Gazeta e njohur gjermane “Der Standard” i ka kushtruar vëmendje asaj që po ndodh në Tiranë.
Në një shkrim të gazetarit Adelheid Wölfl theksohet se “i besuari i ngushtë i kryeministrit Edi Rama thuhet se ka përfituar nga fondet publike në kryeqytetin shqiptar përmes aktiviteteve të paligjshme”.
Shkrimi i plotë
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua të hënën si i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ai është një figurë qendrore në Partinë Socialiste në pushtet të Edi Ramës në Shqipëri dhe një shoqërues prej kohësh i kreut të qeverisë. Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për Veliajn prej disa kohësh. Ajo supozon se ai ka marrë ryshfet dhe ka iniciuar pastrim parash.
Sipas raportimeve të së martës, në arrest shtëpie u vendos edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Ndër të tjera ajo dyshohet se ka deklaruar të dhëna të rreme për pasurinë e saj. Po ashtu po hetohen edhe pesë biznesmenë.
SPAK supozon se Veliaj dhe gruaja e tij krijuan një sistem për të përfituar nga fondet publike nga qyteti i Tiranës nëpërmjet aktiviteteve të paligjshme.
Prokurori publik dyshon se Veliaj miratoi shpërndarjen e fondeve publike dhe lejet e ndërtimit për disa kompani të lidhura ngushtë me të.
“Këto fonde publike më pas përfunduan në disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe persona fizikë, të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij dhe njerëzit e afërt të saj, duke krijuar një rrjet transaksionesh të dyshimtë dhe të ndërlikuar”, shpjegoi SPAK. Tashmë edhe një deputete po hetohet për pengim të drejtësisë.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që nga viti 2015. Ai është kritikuar edhe për sjelljen e tij ndaj mediave. Ai e përshkroi një gazetare si një “vrasëse me pagesë”.
Kohët e fundit janë shtuar edhe akuzat për korrupsion. Disa zyrtarë të lartë, të lidhur me Veliajn, u përfshinë në një skandal për përvetësimin e fondeve të destinuara për impiantet e djegies së mbetjeve të qytetit. Qyteti pagoi jashtëzakonisht shumë për këtë.
Një tjetër skandal përfshiu një kompani të quajtur 5D, e themeluar nga zyrtarë të lartë të qytetit, e cila fitoi disa tendera publikë. Kështu Veliaj u mor në pyetje nga SPAK në prill 2024. Në Tiranë njihet si “Lali Eri” – në anglisht: “Big Brother Eri”