Kryetari i PD-së, Sali Berisha dënoi vendimin e policisë së shtetit që nuk mbrojti prokurorët dhe gjyqtarët përballë protestuesve të Erion Veliajt ditën e mërkurë.
“Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale.
Mbajtën të ndryrë në gjykatë, gjykatës dhe punonjës të administratës së gjykatës, sulmuan si banditë makinat e tyre. U sollën sikur ato të ishin institucione të pushtuesit.
Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar.
Të dërgosh mijëra policë dhe rrogëtarë shteti për të rrethuar një institucion të zbatimit të ligjit, të kërcënosh me jetë gjykatësit, i nxitur direkt nga Edi Rama, është një apel për çdo shqiptar.
Dëshmon se je i gatshëm të përdorësh çdo mjet antidemokratik, të përdorësh dhunën sa herë që zbatimi i ligjit nuk të intereson.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo mazhorancë, kjo pseudomazhorancë apo narkomazhorancë, ka faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese” tha ai.