Pasditen e djeshme 25-vjeçari Romario Brunga u gjet i pajetë brenda një makine në Lezhë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 dhe trupi i pajetë i tij u gjet dy orë më vonë nga të afërmit e tij. 25-vjeçari kishte marrë një goditje plumbi në kokë dhe arma me të cilën është qëlluar u gjet brenda makinës së tij e mbushur.
Ekspertiza paraprake tregon se makina nuk ka shenja të dëmtimeve të jashtme, dhe as viktima nuk ka pasur dëmtime të tjera në trup.
Këto detaje kanë bërë që hetimet të përqendrohen kryesisht në pistën e vetëvrasjes. Ndërsa policia po vijon të marrë në pyetje familjarët dhe të njohurit e tij për të zbuluar nëse 25-vjeçari kishte pasur konflikte apo probleme me persona të tjerë.
Romario Brunga ishte martuar në gusht të vitit të kaluar.