Për shumë familje të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në qarkun e Durrësit, fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit është një moment shprese që premtimet e dhëna për vite me radhë të bëhen më në fund realitet.
“Po na sorrollasin, nuk na japin një datë. Shpresa na ka mbetur,” thotë Hava Lleshi në Thumanë, e cila bashkë me familjen e saj mezi pret të marrë në dorëzim fondin e rindërtimit dhe të ndërtojë shtëpinë e vet. Bashkë me dy fëmijët e mitur, ajo jeton mes kontenierit dhe shtëpisë së pabanueshme, ku në ditë-netët e ftohta të dimrit dhe në këtë situatë të ngarkuar virale, mund të ndezë sobën e druve dhe të ngrohen.
Më shumë se pesë vjet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit në qarkun e Durrësit mbetet një çështje problematike, duke theksuar mosplotësimin e premtimeve të bëra për rikthimin e familjeve në shtëpitë e tyre. Pavarësisht përpjekjeve dhe fondeve të alokuara, bashkitë Durrës, Shijak dhe Krujë tregojnë ritme dhe rezultate të ndryshme në këtë proces.
Edhe pse autoritetet premtuan përfundimin e procesit në vitin 2022, dy vjet më vonë, qindra familje presin ende të futen në shtëpitë e reja. Për opozitën, paratë e hedhura në këtë proces janë keqpërdorur për fushata elektorale dhe ata presin që e njëjta gjë të ndodhë edhe këtë vit.
“Janë përdorur dhe në zgjedhjet 2021, 2023, duke dhënë dhe dëmshpërblimet për familjet në pallatet e përcaktuara fillimisht DS3 e që më pas kaluan në DS4 për prishje ose riforcim,” thotë këshilltari bashkiak i opozitës në Durrës, Joni Myshketa.
Ai fajëson mungesën e transparencës për përdorimin e fondit prej 1.2 miliardë që u mor në formë grantesh e kredish të buta, ndërsa superministria që u krijua për këtë qëllim përfundoi me ministër në arrati.
“U krijua edhe një superministri e rindërtimit, e drejtuar nga një ministër që sot është në arrati dhe denoncon ish-qeverinë e tij. Ndërkohë, çështja e të prekurve nga tërmeti mbetet ende e pazgjidhur”, tha Mushketa.
Prej vitesh në konteinerë dhe rrënoja
Kontenierët si zgjidhje e përkohshme e deklaruar zyrtarisht nga qeveria vazhdojnë të mbeten ende si streha më e sigurt për shumë familje në qarkun e Durrësit, të cilat tremben se pas çdo lëkundjeje sado të lehtë tërmeti që ndjehet në zonë, banesat e dëmtuara që prej 2019 mund të shemben plotësisht.
Në këtë situatë është edhe Hava Lleshi. Kontenieri ku ajo jeton me familjen është i sigurt, por i akullt dhe me një sipërfaqe të pamjaftueshme për familjen e saj prej 6 anëtarësh. Ajo thotë se shpresat i ka varur këtë vit. Madje në janar, pranë njësisë administrative Thumanë ka dalë lista me emrat e përfituesve dhe fondet që ata marrin për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara.
Lëvrimi i fondit u është thënë se do të bëhet në shkurt, pasi të vlerësohet toka ku do të bëhet shtëpia. Por edhe shkurtit po i vjen fundi dhe tashmë nuk u jepet asnjë afat, ndaj afrimi i zgjedhjeve shihet si mundësi e re nga shumë banorë.
“Na thanë se do të presin përgjigje për analizat sizmike të tokës dhe pastaj do të na japin fondin. Nuk e di nëse do të dalë ai fond për të rindërtuar shtëpinë, por u lumturova kur doli lista pas kaq vitesh. Isha në fillim të shtatzënisë kur ra tërmeti. Tani djali i ka mbushur 4 vjeç dhe ende jemi të pasistemuar dhe të pasigurt. Mezi pres të rindërtohet shtëpia e të fus fëmijët në të”, thotë Lleshi.
Edhe Shpresa Guçe në zonën e plazhit në Durrës qëndron me shpresën se halli i saj do të marrë zgjidhje. Shirat e fundit që shkaktuan përmbytje masive në Durrës e prekën dhe atë. Uji depërtoi në kontenierin që ndodhet nën hijen e shtëpisë së dëmtuar pa kthim nga tërmeti.
“Çfarë ka rënë jashtë, ka hyrë brenda. Jam duke u mbytur në shtëpi, nuk po rri dot në kontenier,” tha ajo. “Nuk e di ç’po bëhet nga ky shtet. Po bëhen 6 vjet dhe ngela jashtë rrugëve që po jetoj si qen bashkë me mbesat. Pas shiut të fundit i kam çuar te vajza. Deri kur kështu?!”, thotë ajo.
Gruaja thotë se kanë marrë premtime në çdo fushatë dhe se i është premtuar shtëpi direkt nga kryebashkiakja, por asgjë nuk ka ndodhur.
Transparencë e pjesshme
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Durrësit për BIRN, janë përdorur mbi 14.3 miliardë lekë nga totali i 15.6 miliardë lekëve të alokuara për periudhën 2020-2024. Këto fonde janë investuar në rikonstruksione banesash, përmirësimin e infrastrukturës së kullimit dhe sistemimin e zonave urbane.
Bashkia tha gjithashtu se 18 319 aplikues kanë përfituar deri tani. Megjithatë, bashkia nuk deklaron numrin e familjeve që ende nuk kanë përfituar nga programi i rindërtimit, një mungesë transparence që ngre pikëpyetje për ecurinë reale të procesit dhe përfituesit.
Në terren, shumë familje jetojnë ende në kushte të papërshtatshme. Apartamentet e reja, ndonëse të ndërtuara, përballen me mungesa të theksuara infrastrukturore, si mungesa e lidhjes së energjisë elektrike dhe kanalizimeve. Këto vonesa janë justifikuar nga bashkia si “probleme të veçanta”.
“Ju bëjmë me dije se, procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar ende dhe arsyet e vonesave janë të ndryshme, në varësi të secilit aplikim”, thuhet në përgjigjen me shkrim që bashkia nisi.
Bashkim Gjika, banor i lagjes nr. 5 dhe i sëmurë kronik, i njohur edhe si njeriu i protestave kundër vonesave në Durrës, ndjehet pa shpresë nga mungesa e informacionit se kur do të zhvendoset në apartamentin e ri.
“Pranuam të zhvendosemi te lagjja e re në Spitallë se na u tha që s’bëhet më pallati aty. U bë shorti, po kaq. As çelësa. Asgjë,” ankohet Gjika.
Në Durrës ka ende pallate që nuk kanë marrë një përgjigje nga Instituti i Ndërtimit se çdo të bëhet me to. Mes tyre, sipas burimeve nga Bashkia, dhe ai i kompanisë “Falke shpk” i Fiqiri Farrukut, pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë”.
“Nuk dimë asgjë. Jetojmë brenda tij me frikën për jetën”, shprehet një banore teksa kërkon ndihmë për të kuptuar ç’po ndodh.
“Kemi mijëra familje prej mëse 3 vitesh pa bonus qiraje qe janë detyruar të rifuten në banesat e tyre të paprekura që prej termetit, duke rrezikuar jetët e tyre”, tha këshilltari Mushketa, i cili e akuzon shumicën qeverisëse për papërgjegjshmëri “në dëm të jetës e jo vetëm në keqpërdorim e keqmenaxhim parash publike”.
Ndërkohë në Shijak, procesi i rindërtimit është menaxhuar kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke bërë që bashkia të ketë një rol minimal zbatues dhe kryesisht si njësi përfituese. Sipas të dhënave, janë përfunduar të gjitha projektet, duke ndihmuar 874 banesa private të shembura, 339 apartamente për rikonstruksion dhe 521 apartamente të ndërtuara nga e para. Shijaku është e vetmja bashki në qark që deklaron përfundimin e plotë të procesit të rindërtimit, duke mos lënë asnjë prej familjeve të prekura pa zgjidhje.
Ndryshe nga Shijaku dhe Durrësi, Bashkia Krujë, kur ka kaluar mbi një muaj e gjysmë, nuk ka kthyer ende një përgjigje zyrtare për pyetjet e bëra nga BIRN, pavarësisht se afatet ligjore kanë kaluar. Kjo heshtje tregon mungesën e transparencës përballë një procesi kaq jetik për qytetarët. Ndërkaq në terren, realiteti flet për familje që vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, duke shpresuar që premtimet e bëra në periudhën pas tërmetit të përmbushen, të paktën para zgjedhjeve. Në të kundërt, i pret edhe një vit tjetër i vështirë./ BIRN