Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti në radhë për të votuar për zgjedhjet parlamentare. Osmani në një deklaratë për mediat u shpreh se Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajon dhe duhet të mbahet dhe të zhvillohet më tej.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të japin kontributin e tyre duke marrë pjesë në procesin zgjedhor. Osmani uroi që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës së tyre.
“Ju faleminderit që pritet së bashku me mua derisa me erdhi radha që të votojë në këtë ditë të rëndësishme për demokracinë në vendin tonë. Kosova është demokracia me e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej.
Sot është ditë vendimtare që qytetarët e Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili do të dalë parlamenti dhe institucionet e tjera, por edhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre.
Shpresoj që të gjithë qytetarët do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Besoj që i kanë informacionet nga ana e KQZ rreth vendit të votimit të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm të japin vlerësimin për politikanët që i kanë përfaqësuar deri tani, por edhe ti japin mundësi atyre që kandidojnë për herë të parë”, tha Vjosa Osmani.