Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të mërkurë në sheshin Skënderbej punonjësit e bashkisë së Tiranës. Ai tha se protesta para Gjykatës së Posaçme ditën e gjyqit të kryebashkiakut Erion Veliaj ishte gabim që edhe pse i pafajshëm, nuk duhet të përsëritet më.
“E kërkova këtë mbledhje me të gjithë ju sepse gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush, por edhe mes shumë të tjerësh njerëz të prekur, njerëz të lënduar, të zhgënjyer, të dëshpëruar.
Disa nga ju shkuan edhe te dera e Gjykatës Speciale për të protestuar ditën që kryetari i Bashkisë u la në burg pa gjyq. Nuk dua t’i gjykoj keq, përkundrazi, e mirëkuptoj emocionin e tyre, por ishte një gabim, që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më as nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar në çfarëdo institucioni.
Secili prej jush përfaqëson një skuadër të madhe, që në asnjë mënyrë nuk duhet të shfaqet në territorin e një pushteti tjetër të pavarur siç është sistemi i drejtësisë”, tha Rama.