Etika, etiketa dhe takti diplomatik në mjedise multikulturore, duke filluar nga mënyrat si t’i drejtohesh dhe të përshëndetësh tjetrin, sidomos personalitete të larta në ngjarje, forume dhe veprimtari të ndryshme përbën domosdoshmëri, sfidë dhe garanci suksesi. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me “kortezinë diplomatike”, por shumë më gjerë për mbarëvajtjen e një procesi diplomatik, miratimin e një marrëveshjeje, ecurinë e një dialogu, nisme, programi dhe procesi dhe për një imazh sa më të pëlqyeshëm të aktorëve publikë dhe shoqërisë civile që janë aktive në këtë fushë.
Tipari themelor i diplomacisë deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë ishte fshehtësia, puna nëpër skuta, kulisa dhe korridore pushteti, ndaj ishte pagëzuar si “diplomacia e fshehtë”. Aq i kufizuar ishte mjedisi ku vepronte diplomacia e atëhershme, sa profesori, politikani dhe diplomati i njohur amerikan Adlain E. Stevenson, thoshte se, “jeta e një diplomati përbëhet nga tre komponentë: protokolli, xhirokoli dhe alkooli”. Ndërsa sot, siç e kam përmendur dhe te libri “Diplomacia për të gjithë”, krahas dimensionit parlamentar dhe ekonomik, diplomacia është transformuar, pasuruar dhe përforcuar me dimensionin publik, kulturor, qytetar digjital, social etj..
Shoqëria civile është pjesë e pandarë dhe aktive e diplomacisë publike, me agjencitë, filialet dhe forumet e saj kudo, me një rol gjithnjë e më të madh në këto fusha për vetë emrin, rolin, përbërjen, formatin dhe misionin e saj të shumëfishtë, si ndërlidhëse aktive midis shtetit dhe shtresave e grupeve të ndryshme shoqërore dhe me besueshmëri më të madhe. Kjo veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku dhe shoqëria civile në 10 vitet e fundit është përfshirë në shumë veprimtari madhore diplomatike, samite, seminare, dhe programe gjeopolitike me emër, ku spikat Procesi i Berlinit, 20 nisma rajonale dhe procesi i anëtarësimit në BE. Ndaj dhe shoqëria jonë civile lipset të diplomatizohet më tej me qëllim që të shfaqë sjellje, etikë dhe takt sa më të pëlqyeshëm, që të realizojë me mirë misionin e saj. Tanimë, të gjithëve na bie rasti të themi dhe të dëgjojmë shpesh: “Mos më fol si diplomat”, “Kishte pamje diplomati”, “Bëhu pak diplomat”, “Ia tha me diplomaci”, “Nuk ke pse të jesh diplomat që të kuptosh një gjë të tillë”, “Foli me gjuhë/ton diplomatik”, “Ta zgjidhim problemin me mjete dhe kanale diplomatike”, etj.. Por, çdo të thotë të sillesh si diplomat? Do të thotë të tregosh takt, edukatë, maniera dhe finesë, të flasësh një herë, por të dëgjosh dy herë, të mos lëndosh dhe ofendosh, të mos krijosh ndjenja dhe ndjesi të këqija te tjetri.
Këtu merr rëndësi të veçantë takti, i cili sipas diplomatit francez me përmasa botërore Charles Maurice de Talleyrand, nënkupton “kur ti do të thuash diçka që bashkëbiseduesi nuk do ta dëgjojë, por, falë taktit tënd, ai jo vetëm të dëgjon, por pas bisedës, ai të falënderon për informacionin e dhënë”. Për rrjedhojë, etika, etiketa dhe takti i duhur në biseda, takime, komunikime me shkrim, pritje, dreka dhe darka pune e bëjnë tjetrin të ndihet rehat, ndërkohë që dhe ti “lundron” i qetë në ujërat e trazuara diplomatike. Ato u ngjajnë tri ngjyrave të semaforit, falë të cilit automjetet dhe kalimtarët qarkullojnë lirshëm dhe pa aksidente. Ish-ambasadori i shquar francez, Bernard Dorin, thotë se, “protokolli dhe etiketa mes shteteve është si mirësjellja ndërmjet individëve, ai shërben si lubrifikant për grasatimin e friksioneve”.
Gjithashtu, etika dhe takti kërkon të dëgjosh me vëmendje tjetrin, jo mezi duke pritur për t’iu kundërpërgjigjur, por me respekt dhe mirëkuptim, të mos e ndërpresësh, me gjuhë korrekte trupi, pa lëvizje të tepërta, të njohësh dhe respektosh identitetin e tij dhe traditat e vendit që ai përfaqëson, të flasësh sa më qartë, shkurt, pa batuta, të cilat nuk kuptohen ose mund të shkaktojnë dyshime të bashkëbiseduesi(t); mbi të gjitha kurrë mos harro të falënderosh, të kërkosh ndjesë, të lutesh për diçka, të buzëqeshësh; po ashtu gjatë një dreke apo darke, kujdes me mënyrën e të ngrënit, qëndrimin në tryezë pa i vendosur bërrylat mbi tryezë dhe kodin e veshjes korrekte.
Një shembull konkret i etikës dhe qetësisë “olimpike” që karakterizon një diplomat është ai i ish-ambasadorit të mirënjohur e më vonë ministër i Jashtëm i Austrisë, Princi Metternich. Një ditë, Perandori Bonapart, në prani të disa ambasadorëve, por në një humor jo të mirë, e pyeti Meternichun me zë të lartë dhe zemërim: “E çfarë dreqin kërkon Perandori austriak prej meje”?! Metternich-i i përgjigjet thjeshtë e me qetësinë karakteristike diplomatike, duke e “çarmatosur” si rrallëherë bashkëbiseduesin e tij perandorak: “Ai kërkon nga Ju thjesht të silleni mirë, Madhëri”! Kërkesat e lartpërmendura zbatohen qysh në momentin kur i drejtohemi dhe përshëndesim njëri-tjetrin e sidomos kur flasim në një forum, konferencë apo samit diplomatik. Do theksuar se kujdesi këtu fillon me shqiptimin e saktë të emrit dhe funksionit të të adresuarit. Më kujtohet dekada më parë kur bëja dhe punën e përkthimit, mikpritësit tanë në Gjermani, Itali dhe gjetkë, përpara një darke apo fjalimi më pyetnin me shumë merak, duke më kërkuar shqiptimin e saktë të emrit dhe mbiemrit të ministrit tonë.
Qetësoheshin vetëm kur ua bëja me shenjë se gjithçka ishte OK. Ndërsa tanët nuk denjonin t’ia mësonin dhe përmendnin emrin e bashkëbiseduesve të tyre, por flisnin sikur të ishin në një mbledhje partie apo qeverie, me gjuhë të drunjtë duke filluar me vrazhdësi “dua të them dy fjalë”! I njëjti kujdes kërkohet në shkrimin dhe shqiptimin e saktë të titujve të nderit, sidomos atyre mbretërorë në mesazhet e shumta që bëhen, me shkrim ose me gojë. Protokollet shtetërore dhe mbretërore i kanë përcaktuar qartë dhe janë shumë të përpiktë me këta tituj dhe emrat e vendeve përkatës; kështu, thuhet: “Shenjtëria e Tij” ose “Ati i Shenjtë” për Papën, “Hirësia apo Fortlumturia e Tij” për liderët e lartë fetarë, “Madhëria” për mbretin, “Lartësia Mbretërore” për Princin dhe Dukën, Shkëlqesi për Ambasadorin, Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm etj.. Fatkeqësisht, thjesht për pakujdesi, bëhen gabime elementare në përdorimin dhe përkthimin e tyre. Po këtu, shumë e rëndësishme është që personaliteteve të ndryshme apo kryesuesve të një forumi t’u drejtohemi me emërtimin apo pozitën zyrtare dhe jo me mbiemrin. Psh., “zoti ministër, zoti drejtor, zoti president” dhe jo zoti X… Disa vite më parë, gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, një gazetar i drejtohej vazhdimisht “Zoti Bush” Presidentit amerikan, i cili natyrisht nuk reagonte. Mbas këmbënguljes së gazetarit, i cili sërish vijonte “Zoti Bush”, ky i fundit i tha: “Kujt po i drejtoheni”?
Atëherë gazetari e kuptoi gabimin, ndaj i tha “Zoti President” dhe vetëm atëherë Presidenti me të drejtë u përgjigj. Më tej, në hyrje të prezantimit tuaj, shprehet me entuziazëm kënaqësia për praninë në atë event, falënderimi për ftesën, mikpritjen e ofruar, vlerësimin e organizimit të eventit dhe ndonjë tipar specifik të vendit, bukurive dhe traditave të tij. Këtu ndikon pozitivisht dhe përdorimi i ndonjë fjale apo fraze në gjuhën e vendit apo kur bashkëbiseduesit i drejtohesh me emrin e tij të parë I dashur…”. Aq e vërtetë është kjo, sa ish-Kryeministri britanik, Beniamin Disraeli, thoshte se, “Diplomati është një person që të tregon se si të shkosh në ferr në një mënyrë të tillë që ti mezi e pret këtë ‘udhëtim’”, ndërsa gazetari i famshëm amerikan Isaac Goldberg thoshte se, “Diplomacia bën dhe thotë gjërat më të bezdisshme në mënyrën më të këndshme”.
Etika, takti dhe etiketa përfshijnë dhe gjuhën që përdoret, me finesë dhe elegancë, si tipare që e dallojnë një diplomat nga një profesion tjetër dhe që duhen ta bëjnë të vetën dhe pjesëtarët e shoqërisë civile si diplomatë publikë. Kjo si në fjalimet dhe kumtesat e rastit, bisedat personale zyrtare dhe jo formale dhe gjatë përpilimit të njoftimeve apo komunikatave të ndryshme të shtypit pas procesit të bisedimeve. Bismarku këshillonte “Jini të sjellshëm, shkruani në mënyrë diplomatike, sepse edhe në një deklaratë lufte kërkohet mirësjellje”. Gjithashtu, kërkohet kujdes që teksti i njoftimit apo komunikatës të jetë i lexueshëm, i shkurtër dhe i saktë.
Në mjediset diplomatike thuhet se “këto tekste nuk duhet të jenë as hartime, por as raporte policie!”. Për këtë qëllim, përdoret gjerësisht trajta pasive ose pavetore, pa përmendur emra dhe kryefjalë. Psh., në vend që të thuhet “ti, ai, ajo, filan ministër tha…”, shkruhet: “Kemi dëgjuar, flitet, shkruhet, na kanë njoftuar” etj.. Po ashtu, kur bisedimet nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, formulimi do të jetë diçka si: “Ne treguam mirëkuptim për pikëpamjet tona përkatëse”. Po aq e rëndësishme është që dhe kur nuk je dakord me bashkëbiseduesin, atij/asaj të mos i thuhet “e ke gabim”, sepse do të jetë e vështirë t’i japësh përgjigje pyetjes “pse”; ndaj, në vend të kundërshtimit të hapur është shumë më diplomatike të thuhet: “Mendimi im/yni është se…”, “kemi dëgjuar për këtë mendim, është interesant, por vështirë për t’u zbatuar” etj.. Dhe gjatë një fjalimi nuk u referoheni me emra artikuluesve të një ideje dhe propozimi të papranueshëm, por kundërshtimin tuaj e shprehni me gjuhë afirmative dhe me elegancë, duke ofruar idetë tuaja me argumentin përkatës dhe duke shmangur çdo lloj fërkimi. Paolo Coelho thotë se “eleganca nuk qëndron te mënyra si e mbani armën, por tek aftësia për të shmangur një dyluftim”.
Gjithsesi, parimi dhe veçoria më e spikatur e kësaj sjelljeje, është “JO”-ja e ngadalshme diplomatike, çka do të thotë se diplomati, me përjashtime shumë të rralla e në kontekste të caktuara, nuk thotë “Jo”, e ca më pak të prerë për një gjë, propozim apo ide. Madje, këshillohet dhe është bërë praktikë e zakonshme dhe në bisedime të ndryshme që kundërshtimi ndaj ideve apo propozimeve të të tjerëve, të bëhet jo duke thënë “Jo”, por duke afirmuar pozicionet tuaja, qoftë dhe të ndryshme ose të kundërta. Këtu lind me të drejtë pyetja: “Po atëherë, si do t’i bëhet halli kur përmbajtja e një fjale, deklarimi apo vendimi nga një diplomat ose dhe diplomacia e një vendi është ose duhet të jetë ‘Jo’”? Natyrisht, ka raste përcaktuese, kur do të thuhet dhe “jo”. E megjithatë, kjo duhet të jetë një “jo” diplomatike, jo “tulle/copë”, por e veshur me “gëzof”, jo e pakëndshme dhe ofenduese për bashkëfolësin. Lidhur me këtë, Talleyrandi thotë: “‘Po’-ja dhe ‘Jo’-ja janë dy fjalët më të shkurtra dhe më të lehta për t’u shqiptuar, por janë dhe fjalët që kërkojnë të shqyrtohen me shumë kujdes”.
Një ilustrim i këndshëm i kësaj “Jo”-je të gjetur diplomatike është sërish përgjigja e Metternichit, 33-vjeçar kur paraqiti Letër Kredencialet si ambasador i Austrisë në Francë në vitin 1806. Frazës ironike të Bonapartit se “ti je shumë i ri për të mbajtur në shpatullat e tua të njoma një perandori të vjetër”, diplomati legjendar austriak i tha një “Jo”, por me pozitivizëm dhe elegancën e tij mondane: “Jam po aq i ri, Zotëri, sa ishte Madhëria Juaj në Betejën e Austerlicit!”( të cilën Bonaparti e fitoi bujshëm më 2 dhjetor 1805). Gjithashtu, përvoja tregon se ka rëndësi që dhe kur jemi të detyruar të themi “Jo”, ajo të shoqërohet me ndjenjë solidariteti, madje edhe me keqardhje dhe duke e kompensuar me sa të jetë e mundur dhe me ndonjë “Po” në fusha të tjera, se dhe diplomacia është “jep e merr”! Duke iu referuar kësaj cilësie të veçantë, në mjediset diplomatike thuhet shpesh se “kur një diplomat thotë ‘po’, ai nënkupton ‘ndoshta’, kur thotë ‘ndoshta’, nënkupton ‘jo’, ndërsa po tha ‘jo’, ai nuk është më diplomat”.
*Referat i mbajtur në seminarin në Shkup,
më 22 janar 2025 dhe në Golem, më 7 shkurt,
me drejtues dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile
të Rajonit, organizuar nga Këshilli i
Ambasadorëve të Shqipërisë dhe ai i
Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me
Fondin e BE-së për Ballkanin Perëndimor.