Televizioni Syri ka publikuar një foto ku duket prokurori i SPAK, Arben Kraja duke darkuar me Benet Becin. Sipas këtij televizioni fotoja është e freskët teksa “Beci është nën hetim nga institucioni që vetë Kraja drejtoi deri pak kohë më parë”.
Këtë foto e ka komentuar Sali Berisha. “Ai është një xhelat i sigurimit të shtetit që nuk mund të ishte kurrë aty ku është, i shkarkuar nga qeveria e Berishës, PD-së në 1996. Unë e pashë atë, por do i vijë radha, gjërat janë me radhë” tha ai.
Benet Beci është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dyshime mbi shkelje të kryera gjatë detyrave të tij të mëparshme, veçanërisht gjatë kohës kur ai shërbente si drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Sipas burimeve nga SPAK, hetimet lidhen me procedura tenderimi ku dyshohet se janë kryer shkelje që kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit. Në nëntor të vitit 2024, Beci u paraqit në zyrat e SPAK-ut për të dhënë shpjegime në lidhje me këto akuza. Pas daljes nga prokuroria, ai nuk pranoi të komentonte për mediat.