Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për shtyp u shpreh se pensionet janë 2-3 herë më të ulëta në rajon.
“Sot, pensionistët shqiptarë, të cilët 12 vite më parë merrnin pensionet më të larta se të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshi Rumaninë e Bullgarinë, janë katandisur me pensionet jo më të ulëta, por 2-3 herë më të ulëta se sa të vendeve të rajonit.
Qëndrimi ndaj pensionistëve shqiptare ishte një qëndrim në kufijtë e çnjerëzisë dhe poshtërimit. Pensionistëve, të cilëve me ligj u takonte indeksimi, nuk iu është indeksuar as gjysma e inflacionit të këtyre viteve.
Por ata kanë marrë edhe një tjetër goditje të fortë. Goditja tjetër e rëndë është se një pjesë e mirë e barnave janë hequr nga lista e rimbursimit, të domosdoshme për mjekimin e tyre të përditshëm. Së fundmi, qindra mijëra pensionistë kanë pasur një mbështetje nga fëmijët e tyre, familjarët e tyre jashtë vendit. Remitancat kanë pësuar një zhvlerësim në masën 35-40 përqind.
Edi Rama ka ndjekur një politikë cinike dhe mashtrimi ndaj pensionistëve.
Pasi iu mbajti kompensimin e 6 muajve të vitit të kaluar për t’ua paraqitur si bonus në dhjetor, ai ndau për buxhetin e shtetit të vitit 2025 gjithsej 16 milionë për indeksimin e tyre. E vërteta është që 16 milionë nuk indeksojnë më shumë se 40 përqind të inflacionit vjetor të këtyre qytetarëve.”, tha Berisha.