Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po tenton të fshehë abuzimet që kanë kryer gruaja dhe ish-gruaja e tij, me fondet amerikane të destinuara për Shqipërinë.
“Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës. Në rast se ka një rast më klasik të abuzimit ekstrem me paratë e taksapaguesve të SHBA, në Shqipëri në krye të listës qëndrojnë dy zonja, Linda Rama, bashkëshortja aktuale e kryeministrit, e cila në dhjetëra e dhjetëra projekte të saj, me fondacionin Shqipëria e Hapur, me UNDP-në dhe të tjera, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtime flagrante me ligjet themelore të antikorrupsionit”, tha Berisha në një komunikim për mediat.
“Ajo përbën një rast unik në planet, kur bashkëshortja e kryeministrit, paguhet me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera dhe kryesisht të SHBA për të bërë raporte për veprimtarinë e qeverisë së burrit të vet. Ky është një rast kulmor flagrance që fakton se gjer ku arrin makutëria e enturazhit të Edi Ramës dhe se për pasurimin e tij familjar, Edi Rama nuk respekton asnjë ligj, asnjë parim kombëtar as ndërkombëtar. Edi Rama ishte i detyruar të përjashtonte bashkëshorten e tij nga çdo lloj studimi që lidhej me qeverinë e tij. Por është bërë e kundërta, jam unë që kohë më parë kam denoncuar faktin e vizitave, e shoqëruar nga ministra, dhe i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, ku Linda Rama debatonte dhe gjente tema për projektet e studimit të saj në agjencitë dhe zyrat e qeverisë. Pra, përdoreshin ato. Aktivitet absolutisht flagrant i shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të fondeve”.
“Por në hierarkinë e shpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë dhe pasurimit të elitave të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës, Shqipëria nxin sterrë edhe me figurën e lubisë numër 2, e cila quhet Delina Fico. Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Çuçi, dhe ish-bashkëjetuesja e Edi Ramës, ka marrë shuma përrallore me projekte antikushtuese dhe antiligjore nga USAID-i për pasurimin e saj dhe kapjen e sistemit të drejtësisë kryekëput nga Rama dhe enturazhi i tij. Lubia numër 2 apo Delina Fico me këshilltarët ligjorë që kompania e saj në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, ka afruar Gjykatës së Lartë dhe sistemit të drejtësisë, ka gllabëruar nga fondet e USAID-it dhjetë milionë euro. Dhe për vete rroga dy herë më e madhe se sa e ambasadorit të SHBA në Shqipëri”.
Berisha i bëri thirrje Byrosë Federale të Hetimit në SHBA që të nisë hetimet për këto abuzime. “Po nuk hetohen, përkundrazi këto mbrohen nga Edi Rama sikundër mbrohet çdo vjedhje e lidhur me të.
Ndaj dhe i bëj thirrje FBI-së të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë. Ftoj Edi Ramën, që ka shkallmuar siç e shihni ju dhe nga mëngjesi gjer në darkë, në një llogare të pakontrolluar, flet përçart korr e mos lidh, t’u thotë shqiptarëve për këto akuza të rënda kombëtare dhe ndërkombëtare, që e nxijnë imazhin e Shqipërisë. Ka thënë ai një fjalë të vetme për këto? Asnjë fjalë… Garantoj qytetarët shqiptarë se një audit i plotë me ndihmën e ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe amerikanë do bëhet lidhur me të gjitha këto abuzime dhe se përgjegjësit do marrin ndëshkimin më të merituar ligjor”, shtoi ai.