelit DeepSeek ngriti pikëpyetje në lidhje me pasojat e paplanifikuara të kufizimeve tregtare të qeverisë amerikane. Kufizimet i kanë detyruar studiuesit në Kinë të bëhen krijues me një gamë të gjerë mjetesh, që janë të disponueshme lirisht në internet dhe në planin afatgjatë, mund ta vendosin Kinën në qendër të kërkimit dhe zhvillimit të IA, përfshirë armët autonome dhe sisteme të tjera ushtarake. Alexandr Wang, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Scale AI, i shkroi Presidentit Trump se Amerika duhet të fitojë luftën e AI. Ai e nxiti presidentin të investojë, të trajnojë, të rregullojë dhe të ndajë më mirë energjinë. “Nëse Shtetet e Bashkuara mbeten në trajektoren e sotme, rrezikojmë të rrëzohemi dhe të qëndrojmë prapa”, – tërheq vëmendjen Wang.

EPILOG

Sipërmarrës të njohur të Sillicon Valley-it e kanë përcaktuar këtë situatë si momenti Sputnik (lëshimi i satelitit sovjetik Sputnik më 4 tetor 1957). Ky togfjalësh është një metaforë që i bën njerëzit të kuptojnë se kanë mbetur parapa dhe nxit një kundërveprim të menjëhershëm në shkallë të gjerë, si: masat e ethshme, që mori Presidenti Dwight Eisenhower për të mbështetur shkencën dhe arsimin në SHBA të tejkalonin përparimin sovjetik në fluturimet hapësinore. Ai miratoi fonde federale që bënë të mundur krijimin e NASA-s, National Aeronautics and Space Administration. Vitin pasardhës, nisi programin Mercury, projekti i parë i fluturimit me njerëz në hapësirë; votoi kreditë për Fondacionin Kombëtar të Shkencës, National Science Foundation, buxheti i të cilit për dhjetë vjet u rrit nga 100 milionë, në 500 milionë dollarë. Krijoi, gjithashtu, pozicionin e këshilltarit të përhershëm shkencor në Shtëpinë e Bardhë. “Momenti Sputnik” hodhi themelet për dekadat e dominimit shkencor dhe teknologjik amerikan. A do të kemi një moment të tillë tani?

 

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit