Kryeministri Edi Rama në rrjetin social në rubrikën Sy m’sy ka folur për drejtësinë dhe punën e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme.Rama shprehet se qeveria ka heshtur për 5 vite dhe më shumë, në mënyrë që pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej në një vend ku mungonte pavarësia.
Ai nënvizon se kur drejtësia të shkelë standartet duhet që të ngremë zërin dhe të mos bëhen padrejtësi. Rama thekson se duhet të jemi sa më kritik sa herë që standartet në drejtësi do të shkelen.
“Nëse unë nuk do të kisha bërë një zgjedhje të qartë 16 më vjet më parë për të luftuar për një drejtësi të pavarur, kjo që sheh sot ka qenë e shkruar në programin tonë që kur ishim në opozitë. Atëherë ka qenë e paimagjinueshme që drejtësia të godiste majtas e djathtas deri fare lartë. Nuk e di çfarë ke parë kur thua sulme ndaj drejtësisë. Nëse e ke për ato që unë kam thënë lidhur për ndalimin pa gjyq të kryetarit të bashkisë së Tiranës, atëherë kemi nevojë të sqarohemi përsëri. Unë mendoj se të kërkosh standarde demokratike në një proces të drejtësisë, aq më tepër kur kreu i bashkisë merret nga zyra e çohet në burg pa u shpallur ende i pandehur e lëre më fajtor, nuk është aspak sulm ndaj drejtësisë.
Është detyrimi ynë për të ngritur zërin pasi ky është një nga kushtet themelore të Bashkimit Europian, një vend ku sundon ligji dhe ku drejtësia jep vetëm drejtësi dhe nuk bën padrejtësi. Kur ka probleme standardesh, jo vetëm duhet ta themi, por edhe do ta themi me kokën lartë e zërin plotë. Ne heshtëm për 5 vjet e më shumë, jo se nuk pamë probleme, jo se nuk u skandalizuam ndaj asaj trysnie, e cila hera-herës ka shkuar deri në absurd mbi punonjësit e administratës. Ne heshtëm strategjikisht, në mënyrë që pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej në një vend ku drejtësia nuk ka pasur kurrë pavarësi. Tani që pavarësia më duket se është shalqi me provë kur thotë populli, madje është qartësisht burim i një vetëbesimi të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, ne do të flasim për forcimin e demokracisë dhe do të jemi kritik sa herë që këto standarde do të shkelen”, tha Edi Rama.