Ditën e sotme u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-ambasadori Shaban Murati. Deputetja Flutura Açka shkruan se veprat e tij do të mbeten referenca të forta të debateve mbi identitetin shqiptar.
“Këtë mëngjes të hidhur u nis për shtegtimin e fundit diplomati, publicisti dhe njeriu i rrallë, Shaban Murati. Sa e deshi ai Shqipërinë, e ka të gdhedur në veprat e tij të shumta dhe të rralla të lloji të tyre, të cilat janë dhe do të mbeten referenca të forta të debateve mbi identitetin shqiptar, gjeopolitikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, europiane é rajonale.
Është tronditëse për mua të pranoj që nuk do ta takoj më një mik kaq të vyer. Për shumë nga qëndrimet e mia publike, këshilla dhe meraku i tij ka qenë përtej së zakonshmes. Mirënjohja për praninë e tij në rrethin e njerëzve më të dashur të jetës sime, do të jetë deri në fund të jetës sime!
I lehtë dheu, i dashur Shaban! Ngushëllime të thella familjes, të afërmve, miqve é kolegëve, dhe të gjithë atyre që e njohë , e deshën dhe e çmuan personalitetin e tij” shkruan ajo.