Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë takuar të premten, ndaras, të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, në lidhje me pritshmëritë nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Dy liderët e Kosovës i kanë zhvilluar takimet e para me Sorensenin në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, e cila ka nisur punimet të premten.
“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Kurti ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2023. Palët nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje dhe as nuk kanë bërë ndonjë hap drejt zbatimit të saj.
osmani be
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se kjo marrëveshje “po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”.
“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, është cituar të ketë thënë mes tjerash Kurti.
Peter Sorensen, nga Danimarka, e ka nisur zyrtarisht punën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.
Osmani, Kurti dhe zyrtarë tjerë të Kosovës patën kritikuar Lajçakun për qasje të pabarabartë në dialog dhe për rreshtim, me raste, kah Serbia.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka thënë një ditë më parë se ka dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me Sorensenin, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.
Sorensen ka thënë të enjten se në dy ditët e fundit ka biseduar në Paris dhe Berlin për mënyrat se si mund të avancojë procesi i dialogut.
“Mirënjohës për mbështetjen e tyre të plotë për përpjekjet e mia”, ka thënë Sorensen në X, ku ka postuar edhe fotografi me zyrtarë të të dyja shteteve.
Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet ta formojë qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike pas dorëheqjes së kryeministrit.
Kallas tha se po pret derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.
Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.
Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.
Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.
Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011./REL