-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

LIVE- Spiropali: Kosova dhe Shqipëria janë dy flamuj me një gjuhë

Kryesoret

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali në seancën e sotme ka uruar Koosvën për 17-vjetorin e pavarësisë.

Spiropali u shpreh se Kosova dhe Shqipëria janë dy flamuj me një gjuhë.

“Më lejoni që, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, të përcjellim së bashku urimet më vëllazërore për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, për dëshmorët dhe mendimtarët dhe gjithë sakrificat e tyre të pafundme që bënë të mundur ngjizjen e ëndrrës së madhe të lirisë dhe drejtësisë historike.

17 vjet më parë, në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, Kryeministri Hashim Thaçi, lexoi deklaratën e Pavarësisë, si aktin suprem që shpallte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Ai çast që shënjoi triumfin e ëndrrës së një populli dhe të një kombi të ndarë dhunshëm në dy pjesë, është dita e parë e historisë së një realiteti të ri gjeopolitik në rajon e Evropë, dhe gjithashtu triumf i të drejtës njerëzore për vetëvendosje, i luftës për të drejtat e njeriut dhe i të drejtave të kombeve për ta ndërtuar vetë fatin e tyre.

Ai çast ishte kulmimi i asaj lufte të paprerë dhe aspiratave shekullore të shqiptarëvë të Kosovës.

Nën frymëzimin e Presidentit Ibrahim Rugova, qytetarët e Kosovës i rezistuan paqësisht dezintegrimit të egër të ish-Jugosllavisë dhe më pas, u përgjigjën edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dy ndeshje me sakrifica të paimagjinueshme, në një front për jetë a vdekje, në një sfidë mes qytetërimit, barbarisë e terrorit, në fund të shekullit të XX-të.

Mirënjohje pafund për gjithë martirët e asaj lufte, për gjithë ato jetë që u prenë në mes në këmbim të lirisë.

Në këtë ndeshje të pashembullt, në krah të popullit të Kosovës dhe shqiptarëve të rajonit, ishte aleanca më e madhe politiko-ushtarake, e cila luftoi dhe fitoi betejën e parë antifashiste në Evropë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Kosova ishte në ato muaj dramatikë ndërgjegja e lënduar e qytetërimit perëndimor, që vendosi t’i përgjigjet me forcën e të drejtës, forcës së verbër të regjimit gjakatar të Beogradit.

Mirënjohje pafund për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe e BE-në, NATO-n dhe gjithë vendet e tjera mike që bashkëmundësuan lirinë e Kosovës.

Sot, Republika e Kosovës dhe Shqipëria janë dy gjysma të të njëjtës aspiratë, për t’u bërë së afërmi pjesë e Bashkimit Evropian.

Janë dy flamuj, por një komb e një gjuhë.

Kujtojmë nga kemi ardhur, dimë se ku do të shkojmë!

Ne, në Kuvendin e Shqipërise mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin e paprerë, jetik e strategjik me institucionet e reja të Republikës së Kosovës që do të dalin nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar e nderuar shprehjen e lirë të vullnetit dhe votës së qytetarëve të Kosovës.

Ne mbështesim dhe jemi pjesë e pandarë e përpjekjeve të udhëheqësve, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për zhvillim, progres e mirëqenie, për konsolidimin e vlerave dhe standarteve demokratike, integrimet euro-atlantike dhe pranimin në organizatat ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si rrugë të vetme për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë.

Zoti bekoftë lirinë, Zoti Bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët kudo në botë”, tha Spiroapli.

tha Spiropali.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit