Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar një ankim në Apelin e Posaçëm të GJKKO, duke kërkuar lirimin e klientit të tij nga masa e “arrestit me burg”. Ky ankim ka ardhur pas vendimit të gjyqtarit Erjon Bani, i cili la në fuqi masën e sigurimit për Veliajn, duke e dërguar atë në paraburgimin e Durrësit.
Në seancën maratonë të 12 shkurtit, ku u përballën prokurorët e SPAK me Veliajn dhe mbrojtësit e tij, prokuroria kërkoi vazhdimin e masës “arrest në burg” për Veliajn dhe disa të akuzuar të tjerë për korrupsion dhe pastrim parash. GJKKO ndryshoi masën për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, duke e vendosur në detyrim paraqitjeje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.