Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi teksa votoj i pari në shkollën “Lidhja e Prizrenit në Pejë ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin të votojnë. Radoniqi bëri thirrje për një proces të qetë e demokratik. Ai dha edhe disa detaje për votimin nga diaspora.
“Tashmë i kemi të dhënat edhe për Amerikë e Kanada. Diku mbi 15 mijë kanë votuar në përfaqësi diplomatike atje. Çdo gjë është gati. KQZ-ja është në detyrë e shpresojmë për një ditë festive”, tha Radoniqi pasi votoi në Pejë.
Ai tregoi edhe për telashet që ka pasur me shënjesuesin e gishtit.
“E vërteta është që kompania kontraktuese fillimisht na furnizoj me ngjyrë që është fshirë. Por, pasi komisioni vlerësues e vërejti me kohë, i ktheu markerat dhe kompania na siguroi markera të rregullt”, tha Radoniqi.
Ndërsa për transportimin e votave nga Kroacia, Radoniqi tha se bëhet fjalë për rreth 30 vota. Ai u shpreh se gabimi është bërë që nuk janë respektuar procedurat dhe vëzhguesit nuk ishin njoftuar kur u tërhoqën, por se personat që tërhoqën votat ishin të autorizuar.
“Do të ketë rekomandim të sekretariatit dhe në bazë të rekomandimit do të marrim vendim në KQZ”, tha Radoniqi.