Zv.presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat u ndal tek hetimet që po bën Prokuroria e Posaçme në lidhje me stafin dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor.
Xhixho tha se po denoncon paralajmërimin skandaloz të Ramës, pasi nesër në orën 09:00 rektori Fatbardh Sallaku ka kërkuar që të dëgjohet në grupin parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me 24 masat e sigurisë.
Ajo shprehet e habitur se përse rektori i Universitetit të Bujqësorit ka kërkuar që të ankohet në Grupin e deputetëve socialistë.
“Po Rektori i Universitetit Bujqësor përse ka zgjedhur (nëse realisht ka zgjedhur dhe nuk e kanë urdhëruar!) të ankohet në Grupin e Deputetëve Socialistë?!
Të akuzuar për abuzim me tenderat dhe shpërdorim detyre, SPAK ka nisur një hetimin penal dhe ka kërkuar masa sigurie kundër 24 punonjësve të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ndërkaq, në zbatim të ligjit, GJKKO ( Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ka vendosur 5 masa arrest me burg, 10 masa arrest shtëpie dhe 9 masa detyrim me paraqitje për të akuzuarit nga SPAK.”, tha Xhixho.
Ajo ka shtruar edhe disa pyetje në lidhje me rektorin i cili do të ankohet nesër në orën 09:00 në grupin e deputetëve socialistë. Xhixho nënvizon se rektori akademik duhet të dijë që masat e sigurisë i vlerëson gjykata dhe jo kryeministri me deputetët.
“Janë disa pyetjet që shtrohen:
1. Ç’punë ka rektori i një universiteti të ankohet në grupin parlamentar të një partie politike, qoftë kjo edhe partia në pushtet?
- Pse zgjedh të ankohet vetëm në njërin grup parlamentar dhe jo në grupet e tjera parlamentare? Cili është kriteri i përzgjedhjes?
Nëse rektori, që është edhe akademik, edhe profesor-doktor, nuk është dakord me çfarë ka vendosur GJKKO, mund të ankohet ligjërisht në një gjykatë më të lartë, por jo përmes një dëgjese publike në grupin e deputetëve socialistë.
Rektori akademik që është edhe profesor-doktor, duhet ta dijë që masat e sigurisë i vlerëson gjykata dhe jo Kryeministri e as grupi i deputetëve socialistë.
Nëse nuk e ka mësuar kaq gjë, zor se do të mund ta mësojë dot nesër në dëgjesën publike që ai ka kërkuar me grupin e deputetëve socialistë, të cilët janë në hall se kë të dëgjojnë më parë për të arrestuarit nga radhët e tyre.
Gjithsesi, nëse ndodh, e me gjasë do të ndodhë sepse e ka thënë edhe Kryeministri, ankesa përmes një dëgjese publike në grupin e deputetëve socialistë ku Rektori i Universitetit Bujqësor do të ankohet kundër SPAK-ut dhe GJKKO-së, është skandali i radhës i maxhorancës së dëshpëruar prej të arrestuarve nga radhët e veta.
Precedenti është i rrezikshëm. Tani, gjithsekush ndaj të cilit do të ketë një masë sigurie, e gjeti derën e shpëtimit; mund të ankohet në grupin e deputetëve socialistë!
Ajo që ka bërë më parë dhe ajo që do të bëjë nesër Kryeministri duke ndërsyer e duke u ndërsyer kundër SPAK-ut dhe GJKKO-së në grupin e deputetëve socialistë është dëshmia më e qartë e hipokrizisë së tyre kur flasin e na thonë se janë garantët e Reformës në Drejtësi.
E gjitha është në vazhdën e sulmeve dhe shantazheve për të mos lejuar SPAK-un të mbërrijë të vetë Kryeministri!”, deklaroi Xhixho.