Pse Kosova nuk ka status kandidati dhe pse aplikimi i saj nuk po shqyrtohet fare, ekziston një arsye e vetme. E ajo është mosnjohja nga pesë vendet anëtare. Arsyet e tjera që përmenden, si përmbushja e kushteve, dialogu me Serbinë, lufta kundër korrupsionit e kushtet e tjera janë kushte për avancim në proces e jo për përgjigjen ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim që është hapi i parë formal.
Jo vetëm sikur në Bruksel, por edhe më shumë sesa në Bruksel, Dita e Evropës festohet në Kosovë. Madje në Kosovë, për dallim nga Belgjika dhe pothuajse të gjitha vendet e tjera të BE-së, Dita e Evropës është edhe festë kombëtare, ditë pushimi. Për shkak se në Kosovë kur një festë kombëtare qëllon të jetë në ditë vikendi, atëherë pushohet në ditën e parë të javës për ta kompensuar. Kjo është arsyeja pse të hënën nuk punohet në Kosovë. Kështu, kosovarët nderojnë Evropën në ditën e saj.
E në Bruksel po atë ditë punohet normalisht si çdo ditë tjetër. Në fundjavë me disa aktivitete u shënua Dita e Evropës në institucionet e BE-së, duke i hapur dyert për vizitorë. Ndërsa të hënën më 11 maj, kur kosovarët do të jenë duke pushuar, në Bruksel takohen ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian bashkë me kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Mes tyre do të jetë edhe përfaqësuesi i Kosovës, ministri në detyrë, Glauk Konjufca.
Konjufca në këtë takim do të jetë i barabartë me të tjerët. Sepse ky është takim joformal. Por Kosova në raport me BE-në nuk është e barabartë me vendet e tjera të rajonit, as me vendet e tjera evropiane. BE-ja vazhdon të mos e trajtojë Kosovën si shtet, vazhdon të pretendojë se është “neutrale ndaj statusit“ dhe krejt kjo për shkak se pesë vendet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën.
Fakti se kosovarët shënojnë Ditën e Evropës dëshmon përkushtimin e tyre të pakusht për integrim në BE dhe orientimin e pakthyeshëm properëndimor. Edhe pse mund të diskutohet nëse është e nevojshme që “Dita e Evropës“ të mos jetë ditë pune në Kosovë, sidomos duke pasur parasysh se nuk është festë kombëtare as në pothuajse të gjitha vendet e BE-së, gjithsesi është mirë që kosovarët t’i rikujtojnë vlerat evropiane, historinë e bashkimit të popujve të lirë në një integrim të përbashkët, më të suksesshmin që ka parë njerëzimi. Sepse integrimi në BE ishte dhe mbeti i bazuar në vullnetin e lirë, të shprehur në mënyrë të pavarur, pa trysni të popujve të lirë. Dhe kosovarët duan që edhe vendi i tyre si i lirë dhe i pavarur të bëhet pjesë e këtij integrimi. Prandaj nuk është vetëm simbolik festimi i Ditës së Evropës në Kosovë. Është dëshmi e përkushtimit dhe synimit.
Edhe këtë vit në Ditën e Evropës dëgjuam mbështetje për “rrugëtimin evropian“ të Kosovës, se “Kosova e ka vendin në Evropë“ e kështu me radhë. Por procesi i integrimeve evropiane është formal. Ai i ka etapat e caktuara formale dhe hapat konkretë. Kosova ka bërë vetëm hapin e parë në këtë proces. Ka aplikuar për anëtarësim. E BE-ja nuk e ka bërë as hapin e parë. Nuk e ka shqyrtuar fare këtë kërkesë dhe nuk i ka dhënë përgjigje Kosovës. Thirrjet që “Kosova t’i bindë vendet anëtare se e meriton statusin e kandidatit“ janë të sakta. Sepse fundi i fundit për këtë vendoset njëzëri nga to. Por Kosovës nuk po i jepet as shansi për t’u dëshmuar.
Sepse për të vlerësuar se a i përmbush apo jo Kosova kriteret për status kandidati, duhet të bëhet vlerësim objektiv nga ana e Komisionit Evropian. E Komisioni Evropian për ta shqyrtuar këtë duhet ta marrë mandatin nga vendet anëtare. E mes vendeve anëtare nuk ka konsensus për t’i dhënë mandatin Komisionit Evropian për ta nisur as procedurën. Prandaj, Kosova i ka dyert e mbyllura në BE formalisht. Dhe kështu do të jetë derisa të mos shqyrtohet formalisht aplikimi i Kosovës dhe derisa Komisioni Evropian të japë opinionin e tij. Ai opinion mund të jetë pozitiv apo negativ. Por vetëm kur ai opinion të bëhet mund të thuhet se Kosova nuk i ka përmbushur apo i ka përmbushur kushtet.
Pse Kosova nuk ka status kandidati dhe pse aplikimi i saj nuk po shqyrtohet fare ekziston një arsye e vetme. E ajo është mosnjohja nga pesë vendet anëtare. Arsyet e tjera që përmenden, si përmbushja e kushteve, dialogu me Serbinë, lufta kundër korrupsionit e kushtet e tjera, janë kushte për avancim në proces e jo për përgjigjen ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim që është hapi i parë formal.
Në BE vazhdojnë të sillen sikur 5 vende ta kenë njohur Kosovën e 22 të tjera të mos e kenë njohur. BE-ja më shumë i përshtatet pakicës sesa shumicës. Ja edhe këtë fundjavë komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, në një intervistë për gazetën “Delo” të Sllovenisë paska thënë se “nuk kërkohet nga Serbia ta njohë Kosovën“. Edhe kjo deklaratë më shumë përfaqëson qëndrimet e mosnjohësve të Pavarësisë së Kosovës sesa të shumicës së madhe të atyre që e kanë njohur.
Zhvillimet në Kosovë nuk janë për t’u lavdëruar. Procesi permanent zgjedhor dhe pamundësia e reformave nuk ndihmojnë as në përafrimin me BE-në. Por as ato nuk janë arsyet pse Kosova ka mbetur i vetmi vend jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën, i cili ka aplikuar për anëtarësim dhe nuk ka as status kandidati e as që po mendohet të shqyrtohet aplikimi i saj. BE-ja duhet t’ia japë shansin Kosovës që ajo të dëshmohet dhe kjo bëhet vetëm duke e përfshirë Kosovën formalisht në procesin e integrimit. Jo me fjalë të bukura rasti si ato që dëgjuam edhe këtë vit në Ditën e Evropës./KOHA









