-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Flamur Vezaj: Policia e Shtetit, kampione e transparencës: S’jemi aty ku s’duhet!

Kryesoret

Më 12 shkurt 2025, Shqipëria dëshmoi një tjetër moment të lavdishëm të institucioneve tona të sigurisë, ku Policia e Shtetit vendosi të zbatojë me përpikëri strategjinë e re të saj: “mosreagimi strategjik” thënë ndryshe atë të konceptit të “neutralitetit ekstrem”, duke mos u shfaqur fare aty ku duhej!

Gjykata e Posaçme kërkoi ndihmë për të menaxhuar një turmë të egërsuar militantësh të PS, të cilët u mblodhën për të “mbrojtur” kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të arrestuar për korrupsion në mbi 10 raste. Garda e Republikës, duke bërë punën e saj siç e ka për detyrë, kërkoi përforcime nga Policia e Shtetit për të shmangur eskalimin e situatës. Dhe Policia? Epo, Policia bëri atë që di të bëjë më mirë: asgjë.

Disa burime raportojnë se telefonatat e gardistëve u drejtuan tek sekretaria automatike me mesazhin: “Për momentin, jemi të angazhuar në çështje më prioritare, si ruajtja e distancës nga problemet e vërteta. Ju lutemi, mos na shqetësoni!”

Ndërkohë që militantët shanin, kërcënonin dhe madje qëllonin me grushta makinat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, policia po praktikonte një formë të re mbrojtjeje të qytetarëve: mbrojtjen e tyre duke qëndruar sa më larg vendit të krimit. Siç duket, forcat e rendit menduan se situata nuk kërkonte ndërhyrje, ndoshta sepse ata ishin të zënë me ndonjë arrestim të rëndësishëm të një shitësi ambulant pa leje ose ndonjë aksion të madh kundër fëmijëve që shesin lule në rrugë.

Burime brenda Policisë së Shtetit (të cilat preferojnë të mbeten anonime, sepse puna e tyre kërkon anonimitet të plotë, sidomos kur nuk bëjnë asgjë) thanë se nuk ka qenë çështje paaftësie apo frike, por një vendim strategjik i lartë për të mos ndërhyrë. “Nuk donim të shqetësonim protestuesit gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre për të bllokuar gjykatën dhe për të kërcënuar gjyqtarët e prokurorët,” u shpreh një oficer, i cili po e ndiqte situatën në televizor nga komoditeti i një kafeneje.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka shprehur indinjatë të thellë dhe ka kërkuar shpjegime për mosreagimin e Policisë. Por, si gjithmonë, përgjigjja do të vijë me ritmin e duhur shtetëror, “nuk ishte e nevojshme, qytetarët ishin model”.

Ndërkohë, për pjesën tjetër të qytetarëve të shqetësuar për rendin dhe sigurinë, mos u bëni merak! Policia e Shtetit është gjithmonë aty… kur nuk keni vendosur rripin e sigurimit, kur parkoni në vend të gabuar apo kur jeni duke kaluar rrugën pesë sekonda para dritës jeshile. Por kur bëhet fjalë për të ndaluar turmat që kërcënojnë gjyqtarët? Epo, kjo është një çështje që kërkon mendim të thelluar dhe reflektim institucional – që fatmirësisht mund të zgjasë pafundësisht ose me heshtje, si gjithmonë!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit