Historiani i njohur zviceran, Oliver Jens Schmit, ka lëshuar një alarm për sigurinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë. Ai theksoi se shteti duhet të përgatitet për mundësinë e një konflikti ushtarak dhe të ketë një qeveri të qëndrueshme që mund të udhëheqë shoqërinë në këtë drejtim.
“Do të ishte më e rëndësishme të flitej për mbrojtjen ushtarake, mbrojtjen civile, spitalet, planet e emergjencës dhe të përgatiten ato seriozisht sesa për gjuhën dhe letërsinë”, thotë Schmitt në një intervistë për gazetën KOHA në Kosovë.
Schmit vuri në dukje se, përkundër qëndrimit të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, rreziku i një konflikti është i mundshëm, pasi Serbia është riarmatosur dhe mund të përpiqet të provokojë një konflikt.
“Krahas Republikës së Moldavisë, Kosova është një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë. Në Kosovë, rreziku i luftës nuk diskutohet më seriozisht sesa në vendet e tjera evropiane. Ajo që nevojitet tani nuk janë debate për identitetin, por përgatitje serioze për një sulm. Qeveria serbe është nën një presion të madh dhe mund të përpiqet të organizojë një konflikt me Kosovën. Serbia është riarmatosur masivisht vitet e fundit. Megjithatë, prania amerikane në Kosovë e ka penguar Serbinë që të përdorë këto armë. BE-ja nuk mund ta zëvendësojë SHBA-në si fuqi mbrojtëse e Kosovës. Prandaj do të ishte e rëndësishme që Kosova të ketë shpejt një qeveri stabile që e përgatit, me të gjitha palët e rëndësishme, shoqërinë për një konflikt të mundshëm”, thotë Shcmitt.