Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me pjesëmarrjen e atletes Luiza Gega, e cila mori pjesë në protestën pro Erion Veliajt.
Blushi shprehet se kolonelja Luiza Gega ka shkelur hapur ligjin “Ligjin për disiplinën ushtarake” që i ndalohet rreptësisht të jetë e angazhuar në grumbullime politike dhe në përkrahje publike të një anëtari partie.
Ai nënvizon që shtabi i përgjithshëm i FA të respektojë ligjin dhe të reagojë ndaj pjesëmarrjes së Luiza Gegës në protestë. Blushi thekosn se kampionët e sportit janë të lirë të mbështesin çdo parti por nuk mund të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
“Kolonelja Luiza Gega, me pjesëmarrjen dhe qëndrimin e saj publik në protestën e organizuar në mbështetje të Kryehajdutit të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj të cilit është vendosur masa e arrestit me burg, ka shkelur hapur “Ligjin për disiplinën ushtarake”, që ia ndalon rreptësisht të jetë e angazhuar në grumbullime politike dhe në përkrahje publike të një anëtari partie.
Për çdo ushtarak ligji është i qartë! Shtabi i Përgjithshëm i FA të respektojë ligjin dhe të reagojë ndaj kësaj paligjshmërie skandaloze dhe të konsumuar botërisht! Kampionët e sportit janë të lirë të mbështesin çdo parti, madje edhe të flenë poshtë dritares së qelisë së Erion Veliaj e të brohorasin për megavjedhjet e tij, por nuk mund të jenë më pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Është e qartë se Kolonele Luiza Gega e ka bërë zgjedhjen e saj dhe për të betimi tek zyra e Erion Veliajt është më i shenjtë dhe shumë më i rëndësishëm se sa betimi për Flamurin Kombëtar, të larë me gjakun e Dëshmorëve dhe ushtarakëve patriotë.”, shkruan Blushi në rrjetin social në facebook.