Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për media, ka theksuar se mes prokurorëve të SPAK ekzistojnë individë të ndershëm dhe kurajozë që zbatojnë ligjin, por ka edhe ata që përdorin dosjet për të mbrojtur kriminelët. Ai gjithashtu komentoi arrestimin e Erion Veliajt dhe lidhjet e tij me disa prokurorë, duke akuzuar se disa janë të influencuar nga doktrina e Sorosit.
“Mes prokurorëve të SPAK ka njerëz kurajozë, të ndershëm, që zbatojnë ligjin dhe janë të gatshëm ta zbatojnë atë. Por, absolutisht ka edhe njerëz që përdorin dosjet për të manipuluar prova, për të shfajësuar kriminelë. Kur them se SPAK është një organizatë kriminale, unë nuk nënkuptoj çdo anëtar të SPAK si kriminel, por ata që flenë mbi krimin dhe janë marrë peng,” tha Berisha.
Berisha gjithashtu ka theksuar se Lacivita ka një kontratë të ligjshme dhe transparente për të udhëhequr fushatën e opozitës, duke e siguruar opinionin publik se gjithçka është në përputhje me ligjin amerikan dhe shqiptar.
“Ai ka ardhur si udhëheqës menaxher i fushatës së opozitës shqiptare për të firmosur fitoren më 11 maj. Padyshim ka kontratë. Kontrata do të jetë 100% transparente dhe në përputhje me ligjin amerikan dhe shqiptar. I suguroj shqiptarët që të mos kenë asnjë dyshim. Kur i kam dëgjuar shifrat nga më të afërmit e Edi Ramës, them: ‘Zoti i shtoftë ato shifra, por asnjë nuk është e vërtetë.’ Gjithçka është në përputhje me ligjin,” tha Berisha.