Kryeministri britanik, Starmer do të diskutojë një plan për forcën paqeruajtëse në Ukrainë me Donald Trump gjatë takimit të tyre javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Starmer pritet t’i prezantojë Trumpit në detaje strategjinë kryesisht anglo-franceze “për një ‘forcë paqësimi’, të përbërë nga anëtarë të ushtrive evropiane, që do të vendoset në Ukrainë larg fronteve aktuale të luftës”.
Zyrtarët perëndimorë thanë, sipas Sky News, se ushtarë nga vendet evropiane dhe Britania mund të vendosen në qytetet, portet dhe centralet bërthamore të Ukrainës për të garantuar paqen pas arritjes së ndonjë marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë, ndërsa mbrojtja e hapësirës ajrore dhe vijave bregdetare të Ukrainës do të jetë gjithashtu çelësi i planit.
Ushtarët nuk do të vendosen pranë vijës së frontit në Ukrainën lindore dhe nuk do të veprojnë si “forcë paqeruajtëse”, por si “forcë qetësuese” për popullatën, duke inkurajuar kështu me praninë e tyre miliona refugjatë ukrainas që ikën jashtë vendit për shkak të luftës me Rusinë të kthehen në atdheun e tyre.
Nëse bihet dakord për vendosjen e kësaj force, anëtarët e saj mund të vendosen në qytetet kryesore, portet dhe infrastrukturën kritike në Ukrainë, siç janë centralet bërthamore, ndërsa përpjekjet paqeruajtëse mund të asistohen nga satelitë, aeroplanë spiunazhi dhe dronë, sipas rrjetit britanik.
Vendet e NATO-s tashmë po e kryejnë këtë mision në shtetet baltike dhe Rumani, me patrulla të mbikëqyrjes së hapësirës ajrore për të identifikuar kërcënimet.