Vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama i kërkoi publikisht SPAK-ut që të mos dalë në terren por të hetojë nga zyra krimin elektoral, Prokuroria e Posaçme ka publikuar Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor e cila mbështetet në verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK thotë se do të bëjë verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.
Gjithashtu monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.
Por edhe bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.
Rama presion SPAK-ut: Mos dilni në terren, hetoi nga zyra krimet zgjedhore
7 objektiva:
1.Identifikimi sa më i shpejtë i indicieve mbi mundësitë e kryerjes së veprave penale dhe shkeljeve ligjore në kuadër të zgjedhjeve që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor.
2. Identifikimi dhe parandalimi i ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të funksionarëve shtetërorë dhe subjekteve private në procesin zgjedhor për të siguruar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor për Kuvendin 2025.
3. Përmirësimi i kapaciteteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dhe ndjekur rastet e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve në mënyrë efektive.
4. Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet hetimore dhe rolin e tyre ndërveprues në parandalimin e krimit zgjedhor.
5. Rritja e efektivitetit të bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet publike, shoqërinë civile, median dhe çdo subjekt privat për të parandaluar veprat penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025.
6. Parandalimi i ndikimit të jashtëm dhe manipulimit të procesit zgjedhor përmes monitorimit në kohë reale dhe ndërhyrjes së shpejtë në rastet e dyshimta të shkeljes së ligjit.
7. Kryerja e hetimeve profesionale dhe të shpejta për subjektet që kryejnë shkelje zgjedhore, duke dërguar një mesazh të qartë se krimi zgjedhor do të ndiqet dhe ndëshkohet.
Vetëm për Tiranën janë përcaktuar tre prokurorë të posaçëm:
Altin Dumani
Adnan Xholi
Klodian Braho
Arben Kraja në Gjirokastër
Ols Dado në Elbasan
Dritan Prençi në Shkodër
Anita Jella në Kukës
Behar Dibra në Berat
Edvin Kondili në Durrës
Doloreza Musabelliu në Fier
Sotir Kllapi në Fier
Ervin Gokaj në Dibër
Vladimir Mara në Korçë
Elida Kaçkini në Vlorë
Bledar Maksuti në Vlorë
Manjola Kajana në Vlorë