Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal në Kosovë, Fikrim Damka është arrestuar të dielën në Prizren.
Mediat në Kosovë raportojnë se Damka dhe familjari i tij me inicialet F.D., janë arrestuar nën dyshimin për “sulm” dhe “kanosje”.
Rasti është konfirmuar nga Policia e Prizrenit, teksa ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje.
“Dje me datë 09.02.2025 rreth orës 18:00 në Prizren është raportuar një rast ‘Kanosje dhe Sulm’ , Policia ka intervistuar të dyshuarit F.D. dhe F.D dhe viktimat si dhe janë mbledhur edhe prova dhe dëshmi tjera”, ka thënë zëdhënësi Shaqir Bytyqi.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu tha se Damka ka sulmuar një kandidate nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore, si dhe një tjetër person nga kjo parti.
“Sulm dhe kanosje ndaj saj dhe ndaj një personi të dytë, nga e njëjta parti me zonjën. Janë dy persona të ndaluar”, ka thënë ai.