Studiues të jetës politike të Shqipërisë vlerësojnë se arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj ishte i pritshëm dhe se bashkia e Tiranës është një nga institucionet më problematike në raport me ligjet. Analistët Afrim Krasniqi dhe Ilir Kalemaj pohuan në intervista për Zërin e Amerikës se SPAK-u po tregon vendosmëri dhe paanshmëri në goditjen e aferave të dyshuara korruptive edhe në nivele të larta politike. Ata vërejtën se forcat kryesore politike mbeten të dyzuara në qëndrimet ndaj SPAK-ut, herë duke e mbështetur herë duke e sulmuar atë, ndonëse SPAK-u ka një mbështetje të jashtëzakonshme nga opinioni publik për luftën ndaj korrupsionit.
Studiues të zhvillimeve politike mendojnë se fakti që SPAK-u ka trokitur disa herë në dyert e bashkisë së Tiranës për hetime dhe arrestime deri tek kryebashkiaku Veliaj e shfaqin këtë si këtë institucion si një ndër më shumë të dyshuarit për shkelje të ligjit.
Studiuesi Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, thotë për Zërin e Amerikës se SPAK-u ka qenë penalizues për opozitën, pavarësisht shifrave të larta në adresë të mazhorancës, por tani bëhet fjalë për nivelet e larta.
“Fakti që SPAK-u e ngriti akuzën në nivele kaq të larta do të thotë që së pari ky është një institucion gjithnjë e më shumë i balancuar dhe i distancuar nga partitë politike dhe nuk sheh te objekti i vet agjenda politike, dhe së dyti, do të thotë që niveli i korrupsionit në bashkinë e Tiranës ka qenë në një nivel të tillë shqetësues sa të detyrohen për të marrë masa ekstreme”, tha zoti Krasniqi.
Politologu Ilir Kalemaj, pedagog në Universitetin e New York-ut në Tiranë, thotë për Zërin e Amerikës se arrestimi i zotit Veliaj ishte sekreti më i përhapur në kryeqytet, madje vet SPAK-u publikoi më herët akuzat që nga korrupsioni deri tek pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë, implikonin edhe bashkëshorten dhe vëllain e tij.
Ndërsa për bashkinë dhe punonjës të saj janë një seri tjetër dosjesh si inceneratori dhe çështja 5D, me të cilat ai ende nuk është i lidhur zyrtarisht, shtoi ai.
“Me goditjen nga SPAK-u të Erjon Veliajt duket që balanca është qartazi në anën e maxhorancës, sepse ky është rasti, ndoshta pas Fatos Nanos, i dytë i eksponentit më të lartë të Partisë Socialiste në historinë e Partisë Socialiste në këto tre dekada e gjysmë të tranzicionit demokratik”, thotë zoti Kalemaj, ndërsa shton se mbetet për t’u parë deri në fund nëse SPAK-u do të arrijë të provojë akuzat.
Studiuesit komentuan edhe reagimin më të fundit të kryeministrit Rama në lidhje me arrestimin e kryebashkaikut Veliaj.
Analisti Krasniqi thotë se zoti Rama ka një problem, i cili do të kthehet në problem për Shqipërinë, përderisa mandati i tij personal dhe raporti i tij me drejtësinë e nesërme është shqetësimi i tij kryesor dhe jo ecuria e reformave apo administrata e pastër nga korruptimi.
“Mesazhi i marrë nga hetimet ndaj dy ish presidentëve dhe një numër zyrtarësh të lartë, përfshi edhe bashkëpunëtorë të tij të afërt dhe ish zëvendëskryeministrin, janë se çdo individ që ka shkelur ligjin do të përballet një ditë me ligjin dhe zoti Rama është një nga ata politikanë që e ka shkelur ligjin në mënyrë të vazhdueshme dhe ka prova publike dhe si i tillë mesazhi që ai ka marrë është që një ditë do të përballet me drejtësinë dhe mbrojtja e tij më e madhe është fitorja e zgjedhjeve dhe mbajtja e postit të kryeministrit”, tha zoti Krasniqi.
Ndërsa analisti Kalemaj tha se reagimi i zotit Rama ishte i sforcuar dhe i vonuar, por neglizhoi korrupsionin e dyshuar, teksa përmendi një denoncues anonim dhe faktin që për fëmijën 6-vjeçar të çiftit Veliaj nuk ka kush kujdeset jashtë shtëpisë, por neglizhoi faktin që bashkëshortja e zotit Veliaj është në këtë çështje për shkak të aseteve materiale që iu konfiskuan.
“Zoti Rama është i detyruar të mbrojë bashkëpunëtorin e tij më të afërt dhe asetin elektoral më të vlefshëm të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve, por nga ana tjetër duket që e bën me gjysmë zemre, sepse distancimi publik që ka patur kohët e fundit zoti Rama nga zoti Veliaj është vënë re edhe nga elektorati dhe anëtarësia socialiste”, thotë zoti Kalemaj.
Studiuesit vërejnë se të dy palët politike e akuzojnë SPAK-un për njëanshmëri, ndonëse ka dhënë goditje nga të dy anët: 18 kryebashkiakë në burg, në hetime dhe në procese gjyqësore, një numër deputetësh, ish zëvendës kryeministri Ahmetaj, ndërsa nga opozita janë nën akuza për korrupsion dy ish presidentë, njëkohësisht kryetarë të dy partive kryesore opozitare, Berisha dhe Meta dhe një politikan i rëndësishëm i opozitës, Ervin Salianji është në burg.
Por zoti Krasniqi thotë se lufta ndaj korrupsionit lidhet shumë me ofertën politike në Shqipëri, ku rotacioni politik do të ndodhte, nëse nesër dalin forca të reja politike, me figura të reja e të papërfshira në skandale korruptive dhe pa qenë objekt i SPAK-ut.
“Për sa kohë dy palët politike drejtohen nga individë, të cilët janë nën hetim, ose janë pjesë e dosjeve në shqyrtim nga SPAK-u, do të thotë që ne jemi të detyruar të zgjedhim midis individëve, të cilët mund të jenë nesër objekt hetimor dhe masë penale shumë më të avancuar dhe ky është një mesazh negativ, që u dërgohet qytetarëve”, tha zoti Krasniqi.
Analistët janë të ndarë tek çështja e ndikimit të arrestimeve nga SPAK-u mbi zgjedhjet. Ndërsa zoti Krasniqi thotë se shumica e votuesve të dy partive të mëdha janë militantë besnikë dhe nuk ndikohen nga veprimet e SPAK-ut apo nga diskretitimi i figurave politike.
Nga ana tjetër, zoti Kalemaj thotë se arrestime të tilla do të kenë ndikim tek elektorati në zgjedhjet e ardhshme të majit.
“Për maxhoranën natyrisht që është një lajm i keq. Këtë e shprehu kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe zoti Rama sot. Duke patur parasysh peshën politike të Erjon Veliajt në qarkun Tiranë, ku zgjidhen plot 37 deputetë, është një peshë e paneglizhueshme, përveç faktit që bashkia Tiranë mund të hyjë në zgjedhje të parakohshme nëse zoti Veliaj nuk do të dalë nga qelia”, tha zoti Kalemaj
Ndërsa zoti Krasniqi mendon që për sa kohë opozita është vet kundërshtuese e SPAK-ut dhe për sa kohë është në proces hetimor një pjesë e madhe e saj, ose nën masa arresti, praktikisht Partia Socialiste nuk do të ketë atë dëm elektoral, që duhet të kishte në kushte të tjera.
“Kemi një zhvillim, që është kontravers. Nga një anë kemi politikanë, që deklarojnë se njohin vendimet e drejtësisë dhe nuk përfshihemi, sidomos nga maxhoranca, nga ana tjetër të gjithë zyrtarët e akuzuar për korrupsion vazhdojnë të kenë status në parti politike dhe mbrohen nga Partia Socialiste. Mbrohen në nivele partiake, mbrohen në nivele publike, mbrohen edhe në debat publike dhe nuk një shenjë vullneti që vërtet janë të gatshëm të distancohen nga zyrtarë të tillë”, tha zoti Krasniqi.
Sondazhet tregojnë se SPAK-u vazhdon të ketë një mbështetje të jashtëzakonshme nga publiku si pjesa më e suksesshme e reformës në drejtësi. Politilogu Kalemaj thekson se SPAK-u lindi prej nevojës së madhe për të ndërprerë pandëshkueshmërinë në këtë vend, por politikanët kryesorë janë të dyzuar në mbështetjen e tij, duke e akuzuar për njëanshmëri politike, edhe pse kanë votuar reformën në drejtësi me vota maksimale.
“SPAK-u nuk është një parti politike. SPAK-u nuk është një aktor politik. Madje nëse ka brenda SPAK-ut që e mendojnë një gjë të tillë, janë të gabuar, sepse drejtësia duhet të jetë e verbër dhe duhet të jetë një pushtet i tretë dhe duhet të kemi kontroll dhe balancë recirpoke të pushteteve. SPAK-u është aty për të bërë detyrën e vet, hetimet anë afatet e tyre dhe politika duhet të përmirësojë ofertën ndaj qytetarëve, krahas mekanizmave të brendshme partiake për qarkullimin e elitave politike në bazë të meritokracisë dhe demokracisë së bredshme”, tha zoti Kalemaj.
Analistët theksuan se ligji mbi dekriminalizimin dhe lufta kundër korrupsionit kërkojnë që njerëzit e dyshuar dhe të akuzuar nga drejtësia të mos mbrohen politikisht, të mos promovohen nga organizata politike, duke u dhënë detyra në fushata zgjedhore, siç po ndodh në jo pak raste.
Lidhur me përfshirjen në hetimet e SPAK-ut ndaj zotit Veliaj edhe të kryetares së komisionit parlamentar të ligjeve Klotilda Bushka, analisti Kalemaj thotë se ende nuk janë ndriçuar shumë detaje dhe veprimtaria konkrete e saj.
“Deri tani duket se kemi të bëjmë me një ortakëri në interesa private, ndërsa dihet se zonja Bushka me bashkëshorten e Erjon Veliajt kanë një miqësi ndër vite dhe ortakëri në biznese. Fakti që ajo është një person i dyshuar, e bën më të rëndë faturën politike për Partinë Socialiste, pasi bëhet fjalë jo vetëm për Erjon Veliajn, njeriun e dytë më të rëndësishëm të PS-së, por edhe për kryetaren e komisionit të ligjeve në Kuvend”, tha zoti Kalemaj.
Ndërsa zoti Krasniqi theksoi se shumë deputetë të PS-së kanë bërë karrierë politike kryesisht për shkak të lobingjeve klienteliste dhe jo meritokracisë apo primareve, por një drejtues i fuqishëm e mbush listën me klientë të vet.
“Nuk është për t’u habitur që SPAK-u përfshin në hetimet e veta të gjithë kategoritë e këtyre politikanëve, pavarësisht nga funksionet që kanë në shërbim të ligjit, sepse qëllim më i madh për ta është të mbrojnë njëri tjetrin dhe jo ligjin. Asnjë zyrtar në Kuvend, as në qeveria dhe as në parti nuk jep dorëheqjen apo të bëjë hap pas kur i del emri në dosjet hetimore dhe kjo është një tjetër shenjë e situatës kontraversiale, kur të gjithë flasin për drejtësinë, por faktorët politikë janë kundër drejtësisë”, thotë zoti Krasniqi.
Analistët mendojnë që nëse opozita do të jepte mesazhin e një opozite të reformuar, me individë të rinj, me energji të reja dhe me personalitete të reja që duan ta ndryshojnë Shqipërinë, masat e fundit të drejtësisë do të ishin një ndihmë jashtëzakonisht e madhe për mbarëvajtjen e demokracisë shqiptare./VOA