Prijësit evropianë të shteteve e institucioneve, të ballafaquar tashmë me një realitet të ri të politikës amerikane e të shprehur publikisht, pa dorëza e finesë diplomatike, duhet t’i adaptohen këtij realiteti të ri, duke krijuar përgjigje unifikuese – jo për çështje të veçanta e as për shtete veç e veç – por për një enigmë e cila del me analizën e një ekuacioni me shumë të panjohura: çka do të bëhet me idenë 80-vjeçare të komunitetit euro-atlantik nëse prej tij zvetënohet deri në fshirje përbërësi “atlantik”?.
1.
Mbase mënyra më e mirë për të kuptuar ndryshimet e mëdha gjeopolitike që po ndodhin ende pa u mbushur muaji i presidencës Trump 2.0 është anashkalimi i emocioneve – të befasisë, të mosbesimit apo ndonjë tjetër – që pak a shumë mund të shërbejnë për të mos i pranuar faktet.
Nga perspektiva e një njeriu që është i trajnuar për të mos pranuar shfaqjen e emocioneve apo përfshirjen e tyre në analizë e vendimmarrje, siç është rasti me Vlladimir Vlladimiroviq Putinin, presidenti Trump do të jetë mysafir i tij më 9 maj në Sheshin e Kuq për të festuar 80-vjetorin e fitores së luftës kundër nazizmit. Deri atëherë, nëse presidenti Trump dëshiron të jetë në Sheshin e Kuq, SHBA-ja dhe Rusia duhet të arrijnë një marrëveshje rreth Ukrainës, gjegjësisht të normalizimit të marrëdhënieve mes SHBA-së e Rusisë. Nga perspektiva e presidentit Putin, Rusisë duhet t’i njihet territori i fituar ushtarakisht (rreth një e gjashta e Ukrainës), garanca të sigurisë (mohimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, mosnënshkrimi i paktit të mbrojtjes nga Perëndimi, modeluar sipas Nenit 5 të NATO), heqja e sanksioneve izoluese të Rusisë…
Nga perspektiva e tij, ai tashmë i ka arritur dy pikat e para strategjike. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Hegseth, shpalli në Mynih javën e kaluar pozicionin amerikan me të cilin nuk është realist kthimi i Ukrainës në kufijtë e vitit 2014, e as anëtarësimi i Ukrainës në NATO.
Është aty edhe një pikë e shënuar si arritje për presidentin Putin, ndoshta si perceptim, ndoshta si realitet strategjik, e ajo është largimi i SHBA-së si garanca kryesore e sigurisë për Evropën. Për presidentin Putin, ky moment do të thotë hapje e rrugës për një pozitë analoge me atë të shekullit XIX, ku Moska ishte fuqi e barabartë me Londrën, Parisin e Vjenën dhe ku paqja në Evropë ndërtohej në bazë të baraspeshës së forcave, gjegjësisht marrëveshjes së Koncertit evropian.
Pika e tretë për të cilën ai është i gatshëm të negociojë (pasi që tashmë janë absolvuar dy të parat) është normalizimi i marrëdhënieve mes Rusisë e SHBA-së, natyrisht edhe me territorin në mes, Evropën.
2.
Nga perspektiva e presidentit Trump, Rusia është një fuqi, pasuritë natyrore dhe forca bërthamore e së cilës nuk duhet t’i afrohen Kinës. Mbështetja perëndimore për Ukrainën, duke përfshirë këtu sanksionet ekonomike kundër Rusisë, e kanë shtyrë këtë të fundit drejt Kinës; instinkti i presidentit Trump, të cilin e ka shprehur disa herë publikisht, i thotë se fundi i luftës duhet të krijojë gjendjen ku Rusia është më afër SHBA-së se Kinës, përfshirë investimet strategjike amerikane në resurset energjetike dhe të tjera ruse. Rrjedhimisht, fundi i luftës në Ukrainë duhet t’i sigurojë SHBA-së marrëdhënie të normalizuara me Rusinë, bartjen e problemit të Ukrainës në përgjegjësi parësore evropiane dhe njëkohësisht me këtë dhe bartjen e peshës mbrojtëse të Evropës te shtetet evropiane.
Në peshoren gjeostrategjike, këto objektiva janë shumë më të qarta se një luftë në të cilën fronti i luftës u përngjet atyre të Luftës së Parë Botërore, me disa muaj luftime për ta lëvizur ca kilometra në njërin apo tjetrin drejtim.
Një debat i këtillë është zhvilluar në mesin e mendimtarëve të “Projektit 2025”, hartuar për të përgatitur qeverisjen Trump 2.0. Mes dy shkolla mendimesh – të përkrahjes së luftës si dobësim i Rusisë apo tërheqjes nga përkrahja, fitoi ky opsion: “Një tjetër shkollë e mendimit konservator mohon se mbështetja e Ukrainës nga SHBA-ja s’është fare në interesin e sigurisë kombëtare të Amerikës. Ukraina nuk është anëtare e aleancës së NATO-s dhe është një nga vendet më të korruptuara në rajon. Kombet evropiane të prekura drejtpërdrejt nga konflikti duhet të ndihmojnë në mbrojtje të Ukrainës, por SHBA-ja nuk duhet të vazhdojë përfshirjen e saj. Kjo pikëpamje dëshiron një përfundim të shpejtë të konfliktit përmes një zgjidhjeje të negociuar ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë”.
3.
Nga perspektiva e shteteve të mëdha evropiane, të Britanisë së Madhe e shteteve të BE-së, java e kaluar me një përllogaritje të ftohtë duhej të ishte mesazhi më i drejtpërdrejtë që kanë marrë ndonjëherë nga SHBA-ja. Përmbledhtazi, në politikën e sigurisë ishte porosia që Evropa duhet të kujdeset për sigurinë e saj, përfshirë këtu edhe Ukrainën. Në politikat tregtare u vendos reciprociteti i tarifave me shtetet veç e veç, e me këtë gjest u vu në pyetje sistemi i deritanishëm liberal i tregtisë transatlantike. E në sistemet e vlerave, nënkryetari J.D.Vance mbajti fjalim me të cilin tregoi se platforma konservatore, të cilën e paraqet ai, e sheh pothuajse tërë Evropën diku në qendër të majtë, me përjashtim të AfD-së dhe partive simotra të mbledhura nën moton e kryeministrit Orban, MEGA – “Make Europe Great Again”.
Reagimi evropian është, si zakonisht, i ngadalshëm dhe është diku në hapësirën mes shprehjes së befasisë e mosbesimit dhe kërkimit të akomodimit ndaj gjendjes së re.
Pozicioni i të dërguarve të presidentit Trump mund të ketë qenë befasues, aq më tepër se erdhi në disa ditë të ngjeshura, por ky është një pozicion i cili po ashtu është ndërtuar brenda një debati. Në Projektin 2025 shkruan kështu: “Transformo NATO-n në mënyrë që aleatët e SHBA-së të jenë të aftë për të mbajtur shumicën e forcave konvencionale që kërkohen për ta frenuar Rusinë, ndërsa mbështeten në Shtetet e Bashkuara kryesisht te forca jonë parandaluese bërthamore…, duke reduktuar kështu praninë e forcës së SHBA-së në Evropë”.
E, kjo vjen në një këndvështrim të veçantë në të cilin thuhet kështu: “…rajoni i Evropës, Euroazisë dhe Rusisë përbëhet nga shoqëri relativisht të pasura dhe të avancuara teknologjikisht, të cilat duhet të pritet të mbajnë një pjesë të drejtë si për nevojat e sigurisë, ashtu edhe për arkitekturën globale të sigurisë: Shtetet e Bashkuara nuk mund të pritet të ofrojnë një ombrellë mbrojtjeje për vendet që nuk janë të gatshme të kontribuojnë në mënyrë të përshtatshme”.
4.
Gjatë shkurtit të vitit 2025, ka filluar një prej momenteve më dramatike të rirreshtimit gjeopolitik në Evropë, në marrëdhëniet euro-atlantike dhe potencialisht në marrëdhëniet botërore. Etapa e parë filloi në Riad të Arabisë Saudite, në takimin e parë mes delegacionit të lartë amerikan dhe atij rus, e që do të konsumojë në mënyrë intensive dy muajt e ardhshëm, deri në Ditën e fitores (Evropiane), të cilën presidenti Putin e shndërroi në një afatizim testues.
Prijësit evropianë, të shteteve e institucioneve, të ballafaquar tashmë me një realitet të ri të politikës amerikane e të shprehur publikisht, pa dorëza e finesë diplomatike duhet t’i adaptohen këtij realiteti të ri, duke krijuar përgjigje unifikuese – jo për çështje të veçanta e as për shtete veç e veç – por për një enigmë e cila del me analizën e një ekuacioni me shumë të panjohura: çka do të bëhet me idenë 80-vjeçare të komunitetit euro-atlantik nëse prej tij zvetënohet deri në fshirje përbërësi “atlantik”?/ KOHA